ADRESIMI I KRIMEVE TË LUFTËS

Do të përkushtohemi në adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës (krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi), matjen e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në njerëz, komunitet, ambient dhe ekonomi e gjithashtu në përgatitjen e një platforme reparative për krimet e kryera gjatë luftës.


Prioritet i Qeverisë do të jetë përgatitja e padisë ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.


Qeveria në bashkëpunim me të gjithë personat dhe grupimet dhe organizatat për ngritjen në nivele ndërkombëtare të kërkimit të drejtësisë për krimet e luftës dhe gjenocidit në Kosovë, duke synuar anëtarësimin e Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe Konventën kundër Gjenocidit, si dhe mundësinë e ushtrimit të padisë së Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.


Për realizimin e këtyre synimeve, do të ndërmarrim hapat në vijim, me dedikim financiar adekuat dhe përgjegjësi institucionale për realizimin e këtyre pikave, duke mos përjashtuar ndryshime dhe plotësime në përputhje me kontekstin politik.


  • Themelimi me ligj, i financuar në mënyrë adekuate, i Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë.
  • Respektimi dhe zbatimi i gjykimit në mungesë të kriminelëve të luftës sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
  • Krijimi i një komisioni parlamentar të përhershëm për krimet e kryera gjatë luftës, krimet kundër njerëzimit, dhe krimin e gjenocidit dhe për dëmet e shkaktuara në Kosovë.
  • Fuqizimi i departamentit për krime lufte brenda Prokurorisë Speciale me një numër të mjaftueshëm prokurorësh dhe bashkëpunëtorësh të mirë-trajnuar.
  • Rishikimi i mandatit të departamentit special brenda Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit me qëllim të fuqizimit të tij dhe qartësimit të kompetencave për lëndët e prokurorisë speciale.
  • Krijimi i një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjensisë së Kosovës për Forenzikë, që i verifikon shkencërisht faktet dhe dëshmitë.
  • Miratimi i një legjislacioni të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve në Kosovë.
  • Krijimi i një dege të veçantë/katedre brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto çështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit.

Kontribo