Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në tubimin hapës të fushatës për zgjedhjet lokale
Nga çdo anë e Kosovës, qytetarë e përfaqësues, kryetarët tonë e kandidatët për asamble nga ora
17:30 janë mbledhur sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të ecur së bashku drejt sheshit
‘Skënderbeu’ këtu në kryeqytet. Ky parakalim nuk është vetëm një bashkim i zemrave dhe i
mendjeve tona, por edhe na tregon se ashtu siç parakalojnë fitimtarët e kësaj fushate, asisoj do
vijojmë me Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, të cilët do t’i presim me krenari në kryeqyteti të
Republikës si nikoqire e tyre. Të gjithë bashkë nga çdo komunë e Republikës, do punojmë për të
fituar.
Të nderuar kryetarë të ardhshëm të komunave tona, asambleistë të ardhshëm të kuvendeve
komunale,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar aktivistë, anëtarë e mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
I dashur Glauk, e dashura Albulenë, të dashur Dimal e Besnik,
Të nderuar miq nga Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës,
Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Besar Durmishi, Bekim Qoku, Adnan Azizi, Ardita Sinani, Enkel
Rexhepi, e Ragmi Mustafa,
Shumë të dashur qytetarë, të dashur pjesëmarrës, mirëmbrëma,
Mirë se riktheheni dhe mire se e rigjejmë njëri-tjetrin këtu në sheshin Skënderbeu të Prishtinës,
Në këtë shesh ku dikur jemi mbledhur për protesta e demonstrata kundër privatizimeve, kundër
korrupsionit e kundër përpjekjeve për copëtimin e Kosovës,
Në këtë shesh ku gjithmonë jemi mbledhur edhe për hapjet edhe për përmbylljet e fushatave tona
zgjedhore.
E sivjet VETËVENDOSJE!-a i bëri plot 20 vite prej se kur ka lindur. Pesë vitet e para ishim
subjekt jasht-parlamentar e opozitë jashtë sistemit. E gati pesë vitet e fundit qeverisim me
Kosovën, gjatë e mirë si askush tjetër para nesh. Njëkohësisht, tash e tetë vjet jemi subjekti më i
madh në vend e në Kuvend dhe më i votuari e më i dashuri në popull.
Shpesh kundërshtarët tanë të këtyre partive më të vjetra politike janë përpjekur të na ndalin. Por
ndryshimi nuk mund të ndalet. Sepse Lëvizja nuk mund të ndalojë. Besimi dhe vota e qytetarëve
nuk mund të mohohet. Dëshira juaj për përparim nuk mund të stopohet. E provuan siç e dimë në
vitin 2020, dështuan pak muaj më pas. Po e provojnë edhe sivjet në vitin 2025, do të dështojnë
sërish. S´na ndalin dot, të nderuar qytetarë, jo pse ne jemi të fortë, por për shkak se ne jemi të
drejtë. S’na ndalin dot jo pse ne jemi të ashpër, por për shkak se jemi të arsyeshëm. Jo pse ne
jemi me gjoks e me muskuj, por pse jemi me zemër dhe me mendje. Ne jemi si ju, duam një
Kosovë që zhvillohet me drejtësi. Duam një shtet që funksionon për popullin e vet. Duam një
qeveri që punon për të gjithë. E sot, po e hapim këtë fushatë për zgjedhje lokale, dhe unë jam
këtu qysh në fillim për të thënë një mesazh të qartë e kryesor: Jemi lodhur nga komunat dembele
– duam komuna që sjellin modernizim, zhvillim, mirëqenie, pastërti e siguri. Ka ardhur momenti
që qeverisja e mirë, qeverisja e kujdesshme, qeverisja e cila dëgjon qytetarin, të shtrihet edhe në
nivelin lokal.
Vetëm paramendojeni, sa shumë projekte të mira, sa shumë vepra do të mund të bëheshin, kur të
bashkohet qeveria e mirë qendrore me qeverinë e mirë lokale. Vetëm përfytyrojeni sa investime
do të mund të realizoheshin aty ku kryetari do ta kishte interesin kryesor bashkëpunimin me
Kryeministrin e jo sabotimin e tij.
Ne vijojmë aleancën dhe bashkëpunimin tonë të frytshëm me Partinë Guxo të drejtuar nga
Donika Gërvalla Shëarz dhe Faton Peci dhe me Partinë Alternativa të drejtuar nga Mimoza
Kusari Lila, për kandidatët për kryetar e për kuvendet komunale gjithandej Kosovës.
