Më shumë punë, më shumë të drejta për punëtorët

Përveç të drejtë së votës në besojmë se vajzat dhe djemtë tanë duhet ta kenë edhe mbështetjen për punë të përshtatshme me moshën. Andaj për të mbjellë shprehinë e punës tek të rinjtë, ne zotohemi të krijojmë Skemën e Punësimit të Garantuar, ku të rinjtë e moshave 16-18 vjeç do të kenë mundësinë e përfitimit të pagës dhe vendit të punës të garantuar nga shteti për një vit të plotë. Skema e Punësimit të Garantuar do të përfshijë edhe punësimin e garantuar sezonal që do të mbulojë familjet me ndihmë sociale. Secilës prej këtyre familjeve do t’i garantohet për një nga anëtarët një vend pune me pagë të subvencionuar nga shteti për për një periudhë 3 deri në 4 muaj në vit.

Për ata që tashmë punojnë, shteti nën qeverisjen tonë do t’ua garantojë plotësimin e kushteve të dinjitetshme të punës. Ne do të marrim masa që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë pune të rregullta në javë. Për këtë do të sigurohemi duke hartuar një ligj të ri të punës. Ligji i ri do të përfshijë edhe pushimin e lehonisë e atë prindëror. Ne gjithashtu zotohemi se do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës për të parandaluar rreziqet e lëndimet në punë, ndërsa duke themeluar Gjykatën e Punës sigurohemi për trajtim me prioritet të kontesteve punëdhënës-punëmarrës. Mbrojtja e të punësuarit do të shtrihet edhe tek të rinjtë që punësohen për herë të parë, duke ua njohur edhe formalisht punën praktike. Me ligj të ri, Qeveria jonë do të fuqizojë bashkëpunimin me sindikatat duke inkurajuar dhe ndihmuar punëtorët për organizim sindikal në të gjitha nivelet e punësimit.

Kontribo