Gratë janë shtylla e barazisë dhe progresit në Kosovë – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin vajza dhe gra
Në të njëjtin vend bashkë, më shumë gra unë s’kam pa.
Të dashura motra, zonja, gra dhe vajza, të nderuara pjesëmarrëse dhe ju disa pjesëmarrës,
Gratë shqiptare përgjatë gjithë historisë tonë kanë luftuar kundër pushtuesve të jashtëm e iu kanë
rezistuar atyre njëjtë si shumë burra. Gratë kanë flakur tutje konceptet patriarkale mbi rolet e tyre
gjinore e janë angazhuar për ndërtimin e një shoqërie barazimtare, të lirë e të drejtë. Këtë e kanë
bërë bashkë me shumë burra, shpeshherë edhe më shumë se ata burra. Kanë kontribuuar për
çlirimin e vendit e janë bërë model për të gjithë ne.
Rrugën që ndjekim ne sot e kanë shtruar shumë para nesh Teuta e antikës, Mamica Kastrioti,
Nora e Tringa në Mesjetë, motrat Qiriazi në Rilindjen Kombëtare, Shotë Galica – luftëtare, Urani
Rumbo – aktiviste feministe, Elena Gjika – shkrimtare e publiciste, e shumë të tjera si Ganimete
Tërbeshi, Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi, Hyrë Emini, Elfete Humolli e Yllka Domi. Të gjitha,
e secila janë referenca jonë e përditshme. Këta emra e shumë emra të tjerë, ne pak i njohim, sa
ishin e sa bënë për kombin tonë mbarë e për shoqërinë tonë përherë.
Madje, Shote Galica kishte luftuar edhe tri vite pasi që burri i saj, Azem Bejta, ishte vrarë në
betejë. Edhe pse disa thonë se ajo u vra në luftë, në fakt ajo vdiq në Fushë-Krujë, e sëmurë dhe e
varfër, e harruar. Duke e kujtuar rastin e Shotës, heroinës tonë, ne kujdesemi që një gjë e tillë të
mos ndodhë e të mos përsëritet kurrë më.
Disa gra luftuan në beteja, por që të gjitha kontribuan për ta mbajtur unitetin e mirëqenien në
familje dhe në shoqëri. Në shumë raste, paraardhësit tanë, ashtu si shumë popuj të tjerë të
okupuar e të kolonizuar, ishin pranë zhdukjes për shkak të gjenocideve, shtypjes, diskriminimit,
shfrytëzimit. Por falë grave shqiptare, me mendje të kthjellët e me zemra të gjera, ne mbijetuam
dhe tani jetojmë.
Gratë në Kosovë kanë kaluar vështirësi e pengesa të mëdha, të cilat fare pak janë dokumentuar e
përshkruar. E megjithatë, ato nuk duhen parë si viktima, por si shembuj të heroizmit të
përditshëm. Ato janë frymëzuese për ne, e ne në politikë duhet të ndjekim shembullin e tyre për
shoqërinë dhe të marrim forcë për të tejkaluar sfidat, si në politikë ashtu edhe në shoqëri.
Gratë e bartin barrën e dyfishtë, të peshës në vend pune e të punëve pa mbarim në shtëpi. Por,
gratë e bëjnë edhe aktivizmin e dyfishtë: merren me politikat e përgjithshme, por gjithsesi edhe
me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu edhe për gratë,
sidomos për gratë. Andaj, bashkë në Lëvizje e kudo, në institucione dhe në shoqëri, le t’i
aktivizojmë gratë e shkolluara dhe le t’i shkollojmë gratë aktive, se kjo është e domosdoshme për
të ardhmen edhe të ndritshme, edhe të sigurtë.
Të nderuara gra e vajza, motra e zonja, me ne sonte këtu janë edhe shumë bashkëpunëtore tona,
deputete, zv.ministre e anëtare të forumeve të grave nga rajoni, nga Lugina e Preshevës,
Maqedonia e Veriut dhe jo vetëm, të cilat kanë ardhur sonte për t’ju dhënë, për të na dhënë
bashkë mbështetje.
Ju faleminderit! Faleminderit, në vend se mirëmbrëma! Sepse jemi falënderues për kontributin
dhe rolin e vajzave në progresin tonë si Lëvizje, si shoqëri dhe si shtet.