Të dashur pjesëmarrës, aktivistë e qytetarë, është momenti të mendojmë mirë për komunat tona.
Neve si qeveri e Republikës e mua si kryeministër na duhen kryetarë që na vijnë me kërkesa
konkrete, nuk na duhen kryetarë të cilët përtojnë, sabotojnë, i ikin përgjegjësisë. Kryetarë që
punojnë ditë e natë, e jo kryetarë që ankohen orë e ças.
Komuna është e përbashkëta, është bashkësia jonë më konkrete, është vend ku duhet të punohet
për të përmbushur nevojat tona kolektive. Nuk ka shumë vend për politika abstrakte nëpër
komunat e shetit tonë. Tema e ditës në komunat tona duhet të jetë infrastruktura, kanalizimet,
trotuaret, ujësjellësi, gjelbërimi, pastrimi i mbeturinave, qentë endacakë, parkimi, ndriçimi i
rrugëve të fshatrave e të lagjeve, zbukurimi i shesheve për festa, transporti publik dhe transporti
privat, lejet e ndërtimit, dhe natyrisht plani urbanistik që duhet të balancojë edhe nevojën e
komunitetit për ndërtime e banime të reja, por edhe domosdoshmërinë për të ruajtur hapësirat e
gjelbra dhe proporcione të bukura. Sa për kryetarët që kemi patur deri tani, nuk dua të merrem
shumë më gjatë me ta, por nëse hidhni sytë në lagjet e reja të qyteteve do të vini re diçka
medoemos: shumë ndërtesa të reja, por shumë pak bukuri. E pra e reja do të duhet të ishte e
bukur. Si kanë mundur këta që edhe të renë ta bëjnë të shëmtuar? E vetmja gjë që mund ta bëjë
edhe të renë të shëmtuar, është lakmia. Kësaj duhet t´i vëmë kufi, e prandaj i kemi këtu
kandidatët tanë për kryetarë komunash: njerëz që kanë ambicie për të zhvilluar qytetin dhe
fshatin, por jo lakmi për të mbushur xhepin. Njerëz prioriteti i të cilëve është puna për qytetarët
dhe jo spektakli i pushtetarit.
E mbi të gjitha, kandidatët tanë janë njerëz që vijnë prej jush të dashur qytetarë. Të hapur për të
dëgjuar mendimet dhe nevojat tuaja, për të qeverisur së bashku me ju. Ky është modeli që ne
kemi dhënë edhe si qeveri, ku i kemi pritur e i kemi dëgjuar vazhdimisht qytetarët nëpër zyrat
tona. Patjetër se edhe komunat tona do ta kenë derën e hapur, për të rinjtë e të rejat, për gratë dhe
burrat, për pleqtë e plakat, për fshatarët dhe qytetarët e organizuar sipas lagjeve e rrugëve ku
banojnë. Sepse populli është garancia më e mirë për funksionimin e komunës: atje ku kryetari
bëhet mbret, komuna ngelet e mbyllur jashtë zyrës së kryetarit.
Andaj programi ynë në të gjitha komunat do t’i ketë planet për mësimin gjithëditor, për artin dhe
sportin në shkolla, për mjekun e familjes, për poliklinika, për kuzhinën qendrore, për transportin
publik, për banimin e përballueshëm, për bizneset e të rinjve, për mbështetjen e vajzave dhe
grave, për sigurinë në shkolla e në lagje, për buxhetimin që vendosin qytetarët, për ngrohjen, për
kanalizimin, për ujin e pijes, për transformimin e lagjes dhe për mbështetjen e familjeve, për
ekonominë e komunës, turizmin e agroturizmin, për mbështetjen e fermerëve të vegjël, për
sheshet, parqet e çarshitë, për historinë dhe trashëgiminë kulturore, për stadiumet e reja dhe për
qendrat sportive.
Të dashur qytetarë që me siguri na dëgjoni edhe në media e në platformat të rrjeteve sociale.
