E ARDHMJA

Në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes sociale prioritetet e Qeverisë sonë të ardhshme do të jenë si më poshtë:


Do ta krijojmë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore të Republikës së Kosovës. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre.


Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj do i kalojnë në pronësi Fondit Sovran.


Do të punojmë në krijimin e parakushteve që bëjnë të munur avancimin e sektorit privat në faktor kyç të zhvillimit dhe punësimit. Për komunitetin e biznesit angazhohemi që të sigurojmë një ambient të barabartë veprimi, se do ua largojmë monopolet zhvatëse e konkurrencën e padrejtë, dhe se do të kryejmë pagesat me kohë për secilin kontraktim nga sektori publik, se do angazhohem që të kemi një sistem edukimi që prodhon shkathtësitë që kërkohen prej tyre, furnizim me energji të vazhdueshme dhe të përballueshme, një administratë publike që i mbështetë e nuk u kërkon ryshfet e nuk iu vendos haraç. Sepse pa ryshfet në fillim, e pa haraç në fitim, duhet të jetë e ardhmja e bizneseve tuaja.


Për punëtorët e punëtoret ne do të sigurohemi që ta kenë të garantuar kushtet e dinjitetshme të punës. Ne do të marrim masa që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë. Gjithashtu do pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, me synim parandalimin e diskriminimit të punëmarrësve dhe parandalimin e rreziqeve në punë. Do të fuqizojmë bashkëpunimin me sindikatat duke inkurajuar dhe ndihmuar punëtorët për organizim sindikal në të gjitha nivelet e punësimit. Pagën minimale planifikojmë ta rrisim në 250 euro, për angazhimin prej 40 orësh në muaj. Paga minimale do të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale dhe që do të rishikohet vit për vit për të reflektuar ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend.


Pushimi i lehonisë dhe ai prindëror në total do të jenë 12 muaj, ku pjesëmarrës për pagesën do të jetë edhe shteti, dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit. Ndërsa për nënat që janë të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë do t’u paguajmë pagën minimale prej 250 eurosh.


Për të rinjtë e rejat e vendit tonë ne kemi planifikuar krjimin e Skemës së Punësimit të Garantuar, ku moshat 16-18 vjeç do të kenë mundësinë e përfitimit të pagës dhe vendit të punës të garantuar nga shteti deri në një vit të plotë. Kjo do krijojë ambientin e nevojshëm për të mbjellë shprehinë e punës tek ata.


Përveç kësaj, e kemi konceptuar një paketë, që na siguron se talenti, dija dhe puna e rinisë do të optimalizohet duke e vendosur shtetin tonë në hartën botërore të inovacionit dhe teknologjisë. Për përforcimin e kësaj politike do ta themelojmë e jetësojmë një tekno-park, një fakultet për teknologji informative dhe hapësira për start-ups.
Për vajzat dhe djemtë nga i gjithë vendi që orientohen nga ndërmarrësia në këtë fushë, do të vihen në dispozicion deri në 2 mijë grante në vit, me një vlerë totale prej 20 milionë euro, destinuar për qira dhe pajisje. Kështu, për herë të parë dhe për çdo vit, 2.000 grupe entuziastësh të rinj do t’i kenë kushtet për t’i avancuar idetë e tyre.


Ne do ta mbështesim pa rezerva qeverisjen vendore komunale. Për këtë kemi hartuar një politikë krejt të re e transformuese. Prej keqpërdorimit të buxhetit qendror e trajtimit të pabarabartë të komunave do të kalojmë te krijimi i “Grantit të katërt” për komunat, që do të jetë granti për investime kapitale. Përmes këtij granti, në katër vitet e ardhshme, komunave do t’u alokohen mbi 600 milionë euro, dhe komunat do të vendosin vetë për alokimin e këtyre shumave për projekte të ndryshme kapitale, prej sistemeve të ngrohjes qendrore, zhvillimit ekonomik lokal, turizmit rural, mbështetjes së projekteve inovative, sporteve, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, artit, infrastrukturës publike, furnizimit me ujë të pijshëm e kanalizime.


