PRIORITETET

Me qeverinë e re do të hapim një faqe të re për vendin. Vendimet e veprimet tona do ta pasqyrojnë atë që shumëkush është duke e pritur. Ndershmëri e kurajo, program e mendim dhe përgjegjshmëri të lartë në drejtim.

Ashtu siç i kemi deklaruar shtyllat e programit tonë, ne do të qeverisim për afirmimin e parimeve të shtetit të së drejtës, shtetit zhvillimor dhe shtetit social. Qeveria e re do të udhëheqë me përkushtimin e mbrojtjes së interesit kombëtar e shoqëror, me vlerat e socialdemokracisë dhe në mbrojtje të sovranitetit e integritetit të Republikës së Kosovës.

Hapat e parë do t’i dedikohen zvogëlimit të shpenzimeve dhe posteve ministrore. Vendosjes para e mbi çdo kërkesë të politikave që e ngjallin punën, dijen e solidaritetin. Puna është koha më e madhe kolektive ku secili fiton dinjitet dhe të drejta. Arsimi është aktivizimi i aftësive dhe organizimi i talenteve për humanizimin e marrëdhënieve mes shoqërisë dhe shtetit. E, Mërgata është investimi i dijeve dhe i përvojave botërore në atdhe. Mbështetja e prindërve të rinj është kushti i parë i lehtësimit të edukimit.

Krijimi i kushteve për zhvillim e punë kërkon standarde të reja për qeverisjen e institucioneve, agjencive e ndërmarrjeve publike. Këto standarde i plotësojnë qindra profesionistë të lënë anash nga ish pushteti. E plot të tillë që sot ndodhen në mërgatën shqiptare. Andaj ata do të jenë menjëherë të ftuar për të kontribuar në këtë projekt ndryshimtar.

Që të zbatohen prioritetet tona dhe t’i mbërrijmë rezultatet do ta riorganizojmë rolin e qeverisë për zhvillimin ekonomik, politikën e jashtme, të drejtat e qytetarëve pakicë, drejtësinë e barazinë shoqërore, të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë Kosovës e Shqipërisë, administratën publike e veçanërisht për llogaridhënien tonë para jush.

Qeverisjet deri më tash edhe kur kanë menduar e planifikuar ato kanë qenë për veten a për të vetët e tyre. Qeveria e re mendimin e mundin do t’ia dedikojë vendimeve që ia rrisin dinjitetin shtetit e kombit ndërkombëtarisht, dinjitetin e shtetasit publikisht, dinjitetin e qytetarit lokalisht.

Prej prokurimit publik tek konkurset e ndarjet buxhetore ne duam e do të vendosim jo vetëm rregull por edhe cilësi. Ne nuk i lejojmë monopolet, as uzurpimin e licencave publike. Ne nuk e lejojmë zhvatjen e parasë publike, ne nuk do ta lejojmë nëpërkëmbjen e shpresave, kërkesave dhe punës suaj.

Me shumicën tonë në Kuvend do të sigurohemi që fondet nga buxheti mos të përfundojnë në parajsa fiskale jashtë vendit, aksionarë të fshehtë të kompanive offshore, shell, me aksionarë të dyshimtë si dhe në kompani që e kanë dëmtuar interesin publik. Buxheti publik nëpërmjet prokurorimit e drejtësisë në përzgjedhje do t’u ndihmojë ndërmarrësve të ndershëm që ndërtojnë e i shërbejnë publikut me aktivitetin e tyre.

Më shumë do të japim për më të dobtët, për më të përjashtuarit, për më të moshuarit, për më të lënduarit nga shtypja e padrejtësisë së krijuar në këto vite.

