Rimëkëmbja e Arsimit

Për ne, arsimi është mundësi e madhe dhe burim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës. Brenda kësaj kornize, ne planifikojmë 6 zona të domosdoshme të transformimit: edukimin parafillor, tekstet e reja shkollore, shkollimin profesional, sistemin e bursave, arsimin e lartë pa pagesë dhe themelimin e fondit për hulumtime shkencore.

Jetësimi i projektit për edukimin parafillor në çdo komunë do të paraprihet nga një hap i rëndësishëm – heqja e pagesës për çerdhen e fëmijëve. Edukimi i hershëm është jetik andaj si pjesa tjetër e shkollimit duhet të jetë i mbuluar për çdo fëmijë që shkon në çerdhe.

Me tekstet e reja shkollore cilësisht të arrira, do të avancojmë arsimin parauniversitar dhe do të fillojmë planifikimin për shkollat digjitale.

Shkollat profesionale të mesme të larta do të ringjallen e modernizohen me mjetet, kurrikulat, tekstet, profilet dhe veçanërisht me programin e praktikës. Shtrirjen e rritjen e tyre do ta planifikojmë sipas strategjisë zhvillimore në këmbim me kërkesat e ndërmarrësisë.

Ne do të fuqizojmë e mbështesim me prioritet vajzat andaj zotohemi të sigurojmë 1000 bursa studentore për vajzat, me prioritet ato që zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore, brenda e jashtë vendit.

Ne qëndrojmë për Arsimin e lartë publik pa pagesë. Universitetet do t’i fuqizojmë drejt kërkimit shkencor me Fondin e Hulumtimeve që e themelojmë për herë të parë dedikuar kërkuesve, ligjëruesve, profesorëve e specialistëve mjekësorë.

Kontribo