Për familjet e prindërit kemi hartuar planin e sigurimit të banimit të përballueshëm. Ky plan është konceptuar për shumë kategori shoqërore dhe grupe profesionistësh.


Ky plan i dedikohet çifteve të reja, grave kryefamiljare por edhe shërbyesve publik si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administratën publike. Gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4.000 familje.
Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.


Njëkohësisht do të fillojë zbatimi i Programit të shtesave për fëmijët. Ne duam ta adresojmë situatën tonë demografike, ta shtojmë solidaritetin dhe ta çlirojmë gruan nga barra e madhe në kujdesin brenda familjes. Të gjithë fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, shuma që përfitojnë do të jetë 10 euro në muaj. Shtesat për fëmijë do të paguhen në llogari të nënave anekënd Kosovës, do të lirohen nga çfarëdo obligimi tatimor si dhe nuk do të kihen parasysh gjatë përcaktimit të përfitimeve nga skemat tjera sociale në vend.


Të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulta, do të rimbursohen varësisht prej të ardhurave vjetore që familja merr. Nga 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro, dhe nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro.


Do të kujdesemi që për fëmijët të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar dhe 160 çerdhe në të gjithë vendin dhe shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Kjo e kombinuar me arsimimin cilësor, bursa studimore dhe kurrikula që janë në hap me kërkesat e ekonomisë do ta transformojnë sistemin tonë të edukimit. Duke i ditur kushtet dhe vështirësitë e mijëra familjeve e qytetarëve tanë për ta regjistruar në emër të tyre pronën e trashëguar, do të hiqen të gjitha pagesat dhe do të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e pronës. Ne do të bëjmë edhe rishikimin e tarifave për shërbimet kadastrale dhe ato noteriale sa i përket regjistrimit të pronës së paluajtshme.


Do të kujdesemi që frutet e rritjes së mirëqenies shoqërore të shpërndahen në mënyrë sa më të barabartë midis të gjithë qytetarëve të vendit. Krahas rritjes së përfitimeve nga skemat sociale, dhe shtimit të buxhetit familjar përmes shtesave për fëmijë, do të kujdesemi që të implementojmë programe të punësimit sezonal për nga një anëtar të familjes për të gjithë ata që janë të përfshirë në skemat sociale.


Përmes rishikimit të legjislacionit ekzistues do të kujdesemi që targetimi të përmirësohet në mënyrë që askush në nevojë të mos mbetet jashtë ombrellës së mbështetjes sociale. Do dizenjojmë intervenime shtesë që do shfrytëzojnë mundësitë për gjenerim të të ardhurave përmes aktiviteteve të kohëpaskohshme duke u kujdesur që të njëjtat të mos prekin përfitimet ekzistuese.



Për më të dashurit tanë, për të moshuarit që presin ndihmën tonë, do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbimet e përkujdesjes për ta.


Një qeveri e qytetarëve i ka sytë te më të rrezikuarit. Kështu që jemi përgatitur që ta rrisim si kurrë më parë angazhimin për t’i shkolluar në të gjitha nivelet fëmijët e të rinjtë nga komunitetet romë, ashkali e egjiptas. Ne e dimë që ka paragjykime por ato thyhen në shkollë e me shkollim.


Të vetëdijshëm që ndihma sociale nuk e transformon gjendjen ne do të veprojmë me dy hapa. Së pari do ta japim këtë ndihmë për familjet të cilët i kanë fëmijët nxënës nga parashkollori deri në klasën e 12-të. Dhe, hapi i dytë është aftësimi për punësim.


Për këtë na nevojitet dhe rritja e numrit të mësimdhënësve nga radhët e komuniteteve në nevojë.