E më lejoni që të veçoj një emër të posaçëm nga krejt ato gra që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
Është Amina Nuraj nga Sanxhaku, nga Novi Pazari. Sa herë e kalon kufirin, e marrin në pyetje, e
maltretojnë, por kurrë nuk ndalet. Kur e pash sonte këtu në rreshtin e parë, thashë: Kur Amina
Nuraj nuk ankohet, atëherë s’do të duhej askush të kishte të drejtë ankese.
Jemi mirënjohës për kontributin e grave ndër breza, vigjilencën ndaj pabarazisë dhe solidaritetin
e tyre ndaj njëra-tjetrës. U jemi falënderues për punën vetëmohuese, për angazhimin e dyfishtë
që secila prej jush bën, e jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e lirisë, drejtësisë e të
barazisë, të cilat janë edhe parimet edhe idealet tona të përbashkëta.
Solidariteti dhe bashkëpunimi janë gurët themeltarë të përparimit. Po, gara është konkurencë, por
jeta është bashkëpunim, jeta është solidaritet. Përpjekja për ta bërë Kosovën një vend më të mirë
e një shoqëri që është e drejtë për të gjithë është e përbashkët, e përditshme. Bashkërisht, jemi
angazhuar për pavarësi ekonomike të grave dhe të vajzave në Republikën tonë, si një shkallë e
rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale.
Kemi forcuar ligjet që garantojnë barazi në të drejta, kemi zbatuar politika dhe ndarë fonde që
garantojnë barazi në mundësi për çdo vajzë dhe grua, kudo që ndodhet, pavarësisht moshës e
prejardhjes. E gjatë këtij mandati, kemi zbatuar një sërë reformash për avancimin e grave në
shoqëri, masa e politika mbështetëse për një shoqëri barazimtare e përparimtare.
Më 14 shkurt të vitit 2021, ju gratë dhe vajzat e Kosovës u ndërgjegjësuat për fuqinë që keni për
ta emancipuar shoqërinë mbarë dhe njëra-tjetrën. Ju e kuptuat më së miri se kolektivisht jeni ju
ato që e mbani fuqinë për të krijuar një Kosovë të re, një Kosovë të drejtë, një Kosovë për juve,
një Kosovë edhe për juve.
Dhe pikërisht atij revolucioni elektoral, në përbërje dhe në udhëheqje të së cilës ishin pikërisht
gratë, Kosova sot është një vend më i barabartë për gratë, vajzat, burrat dhe djemtë. Për
shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, romët, egjiptianët dhe goranët. Kosova është një
nga vendet më të sigurta në botë, siç dëshmohet edhe nga Indeksi i Rendit dhe Ligjit të
organizatës Gallup.
E kryesia e Lëvizjes sonë, e VETËVENDOSJES! suaj i ka nëntë gra, gati 40%. Më shumë se 1/3
e kabinetit qeveritar përbëhet nga gratë. Dy nga tri zëvendësit e mi janë gra. Po aq gra, pra më
shumë se 1/3 kemi edhe në grupin tonë parlamentar, e 50% e anëtarëve të emëruar nga qeveria
janë gra. E para qeverisë sonë ishin vetëm 10%.
Dy prej ndërmarrjeve më të mëdha publike në Republikën tonë, Telekomi dhe Posta drejtohen
nga gratë dhe te të dy këto ndërmarrje, kemi kaluar nga humbjet e përvitshme tek operimi me
fitim.
Gati gjysma e administratës publike qendrore janë gra. Më shumë se 1/3 kanë pozita drejtuese në
institucione publike. E gjatë vitit 2024, 63% të të rekrutuarve ishin gra.
Në FSK, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kemi një gjeneralmajore, një kolonele, tre
nënkolonele, tre majore, 226 nënoficere e 90 ushtare. E synimi ynë është që në mandatin e
ardhshëm t’i kemi në Forcën e Sigurisë së Kosovës 1000 gra e vajza.
Në Policinë e Kosovës i kemi 1303 police, prej tyre janë 4 kolonele, 3 nënkolonele, 8 majore, 15
kapitene, 27 togere, 95 rreshtere, 746 police të larta dhe 307 police të reja.
Në 8 nga pjesëtaret e njësiteve të specializuara, NJSI dhe NJSO janë gra, 12 janë patrulluese në
departamentin e kufirit, kurse edhe në mbrojtjen e afërt që na ruajnë neve zyrtarëve të lartë
shtetëror, janë 3 gra, 1 rreshtere dhe 2 police.
