08 01 2020

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! urojnë një mbrëmje të gëzuar të ndërrimit të viteve për këdo që e lexon këtë mesazh.

Viti që po shkon pati gëzimet e trishtimet e veta. E përjetuam të gjithë dhimbjen për viktimat e tërmetit në Shqipëri, e menjëherë u organizuam për të ndihmuar me çka patëm mundësi. Rreth 400 tonë ndihma janë dërguar në vendet e prekura nga tërmeti dhe në kampet e strehimit. Shumë prej të pastrehëve i ndihmuam të strehohen në shtëpitë tona e ato të qytetarëve vullnetmirë. Për t’u përmendur është dhe Komuna e Prizrenit, e cila nën drejtimin e aktivistit Mytaher Haskuka, së bashku me shumë aktivistë të tjerë, vuri në dispozicion një kamp me kushte optimale për strehimin e qindra të prekurve nga tërmeti.

E momenti më sfidues i vitit, për ne si aktivistë, ishin zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit dhe fushata që u parapriu. Një fushatë e karakterizuar nga kontributi i madh vullnetar dhe aktivizmi, një fushatë me të cilën e çuam mesazhin dhe programin tonë në secilën lagje e fshat, duke fituar përkundër parashikimeve të sondazheve, shpenzimeve të milionave, cinizmit e sulmeve të porositura mediale, dhe blerjes së votave e influencës korruptive të forcave të vjetra. Ishte puna e të gjithëve ne, bashkuar me nevojën urgjente të popullit për ndryshim, që e prodhoi rezultatin e shkëlqyer të 6 tetorit, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi me mbi 15.000 vota diferencë nga subjekti i dytë, duke i dhënë njeriut më të votuar në Kosovë, aktivistit Albin Kurti, mandatin për të krijuar qeverinë e ndryshimit e të zhvillimit.

Në vitin e ardhshëm zotohemi se modestia dhe puna pa mburrje e pa zhurmë do të jetë synimi ynë, kudo e sido që të ketë nevojë Lëvizja, shoqëria e kombi ynë.

Urojmë që ky vit t’u sjellë shëndet të sëmurëve, mirëqenie atyre që janë në situatë të vështirë ekonomike, afërsi atyre që kanë pritur me mall të shohin të dashurit e tyre që janë në mërgim, si dhe drejtësi, punë, dashuri e gëzim për të gjithë njerëzit.

Gëzuar Vitin e Ri 2020

Kontribo