VETËVENDOSJE!-a, Lëvizja jonë e përbashkët 20 vjeçare, është një subjekt që ka arritur
rezultatet më të larta që asnjë parti tjetër nuk i ka arritur dot. Merita këtu është e gjitha e juaja, që
na keni mbështetur dhe na keni votuar. Por ka një arsye pse arriti VETËVENDOSJE!-a ka arritur
të thyejë këto rekorde historike dhe të bëhet kaq e madhe. Partitë e vjetra, kudo ku kanë
qeverisur, qoftë në qendër apo nëpër komuna, kanë krijuar një konflikt të rrezikshëm. Konfliktin
midis interesit privat dhe interesit publik. E kur ata drejtonin, këtë konflikt e fitonte gjithmonë
interesi privat i vetë atyre dhe i miqve të tyre. VETËVENDOSJE!-a ka sjellë ndryshim të madh
në dy aspekte. E para, ne nuk dëshirojmë konflikt dhe nuk nxisim konflikt mes privates dhe
publikes. Mendojmë se ka hapësirë të mjaftueshme, që të zhvillohet edhe privatja edhe publikja,
duke mbështetur njëra-tjetrës. E dyta, ne kurrë nuk e dobësojmë publiken, interesin tonë të
përbashkët, për t´ia përmbushur dëshirat apo xhirollogarinë dikujt. Kjo qasje e jona është arsyeja
pse populli na ka mbështetur dhe vazhdon të na mbështesë kaq shumë. Jo Privatja kundër
Publikes, por Privatja në shërbim të Publikes dhe Publikja në ndihmë të Privates, së bashku drejt
zhvillimit. Këtë koncept dhe këtë parim, ka ardhur koha ta zbatojmë edhe në të gjitha komunat e
Republikës së Kosovës.
Të dashur aktivistë që jeni sonte këtu. Është koha të takohemi me qytetarët derë më derë dhe
dorë më dorë. Këto zgjedhje janë një betejë e veçantë. Ju i shihni si janë shumë nga komunat sot.
Ato janë të lidhura dhe të bllokuara prej interesave private të klaneve të caktuara dhe prej
drejtuesve të korruptuar. Komunat kanë mbetur bastioni i vetëm i korrupsionit kundër qeverisjes
tonë të mirë. Me komunat duan të na bëjnë bllokada. Por ne duhet t´i tejkalojmë këto pengesa,
dhe me punën tonë prej aktivisti shoqëror e kombëtar e qytetar, duhet t´i thyejmë këto bllokada.
Sot Lëvizja jonë i ka njëzet vjet, e njëzetvjeçarët janë energjikë, me ide të reja, kreativitet cilësor
dhe me dëshirë për ndryshim. Ata shumica janë ose duke u përgatitur për provimet e diplomimin,
ose duke u përgatitur për intervistat e punës, që të nisin jetën e tyre profesionale. E pra, provimi
ynë kryesor, të dashur aktivistë, janë pikërisht këto zgjedhje lokale.
Kundër nesh do të shpenzohen shumë para. Janë ato edhe para të krimit e të korrupsionit të
viteve të kaluara. Janë paratë e juaja të vjedhura prej atyre. Janë paratë që ne, me qeverisjen tonë
të mirë, kemi filluar t´i kthejmë te ju apo t´i investojmë për zhvillimin e Kosovës. Me para që
kanë vjedhur prej jush, ata do të blejnë emisione televizive dhe reklama të shtrenjta. Do të marrin
kompani marketingu, do të shpikin rrena e do të sajojnë shpifje, do të paraqesin projekte
madhështore. I kemi parë edhe më përpara ato projekte si fotografi e rendera, por kurrë nuk i
pamë të realizojnë ndonjë gjë. Ata do të shpenzojnë shumë para, por ka ardhur koha që ata të
kuptojnë diçka: qytetari i Republikës e shqiptari patriot as nuk blihen e as nuk shiten. Nga Sharri
e deri në Leposaviq, nga Juniku e në Kamenicë, nga Prishtina e madhe e deri te Kllokoti i vogël,
nga Prizreni historik Peja e bjeshkëve e Gjakova e kuqe e deri te Ferizaji dhe Gjilani modern,
nga secili fshat e qytet, ne do ta japim këtë mesazh: zemrat tona nuk i blini dot, mendjen tonë
nuk e thyeni asnjëherë. Ne së bashku e kemi shpëtuar Kosovën nga prangat e korrupsionit dhe
nga tendencat për ndarje, prandaj jemi ne që sërish së bashku duhet ta çlirojmë e do ta çlirojmë
secilën komunë nga prapambeturia e hajnia e partive të vjetra. Ka ardhur koha që në komunat
tona të fitojë subjekti që pasurinë nuk e mat me konto bankare, por me zhvillim ekonomik.