Nuk ka krenari më të madhe për secilën e secilin prej nesh, sesa kontributi i këtyre grave. Andaj,
i ftoj nga këtu, vajzat dhe gratë, të marrin pjesë në konkurset për kadete të reja, ta ndjekin
shkollimin policor apo ushtarak dhe i inkurajoj gratë në uniformë që njëkohësisht, të aplikojnë
dhe të avancojnë në karrierën e tyre brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së
Kosovës sa më shpejt, sa më shumë, sa më lart.
E në këtë listën tonë garuese me 110 kandidatë gjithsej, 41 janë gra, 10 prej të cilave janë nën
njëzetëshen e parë. Ne kemi më shumë gra në listë sesa secila parti tjetër dhe sesa në cilatdo
zgjedhje më herët krahasuar edhe me vetveten tonë. Partitë tjera kësaj radhe kanë më pak gra në
lista e rrjedhimisht, edhe më pak sesa ne në njëzetëshen e parë.
Rëndësia që Lëvizja VETËVENDOSJE! i jep përfaqësimit të grave, tejkalon arritjen e kuotave e
vetëm për të thënë që kemi gra në listë. Gratë te ne nuk janë thjesht të përfshira, sepse janë
pjesëmarrëse dhe nuk janë thjesht pjesëmarrëse, sepse janë vendimmarrëse.
E tash emrat e të gjitha këtyre 41 grave i gjeni të renditura në listën tonë të fitores, për shkak se
ato e meritojnë e iu takon të jenë aty, jo për shkak se unë jam kryeministër apo kryetar partie.
Ato janë punëtore të dëshmuara, të dinjitetshme në qëllimin e përditshëm e të përbashkët për
shtetndërtim, të pandalshme e të pakompromistë, pa kursim, pa rezervë kanë punuar që të gjitha
e secila për ngritjen e mirëqenies të të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallim.
Pra, jo vetëm sepse janë gra, por sepse janë qenie njerëzore që ia duan të mirën shoqërisë e
kombit tonë, shtetit e qytetarit tonë, më shumë se ç’pandehet dhe më shumë sesa që dëshmohet.
E le t’ia fillojmë me Donika Gërvallën:
Diplomacia dhe politika e jashtme përgjithësisht dihet që është dominuar nga burrat. Por, në
diplomaci më së shumti kanë vlerë fjala e mprehtë dhe qëndrimi i palëkundur. As njëra, as tjetra
nuk janë aspak tipare ekskluzive për burrat. Aty, në diplomacinë tonë, në politikën tonë të
jashtme, e kemi pasur një grua të fortë, të vendosur, të guximshme, të pathyeshme, patriote,
Donika Gërvallën, e cila unë besoj, pikërisht për shkak të këtyre tipareve të saj, ka qenë
shenjestër e fushatave të njëpasnjëshme, por gjithashtu, edhe për shkak se është grua.
E përkundër të gjitha këtyre, unë nuk kam takuar dikë që mund të jetë më e përqëndruar në
mesin e zhurmës se Donika Gërvalla. Pra, sulmet mbi Donikën janë të kota, sepse ato janë
zhurmë, për të cilën nuk ka person që ia del më suksesshëm se vetë Donika.
E me Donikën në krye të punëve të jashtme të diplomacisë, e kemi bërë pasaportën e Republikës
të fuqishme si asnjëherë më parë, duke lënë prapa aq shumë shtete të tjera. Në indekset
ndërkombëtare, pasaporta jonë tash është në mesin e top 10 pasaportave të botës, me
përmirësimin më të madh në dekadën e fundit. Jam shumë i lumtur që e kam Donikën
bashkëpunëtore, por edhe më shumë jam i nderuar që jam bashkëpunëtor i Donikës.
Donika Gërvalla është bashkëkryetare e partisë Guxo, bashkë me Faton Pecin, i cili është në
mesin e disa burrave në këtë sallë, dhe ajo e mban numrin 3 në listën tonë fituese.
Mimoza Kusari Lila:
Ajo është Shefja e Grupit tonë Parlamentar, është gjithashtu edhe shefja e grupit më të madh
parlamentar ndonjëherë në Kuvendin e Republikës. Shefe më të madhe ndër ulëset e deputetëve,
prej se ka kuvend Kosova, nuk ka pasur se Mimoza Kusari Lila. E sikur kjo të mos ishte mjaft,
nën udhëheqjen e saj, në legjislaturën e VIII e kemi pasur numrin rekord të ligjeve të aprovuara,
282 ligje.
