28 11 2014

Albin Kurti, 28 nëntor, Prishtinë

“Shumica dërmuese e mallrave që i konsumojnë shqiptarët nuk janë të prodhuara nga shqiptarët. Kjo mund të ndryshohet dhe duhet të ndryshohet. Përveç se gjuhë dhe flamur, përveç se kulturë dhe histori, kombi është edhe ekonomi. Ndërkaq, ekonomia kombëtare, dihet se para së gjithash dhe mbi të gjitha është prodhim. Prodhimi do të na bëjë të barabartë edhe me të tjerët, ashtu sikurse rishpërndarja na bën të barabartë brenda vetes. Fushata “Blej Shqip” ka filluar në vitin 2009, dhe, ja ku jemi 5 vjet më vonë duke e shndërruar atë në nivel institucional të bashkëpunimit midis Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik; midis Komunës së Prishtinës në Kosovë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Shqipëri; midis Kryetarit Ahmeti dhe Ministrit Ahmetaj.

Sot është dita e kombit shqiptar, është dita e bashkimit të shqiptarëve. 28 nëntori është datë themeltare e identitetit tonë që na bën të jemi ata që jemi dhe është datë me të cilën mund të ecim dhe duhet të ecim përpara.

Ne kemi nevojë që kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është kufi i Serbisë dhe i Jugosllavisë, sepse nuk është kufi i shqiptarëve, ta eliminojmë edhe në aspektin praktik e njerëzor, por në të njëjtën kohë ta eliminojmë edhe në aspektin ekonomik dhe institucional. Unë besoj që një qeveri e ardhshme VETËVENDOSJE!-s do ta bënte edhe këtë gjë, ndërkohë që me qeveritë e pasluftës nuk e kemi parë deri më tash. Besoj që dallimet midis Kosovës dhe Shqipërisë, ndarjet ekzistuese midis Kosovës dhe Shqipërisë, mirëmbahen prej atyre që përfitojnë financiarisht dhe ekonomikisht nga kjo gjë. Mirëpo, në Kosovë duhet të ndodh një përmbysje e këtyre konjukturave, të cilat përfitojnë nga dallimi Kosovë – Shqipëri dhe një ardhje e brezave të rinj edhe e politikanëve, të cilët do të bëjnë që të përfitojë populli nga bashkimi kombëtar.”

Kontribo