Ne do ta ndërrojmë në themel politikën e granteve dhe subvencioneve. Mbështetja financiare do të shtrihet deri te përpunimi i ushqimeve duke siguruar këshillim dhe orientime në prodhime me potencial të lartë ekonomik. Do t’i sigurohet treg prodhimit të subvencionuar, e do ta jetësojmë sigurimin e prodhimit.


Në mënyrë që të sigurojmë një treg vendor që nuk përbuz mundin e fermerëve, do të sigurohemi që të ketë çmim dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale kësisoj, shteti garanton blerjen në njërën anë dhe mbush rezervat shtetërore në anën tjetër.


Do të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, që i hap Kosovës mundësi shtesë për të përfituar mbështetje në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe do ta financojmë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro.


Para mërgatës sonë zotohem se do jemi gjithmonë falenderues për mbështetjen e pa rezervë që na kanë ofruar sa herë që kombi ka pasur nevojë. Me qeverisjen tonë, mërgata do të avancohet në hisenik si të përpilimit të politikave tona ashtu edhe në implementimin e tyre. Nuk do ketë më karton të gjelbërt për mërgatën dhe nuk do ketë më maltretime për ta sa herë që duan të ushtrojnë apo konsumojnë të drejtat e tyre si qytetarë të republikës.


Qeveria jonë do ta trajtojë sportin si prioritet shtetëror. Do të financojmë projektet e qendrave multifunksionale sportive, me buxhet vjetor prej 15 milionë euro. Afër kryeqytetit do të ndërtojmë qendrën më të madhe multifunksionale, pjesë e së cilës do të jetë edhe stadiumi nacional, si dhe një program intensiv për të mbështetur financiarisht shkollat e sportit me theks edukimin sportiv të moshave të hershme. Përveç ndërtimit të stadiumit kryesor e të cilin do ta përfundojmë e funksionalizojmë, ne angazhohemi për edukimin e fëmijëve me sportin. Kjo na garanton që e zbulojmë dhe mbështesim talentin kudo që ai paraqitet në shkollat e sporteve.



Do të sigurojmë një model të ri të qeverisjes së resurseve tona minerare. Do të mundësojmë ringritjen dhe avancimin duke riparuar kapacitetet ekzistuese, duke futur teknologjinë e re dhe duke zhvilluar metalurgjinë dhe kiminë, vazhdimisht me planin e masave për mbrojtjen maksimale nga ndotja. Në Trepçë do ta shtojmë prodhimin e hulumtimin si dhe kualifikimin e punëtorëve. Zhvillimi i Trepçës është në mesin e hapave më të rëndësishëm për bashkimin e qytetit të Mitrovicës të ndarë në dy komuna.


Pakti ynë për mbrojtjen e mjedisit do të jetë udhëzues në mënyrë që të sigurohemi se rritja ekonomike do të shkojë krahas e jo në kurriz të mbrojtjes së burimeve tona natyrore. Do të avancojmë kornizën ligjore që mundëson mbrojtjen efektive të shtretërve të lumenjve si nga kapja ilegale e rrjedhave ujore, ashtu edhe nga keqpërdorimi i rezervuarëve natyrorë dhe artificial. Do të kujdesemi për një planifikim hapësinor që vendos rregullin për zhvillim ekonomik të baraspeshuar, shfrytëzim racional të resurseve dhe hapësirës, barazi, lëvizje të lirë, qasje të lehtë në shërbime publike dhe kohezion shoqëror.


Ne angazhohemi që deri në vitin 2025 ta zgjidhim çështjen e rrjetit të kanalizimeve në të gjithë vendin përfshirë dhe fshatrat tanë.


Korridoret rrugore kombëtare si Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë, Gjakovë-Shkodër, si dhe projektin për lidhjen hekurudhore Prizren-Durrës do t’i nënshtrohen planeve të detajizuara hapësinore.


Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë, kargo dhe për udhëtime me kosto të ultë. Shërbimet që lidhen me pjesën e dedikuar për FSK dhe veprimtari të ngjashme do të jenë të dedikuara për ta.


Kontribo