Mimoza Kusari Lila ka një energji të pashtershme, disiplinë të ashpër e karakter të fortë. Nëse
nuk e keni ditur, për arsye të panjohura për mua, tash e dini që të gjitha. Dhe jo për shkak se po e
them unë, por për shkak se ajo vetë e ka dëshmuar, sidomos në vitin e fundit, teksa luftonte me
kancerin dhe në publik sulmohej dëshpërimisht çdo ditë, nga disa burra, nga disa burreca, nga
disa bubrreca, të cilët me materiale të montuara e të çmontuara e të rimontuara, që ua kishin
dhënë miqtë nga Lista Serbe, sulmonin kryetaren tonë Mimoza Kusari Lila.
E ajo është këtu me neve sonte, sepse është për çdo ditë e për çdo natë në këtë fushatë, në çdo
tubim cep më cep të vendit, lagje më lagje, shtëpi më shtëpi, rrugë për rrugë, përherë e
buzëqeshur si tash, drejt fitores tonë të përbashkët më 9 shkurt. Mimoza Kusari Lila është
kryetare e Alternativës e në listën tonë e mban numrin 8.
Këto dy partnere që i ka VETËVENDOSJA!, këto dy kryetare, Donikën edhe Mimozën, i kemi
pasur në zgjedhjet e vitit 2021 dhe a e dini çfarë, të nderuara gra dhe vajza? Atëherë kur ne e
realizuam fitoren plebishitare bashkë me Guxo dhe Alternativën, këto të dyja i kanë nokautuar
edhe burrat që në këto zgjedhje të partive opozitare kinse kandidojnë për kryeministra.
Donika Gërvalla në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, i kishte mbledhur mbi 30 mijë vota më shumë
se kandidati për kryeministër i AAK-së. Pra, atij me ia shtu edhe 30 mijë vota e s’e mbërrin
Donikën.
Kurse edhe Mimoza si kryetare e Alternativës, në zgjedhjet e vitit 2021, larg kishte lënë prapa dy
kandidatët tjerë, kinse kandidatët tjerë për kryeministëra, nga PDK e LDK, duke qenë me vota
gati dyfish më shumë se njëri prej tyre, e më shumë se dyfish se tjetri prej tyre.
Pra, edhe Donika, edhe Mimoza, kishin shumë më tepër vota sesa të tre këta kandidatët për
kryeministra të partive opozitare në 2021-shin. Këto janë larg më lart se ata, sepse janë
gjithmonë pranë jush.
Saranda Bogujevci:
Si deputete dhe Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka treguar se me përgjegjësi të lartë dhe
zemër të madhe mund të sjellim ndryshime gjigande. Si kryesuese e delegacionit të Kosovës në
Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ajo ka kontribuuar fuqishëm në fuqizimin e
Republikës sonë në arenën ndërkombëtare.
Si anëtare e grupit për hartimin e konceptit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri,
Saranda ka punuar për të institucionalizuar kujtesën tonë kolektive. E ky angazhim ka sjellë
vendimin e qeverisë për krijimin e këtij muzeu, si dëshmi e krimeve monstruoze të Serbisë
gjenocidale, por dhe të triumfit të Kosovës, të cilën ajo e gëzon sot me liri e me shtet, por pa e
harruar asnjëherë se nëpër çfarë kemi kaluar për të mbërrirë te kjo ditë.
Me plagët e 16 plumbave nga masakra e 28 marsit të vitit 1999, Saranda është grua e fortë, është
zë i fuqishëm për të drejtat dhe drejtësinë. Ajo është shembull e frymëzim se si e kaluara të
kthehet në forcë, për një të ardhme më të mirë.
Saranda Bogujevci, dëshmitare e luftës dhe dëshmi e fitores sonë, mishërim i forcës, i qëndresës
dhe i guximit të grave shqiptare, në listën tonë e ka numrin 11.
