08 12 2015

Akademia e shantazhuar mbështet përjashtuesin e opozitës

Sot, kryetari i SHIK-ut të dyshuar por të pahetuar, njëkohësisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me disa vartës të tij vizituan ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kryetari i kësaj Akademie, Hivzi Islami, kurrë nuk e ka përdorur prestigjin që ia jep institucioni të cilin e drejton për të kritikuar korrupsionin endemik dhe kapjen e shtetit prej kriminelëve të të gjitha llojeve. Ai kurrë më parë nuk ka folur për pushtimin partiak të institucioneve të pavarura, që nga gjyqësori e deri tek arsimi. Ky kryetar akademie kurrë nuk ia ka bërë një kritikë serioze shkatërrimit të kulturës, edukimit, shkencës edhe artit që vjen si pasojë e keqqeverisjes dhe e mentalitetit uzurpator që ka mbizotëruar në qeveritë e Kosovës prej pasluftës e deri tash. Hivzi Islami, i cili sot bën thirrje për “zgjidhje institucionale”, kurrë nuk e ka bërë një analizë kritike, apo qoftë edhe mbrojtëse të procesit të negociatave, apo të dy marrëveshjeve të fundit për Zajednicën e Demarkacionin, dy marrëveshje prej të cilave nuk humb opozita, por humb shumë gjithë Kosova.

Megjithatë, ky kryetar i heshtur i kësaj Akademie të fjetur, sot e ka përdorur autoritetin dhe prestigjin e postit të tij për të kërkuar dy gjëra.

Së pari, Hivzi Islami ka kërkuar rehabilitimin e një personi si Kadri Veseli, i cili ka futur në sallën e Kuvendit truproja, policë specialë e njësi të sigurimit, për të bërë presion mbi opozitën. Është i njëjti person që ka urdhëruar nxjerrjen e gjithë opozitës prej Kuvendit, dhe që ka futur në burg deri më tani tetë deputetë të opozitës. Hivzi Islami pra, sot i doli në krah dikujt që i ka drejtuar tytat e armëve opozitës, dhe e ka trajtuar atë si armike, duke shkatërruar kështu demokracinë.

Dhe së dyti, Hivzi Islami sot ka kërkuar më shumë mbështetje financiare, pra më shumë para për Akademinë. Këto para ia ka premtuar edhe Kadri Veseli, edhe vartësi i tij Arsim Bajrami.

Nuk mundemi të bëjmë gjë tjetër, veçse të ndjejmë keqardhje për derexhen ku e ka katandisur ASHAK-un kjo klasë kriminale pushtetarësh.

Kontribo