05 09 2019

Albin Kurti kandidat për Kryeministër të Republikës

Lëvizja, përmes organit më të lartë vendimmarrës, Këshillit të Përgjithshëm, vendosi që në zgjedhjet e 6 tetorit të mandatojë për kryeministër njeriun më të votuar në Kosovë, aktivistin e shquar dhe politikanin shembullor, Albin Kurtin. Kryetari Kurti u votua nga të gjithë pjesëmarrësit, me kërkesën unanime, që të na prijë drejt fitores e ta sjellë kthesën kah e mbara, që Kosovës i duhet kaq shumë.

Duke iu drejtuar delegatëve dhe qytetarëve Kryetari i Lëvizjes shfaqi bindjen se një përmbysje e madhe në politikën e vendit po ndodh me këto zgjedhje. Është përmbysja e kapjes së shtetit dhe e logjikës së korrupsionit, karakterizuese e partive të vjetra. Për këtë fushatë, në këto zgjedhje dhe vitet e ardhshme të qeverisjes Kryeministri i ardhshëm Kurti kërkoi që ndryshimi të bëhet së bashku dhe me ndihmën e qytetarëve.

“Më ndihmoni që të fitojmë me një diferencë të madhe në mënyrë që ndryshimi të jetë i madh dhe fitorja të jetë masive. Më ndihmoni të çlirojmë shtetin nga kapja. Më ndihmoni ta luftojmë pabarazinë, nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Më ndihmoni të ndërtojmë një të ardhme ku të gjithë jetojnë në paqe, në siguri dhe me dinjitet”.

Në Këshillin e Përgjithshëm pjesëmarrësit konfirmuan se VETËVENDOSJE! është Levizja e popullit për transformimin që ka nevojë Kosova. Albin Kurti është kandidati më i denjë që përfaqëson konsistencën politike, aktivistin e pathyeshëm dhe njeriun që mund të bëjë ndryshimin.

Po ashtu, Këshilli autorizoi Kryesinë e Lëvizjes për të bërë plotësimet e fundit në listën e kandidatëve për deputetë të miratuar në Këshillat e Qendrave të Lëvizjes dhe nga Kryetari Kurti.

Me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin na mbetet të themi na priftë e mbara e na priftë i mbari në këtë fushatë entuziaste.

Kontribo