Albulena Haxhiu:
Ne kemi thënë në vazhdimësi se gratë, rinia dhe mërgata janë kategoritë të cilat i kanë prirë
ndryshimit në vend. Andaj, kemi themeluar organin e Rinisë për VETËVENDOSJE!, por edhe
atë të Grave për VETËVENDOSJE!, të cilën e kemi përparuar nën udhëheqjen e Albulena
Haxhiut, e cila edhe si Ministre e Drejtësisë ka dëshmuar përkushtim të palëkundur për forcimin
dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Ajo është në ballë të reformave, për vazhdimin e të cilave ne nuk heqim dorë. E si Koordinatore
Nacionale kundër dhunës ndaj grave, ajo i ka forcuar mekanizmat institucional për mbrojtjen e të
drejtave ndaj grave dhe ka bërë politika konkrete për të parandaluar dhunën ndaj tyre.
Për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për një shoqëri ku çdo grua dhe çdo vajzë ka të drejtë të jetojë
e lirë e të ëndërrojë pa frikë. Ajo është zonja jonë e hekurt, që mision e ka drejtësinë, vizion e ka
shoqërinë të drejtë e për të gjithë, e në listën tonë e mban numrin 5.
Artane Rizvanolli:
Me përkushtim dhe kompetencë të lartë, si Ministre e Ekonomisë ka ndërmarrë reforma të
rëndësishme, për një sektor energjitik të pavarur, të qëndrueshëm dhe më efiçent për qytetarët
dhe bizneset. Me Artanen, për herë të parë në vendin tonë, u kemi dhënë mbështetje të veçantë
nënave vetushqyese. Me skemën e subvencionimit të pajisjeve efiçente – edhe kjo sallë “1
Tetori” ku ndodhemi tani, është e ngrohtë për shkak të masave të ndërmarra nga ministria që
drejton Artania.
Ajo është po ashtu edhe më meritorja që morëm grantin 202 milionë dollarë nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, për bateritë akumuluese që na ndihmojnë për akumulimin e energjisë së
gjeneruar nga burime të ripërtërishme, por edhe për ta balancuar sistemin tonë elektroenergjitik.
Përkushtimi i Artanës për rimëkëmbjen e ndërmarrjeve publike dhe përmirësimin e shërbimeve
për qytetarët, tregon një qasje pragmatike dhe të bazuar në analiza të thelluara. Humbjet e
përgjithshme të Telekomit, të Valës për periudhën 2016-2020 kanë qenë mbi 126 milionë euro,
kurse të postës për të njëjtën periudhë ishin mbi 7.3 milionë euro. E me qeverisjen tonë, me
Artanën ministre, Telekomi i Kosovës për vitet 2023 dhe 2024 ka realizuar 15 milionë euro
fitim, e për më tepër, sivjet kemi mbulueshmëri në krejt territorin e Republikës, cep më cep me
rrjetin 5G ose 4G+. Ndërkaq, Posta vitin e kaluar e ka mbyllur me afër 350 mijë euro fitim, për
herë të parë prej vitit 2012.
Pastaj Ibër-Lepenci, nga 2.9 milionë euro humbje, siç e kemi gjetur në vitin 2021, vitin e kaluar e
ka mbyllur me rreth 1.6 milionë euro fitim.
Artania është heroina jonë e heshtur, që ju ftoj ta bëni të dëgjohet më 9 shkurt dhe mban numrin
15 në listën tonë të përbashkët.
Arbërie Nagavci:
Përgjatë mandatit, ministrja Nagavci ka ndërmarrë reforma e politika të rëndësishme, që kanë
ndikuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit. Problemi i arsimit është strukturor dhe kërkon
shumë kohë, por rezultatet kanë filluar sigurisht që të shihen tashmë. Politikat për arsim veçse po
japin rezultate konkrete, sikurse në arsimin e lartë.
Bazuar në ranglistën e platformës Webometrics, vetëm vitin e fundit Universiteti i Prishtinës
është ngritur për 412 vende, ndërkaq përmirësime edhe shumë më të mëdha kemi pasur në
universitetet tjera publike të Republikës së Kosovës.
Skema e bursave STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, ka nisur si politikë e re
për të rritur numrin e vajzave që studiojnë në këto fusha e ku MASHT-i ka ndarë 6605 bursa për
vajzat studente.