Subjekti që zhvillimin nuk e sheh te betoni i vrazhdë, por te gjelbërimi e modernizimi. Subjekti
njëzetvjeçar, subjekti më i madh, subjekti më i ndershëm, më idealist, më punëtor, më i
sjellshëm, më modest, pra Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Të nderuar pjesëmarrës,
Komuna, secila komunë është njësi e veçantë administrative. Por Lëvizja VETËVENDOSJE!
secilës komunë, i jep përmasa të veçantisë politike. Raporti i shtrembëruar mes komunave të
korruptuara dhe pushtetit tonë qendror anti-korrupsion, do të drejtohet vetëm kur edhe në
komuna të kemi udhëheqës të pakorruptuar. Ne kemi nevojë për kryetarë komunash që
bashkëpunojnë me qeverinë. Ne nuk na duhen pushtetarë që përjashtojnë qytetarët nga
vendimmarrja, por na duhen kryetarë që bashkë me qytetarët vendosin për të bërë punë dhe vepra
të mëdha e të vogla gjithnjë në shërbim të qytetarëve. Shikoni arritjet në komunat ku ka drejtuar
VETËVENDOSJE!-a. Shikojeni Gjilanin, Podujevën, Shtimen, Kamenicën. Shikoni madje edhe
Leposaviqin, por edhe Mitrovicën e Veriut që është një komunë me territor të vogël e të kufizuar.
Sa shumë projekte të realizuara mirë, sa shumë zhvillim dhe modernizim, pavarësisht
skepticizmave e pengesave. Këto duhet të jenë shembujt për të paramenduar të ardhmen, kur me
siguri kryetarët nga VETËVENDOSJE!-a do t´i kemi në një numër shumë më të madh komunash
në Kosovë. Angazhohuni pra, të dashur aktivistë të Lëvizjes, që edhe komuna e juaj të jetë pjesë
e zhvillimit të shpejtë e të drejtë, e të mos mbetet pa e kapur trenin e progresit, ku lokomotiva do
të jetë padyshim kryeqyteti, Prishtina, e që do të ketë për kryetar një nga ministrat më të
suksesshëm e më punëtorë që Kosova ka patur ndonjëherë, Hajrulla Çekun.
E në prezantimet e shkurtra të kandidatëve për kryetarë të komunave, të kryetarëve të ardhshëm
të komunave nga VETËVENDOSJE! le t’ia fillojmë pikërisht nga Hajra i Prishtinës që do ta bëjë
Prishtinën e Hajrit.
Të nderuar pjesëmarrës, të dashur qytetarë,
Në këtë tubim kemi edhe Hanin e Elezit me listën për Kuvend Komunal që e udhëheq Medina
Imishti, dhe ku ne e mbështesim kandidatin e pavarur, Rufki Suma për kryetar të Komunës.
Si dhe Kllokotin me listën për Kuvend Komunal që e udhëheq Admirim Etemi.
Të nderuar qytetarë, banorë fshatrash e qytetesh. Zonja e zotërinj, motra dhe vëllezër, shoqe dhe
shokë. Aktivist apo votues. Të moshuar e të rinj. Na duhet jetesë e re, prandaj na duhet kryetar
më i mirë. Na duhen rrugë e trotuare, parqe e lulishte, shkolla e çerdhe, transport modern e
qarkullim i hapur, qendra mjekësore, e investime të reja në infrastrukturë e ekonomi. Ne së
bashku e dimë çka na duhet. Ne së bashku e dimë kush mundet. Ne së bashku e dimë kush ka
vullnet dhe dije. Prandaj, në datën 12 tetor, pasnesër kaër javë, sot një muaj, të gjithë së bashku
të shkojmë ta votojmë opsionin që na duhet, kryetarin që mundet, që ka vullnet e që ka dije, e ai
kryetar e ka numrin 105, dhe i përket Lëvizjes sonë kombëtare e përparimtare, zhvilluese dhe
modernizuese, Lëvizjes së dashur e të besueshme VETËVENDOSJE!. Të gjithë juve, secilës e
secilit ju uroj një fushatë të mbarë, e do të jemi çdo ditë bashkë, gjithandej deri në fitore. Ju
falemnderit, natën e mirë e mirupafshim.