Pa vonesa do ta fillojmë dialogimin shoqëror si qeveri e re, me pakicat kombëtare që jetojnë këtu me ne. Sepse është vullnet i yni e detyrë shtetërore të sigurohemi që kemi garantuar të gjitha mundësitë për të jetuar e punuar bashkë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! siguron ndryshim. Ndryshim komplet të modelit qeverisës në vend. Politikat tona synojnë një ambient që prodhon rezultat inkurajues në statistikat e të ardhurës kombëtare dhe indikatorëve që e shoqërojnë atë. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeverisje, buxheti i shtetit do të riorientohet tërësisht nga shpenzimet e pamatura por korruptive të projekteve të mëdha e joprioritare drejt projekteve që drejtpërdrejtë zvogëlojnë papunësinë (e sidomos papunësinë te resursi jonë kryesor që është rinia) si dhe fuqizojnë gruan. Që avancojnë arsimin, shëndetësinë e ushtrinë. Rrisin punësimin e ulin varfërinë. Mbështesin inovacionin e ndërmarrësinë. Ofrojnë siguri për punëtorin e treg për fermerin. Stabilizojnë qëndrueshmërinë buxhetore dhe ulin korrupsionin. Në platformën qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE e gjen veten secili qytetar i Kosovës, si ata të shumicës ashtu edhe pjesëtarët e minoriteteve, si familja ashtu edhe individi, si ai që  jeton në Kosovë si ata që  janë  jashtë  vendit, si punëtori ashtu edhe fermeri, si i riu ashtu edhe gruaja.

Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, hapësira për ndikim duke shfrytëzuar paranë publike do të jetë e shtuar përmes disa kanaleve:

1) Duke mënjanuar praktikat korruptive, ne do të dëshmojmë se vëllimi i njëjtë i shërbimeve publike mund të ofrohet me kosto dukshëm më të ultë.

2) Duke mënjanuar detyrimet për bizneset që të paguajnë financa drejt burokratëve të korruptuar, ne ndikojmë drejtpërdrejt në performancën e tyre financiare që pastaj përkthehet në tatime, fuqi blerëse në treg dhe nivel tjetër të punësimit.

3) Duke zbatuar politikat tona të punësimit dhe fuqizimit të gruas, ne do ta rrisim shkallën e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore dhe punësimit që përkthehet në më shumë shkathtësi e produktivitet.

4) Riorientimi i shpenzimeve kapitale nga projektet e mëdha por pa ndikim në punësim dhe gjenerim të të ardhurave drejt sektorëve që në mënyrë intenzive përdorin burimet njerëzore do të mundësojë uljen e kostos së intervenimit publik të nevojitur për krijimin e një vendi të punës.

5) Përmes programeve sociale që targetojnë familjen dhe varfërinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë e rikanalizojmë fuqinë blerëse drejt prodhimeve vendore që nënkupton rritje të kërkesës por edhe të punësimit. Përmes uljes së varfërisë ndikojmë po ashtu edhe në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve me çka reduktohen edhe shpenzimet për shëndetësi.

6) Përmes investimeve në shëndetësi dhe intervenimeve në sistemin e arsimit do të ndikohet në rritjen e ndjeshme të aftësive për punësim të të rinjve dhe njëkohësisht edhe produktivitetin e tyre që pastaj nënkupton edhe fuqi shtesë blerëse në treg.

7) Duke përmirësuar dukshëm efiçiencën e administratës sonë dhe raporteve me mërgatën, sigurojmë më shumë investime nga jashtë që sjellin prodhim dhe punësim shtesë

8) Përmes granteve në bujqësi dhe çmimeve dysheme inkurajojmë ngritjen e prodhimit agrar në vend.

9) Përmes ngritjes së kapaciteteve të administratës tatimore dhe doganore dhe luftimit të pakompromis të praktikave korruptive do të rrisim nivelin e formalizimit të ekonomisë dhe ulim hendekun fiskal të vendit.

Të gjitha këto na hapin horizonte të reja dhe burime shtesë e të fuqishme të rritjes ekonomike të qëndrueshme. Kosova jonë pas katër viteve do të duket krejtësisht ndryshe nga ajo që qeveria në ikje na e ka lënë prapa. Ngjashëm do të ndryshojë edhe buxheti i secilës familje në vend. Bashkë është e mundshme, sepse: ERDHI DITA!

 

 

 

Kontribo