Me Arbërien ministre, po e bëjmë arsimin dual. E kemi filluar me 4 profile në 4 shkolla të 3
komunave dhe 107 nxënës, sivjet në vitin e tretë akademik ai po gjen zbatim në 12 profile, 25
shkolla, nga gjithsej 15 komuna me 1607 nxënës, e në mandatin tjetër do t’i shtojmë edhe 10
profile të reja të arsimit e aftësimit profesional, përkatësisht të sistemit dual, që lidh tregun e
punës me shkollën, ashtu që për çdo diplomë shkolle të kemi një vend pune.
Me Arbërien Ministre të Arsimit po ashtu kemi filluar rishikimin e teksteve shkollore, fillimisht
atë të matematikës dhe të gjuhës Shqipe, teksa kemi unifikuar abetaren me Shqipërinë. Deri në
vitin 2021, fëmijët në klasë të parë në Shqipëri e në Kosovë i kanë pasur dy abetare. Prej vitit
2021, me Arbërien ministre e kemi një abetare të unifikuar anembanë.
Si deputete, Arbëria kishte propozuar amandament për ndërtimin e Observatorit dhe
Planetariumit të parë në Kosovë, e vitin e kaluar si ministre ajo e përuroi atë, në Rashincë të
Shtimes. Ky projekt unik është dëshmi e vendosmërisë së grave, për të cilat as qielli nuk mund të
jetë kufi.
Arbëria e ka numrin 14 në listën tonë të fitores, më 9 shkurt, në numrin tonë të përbashkët 1-1-8.
Rozeta Hajdari:
Për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e Kosovës si një ekonomi e qëndrueshme dhe
konkuruese, merita të veçanta ka ministrja Rozeta. Që nga emërimi i saj si ministre në vitin
2020, ajo ka marrë vendime strategjike për të ndalur korrupsionin e keqpërdorimet financiare në
ndërmarrjet publike. I ka mbrojtur interesat e Kosovës, i ka luftuar abuzimet dhe ka reformuar
tregun e naftës, të duhanit e të ndërtimtarisë.
Duke rritur inspektimet e duke dërguar qindra biznese të Kosovës në 51 panaire anembanë botës,
Rozeta ka krijuar një mjedis më të favorshëm për biznese dhe qytetarët, për prodhimtarinë dhe
eksportin, për një ekonomi moderne të orientuar drejt rritjes së mirëqenies në Republikën tonë.
E së fundmi, nën udhëheqjen e saj Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje historike të
tregtisë së lirë me shtetet anëtare të shoqatës evropiane të tregtisë së lirë EFTA, me Zvicrën,
Norvegjinë, Islandën edhe Lihtenshtajnin, e kjo marrëveshje i liron prodhuesit vendorë nga
tarifat shtesë doganore, për t’i eksportuar mallrat e veta dhe u jep qasje më të mirë kompanive
tona, në krahasim me kompanitë e vendeve të tjera, të cilat nuk kanë marrëveshje sikurse ne.
Për më tepër, Kosova është vendi i vetëm në rajon, që me kërkesë e insistim të ministres Hajdari,
përveç marrëveshjes për tregti të mallrave, kemi marrëveshje të tregtisë edhe për shërbime. E
këtë marrëveshje do ta kishte lakmi çdo shtet e çdo ministër i tregtisë. E atë marrëveshje e kemi,
sepse Rozeta është ministrja jonë dhe tek lista 1-1-8 ajo mban numrin 16.
E përkrah Donikës, Albulenës, Mimozës, Sarandës, Arbëries, Artanës e Rozetës, janë edhe 34
gra e vajza tjera në listën tonë fituese të 9 shkurtit.
Më lejoni që para jush, t’i lexoj emrat e tyre:
Shqipe Mehmeti-Selimi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Edona Llalloshi, Fitore Pacolli-Dalipi,
Jeta Statovci, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Daulina Osmani, Dafina Gexha-Bunjaku, Arijeta
Rexhepi, Albena Reshitaj, Diana Qarkaxhiu, Arjeta Fejza, Adriana Matoshi, Liza Gashi, Leonora
Shabani-Bajraktari, Sanije Rexha, Jetmire Vrenezi, Hasime Tahiri-Hasani, Triera Kasumi-
Berisha, Labinotë Demi-Murtezi, Adelina Grainca, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Sibora Kadriu,
Vlora Limani-Hajnuni, Dafina Alishani, Arbresha Meha, Shqipe Isufi, Nora Fetoshi, Teuta
Mulaj, Fjolla Ujkani, Egzona Tërdevci, Drita Pajaziti, Brunilda Gjura dhe Fatbardha Zogaj-Reka.
Këtyre grave po ua dimë emrat e po ua themi emrat e mbiemrat. Por, ka shumë gra e vajza,
aktiviste e anëtare, simpatizante e mbështetëse, qytetare të Republikës sonë, brenda e jashtë
Kosovës, që punojnë e angazhohen pa u ndalur përditë, për fitoren e madhe të Lëvizjes
VETËVENDOSJE!. Jam i sigurt që nuk i njohim e nuk i shohim të gjitha, sepse ato janë shumë,
janë tepër shumë, janë pa numër shumë, por iu jemi thellësisht e përjetësisht mirënjohës e
falënderues për rolin e angazhimin, punën e kontributin e tyre.
Pra, ne jemi një koalicion, i cili nderon paraardhëset tona, nderon nënat tona, nderon nënat në
këtë Lëvizje, nderon edhe lëvizjet nëna të Lëvizjes sonë. Nderon nënat si Suzana Gërvalla, e
nënën si Xhemile Dehari, sepse ne kemi aq shumë nëna në Lëvizje, por i kemi edhe nënat e
Lëvizjes. Dhe mbi të gjitha e kemi Lëvizjen që është e nënave.
E nëpërmjet nënave dhe motrave tona, ne duhet ta shohim botën me sytë e tyre, përmes syve
tanë. Kemi për detyrë të ndërtojmë një shoqëri ku drejtësia dhe barazia nuk mbeten vetëm fjalë
apo tekst, por bëhen realitet i përditshëm për të gjithë.
Ne si VETËVENDOSJE! e kemi dëshmuar se jemi qeverisja ku dija dhe uniteti mbizotërojnë, ku
institucionet publike janë për qytetarët. Programi jonë për mandatin e ri jo vetëm që do të
vazhdojë t’i përkrahë gratë dhe vajzat si deri më tani, por do të vazhdojë të ndërtojë themele të
qëndrueshme për juve në drejtësi, arsim, shëndetësi, kulturë, sport dhe ekonomi. Mbi të gjitha e
para së gjithash ekonomi.
Të nderuara të pranishme, gruaja e Lëvizjes e ka bërë Lëvizjen të gruas dhe VETËVENDOSJE!-
n e ka shndërruar në lokomotivën e emancipimit për të gjithë Kosovën. Gruaja e Guxo-s, ka
guxuar e guxon, gruaja e Alternativës ka zgjedhur alternativën. Që të gjithë, secila e secili tash
jemi bashkë.
Progresi natyrisht që nuk ndodh vetë. Ai vjen me mobilizim, me pjesëmarrje, me vendosmëri!
Më 9 shkurt, çdo votë është aktivizëm, çdo votë është një hap tjetër në rrugën që kemi ecur
bashkë për Republikën.
Andaj, unë ju bëj thirrje, të dashura gra e vajza, që në veçanti t’i mobilizoni, t’i inkurajoni dy
kategori, nënkategori, të grave e vajzave tona në Kosovë: jepuni guxim vajzave që votojnë për
herë të parë dhe po ashtu, mbështetni e ndihmoni gratë e moshuara, plakat, që të mund ta
shprehin vullnetin e tyre e të dëgjohet edhe zëri i tyre.
E më 9 shkurt, çohuni herët, merrni nënat, motrat, vajzat, shoqet, gjyshet, dikush stërgjyshen,
vjehrrat, merrni edhe baballarët, merrni edhe vëllezërit, merrni edhe djemtë, merrni edhe shokët,
e dilni në votime dhe tregoni se gratë e Kosovës e kanë vendosur të lëvizin e të vendosin vetë!
Pra, më 9 shkurt, të gjitha në votime! Cep më cep Kosovës nga secila komunë, nga secili fshat,
secila lagje, në çdo shtëpi e në çdo rrugë, me vendosmëri, me guxim, me VETËVENDOSJE!-n,
për veten tuaj e për Republikën tonë, për numrin 1-1-8 që sjell barazi, liri, sovranitet dhe dinjitet!
Faleminderit shumë, për mbështetjen edhe të Lëvizjes, edhe të qeverisë! Ne zotohemi që do të
jemi përherë pranë juve e bashkë me juve!
Faleminderit! U jam mirënjohës sa s’thuhet! Natën e mirë e mirupafshim!



