SHKOLLA – EKONOMIA – UNIVERSITETI


Prioriteti ynë kryesor është përfshirja sa më e madhe e fëmijëve në edukimin e hershëm. Kjo do të arrihet duke ndërtuar objekte të reja të edukimit të hershëm, si dhe duke i përshtatur objektet ekzistuese e të pashfrytëzuara për këtë qëllim. Ndërkaq, masa kryesore do të jetë largimi i pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike. Ne do të përsosim kurrikulën në edukimin e hershëm duke e orientuar atë nga aftësitë vetërregulluese të fëmijëve dhe do të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme profesionale për mësimdhënësit në zbatimin e saj.


Në arsimin fillor do të ndryshojmë rrënjësisht paradigmën, duke e larguar notimin diferencial për klasat 1 deri 4 dhe për të zëvendësuar atë me vlerësimin formativ. Në arsimin parauniversitar logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik do të jenë pjesë e praktikave të mësimdhënies në të gjitha nivelet. Gradualisht, do të lëvizim në drejtim të digjitalizimit të arsimit dhe krijimit të klasave të së ardhmes.


Parakusht për rritjen e cilësisë në arsim është mbështetja e mësimdhënësve në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve. Ne do të krijojmë bibliotekat e mësimdhënësve në secilën shkollë duke i pajisur ato me literaturën relevante dhe të kohës. Për mësimdhënësit do të ofrojmë edhe banimin me kosto të përballueshme. Në bashkëpunim me mësimdhënësit do të sigurojmë një model të shpërblimit të performancës.


Një intervenim tjetër i rëndësishëm do të realizohet në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional. Ne do të nxisim sinkroninë mes arsimimit profesional dhe ekonomisë së vendit. Për këtë duhet t’i avancojmë profilet e shkollave të mesme profesionale me profesione për të cilat ka kërkesë për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Shkollat profesionale do të pajisen me punëtori për realizimin e punës praktike, ndërsa do të punohet me ndërmarrësit në organizimin e të mësuarit në vendin e punës.

Kërkimit shkencor do t’i hapet një perspektivë e re, që do të fillojë me përcaktimin e prioriteteve shtetërore. Universitetet do t’i fuqizojmë drejt kërkimit shkencor me Fondin e Hulumtimeve që e themelojmë për herë të parë dedikuar kërkuesve, ligjëruesve, profesorëve e specialistëve mjekësorë, hulumtime këto që do të kthehen në evidencë për politikbërjen.


Ne zotohemi se me shumicën tonë parlamentare dhe komptencat tona ekzektutive do të angazhohemi për të rishqyrtuar dhe miratuar politikat e sigurimit të cilësisë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Pavarësia profesionale dhe funksionale e Këshillit Shtetëror të Cilësisë është e pacenueshme. Ata do të kenë mbështetjen e qeverisë për kërkesat në burime njerëzore e buxhetore. Angazhimi ynë do të orientohet në rianëtarësimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR.



Ne jemi studentët tanë. Nuk mundemi të qeverisim pa studentët në mendje. Qeverisja do të stimuloj angazhimin e studentëve nëpërmjet punës praktike në të gjitha institucionet publike në vend. Ne do të lehtësojmë procedurat e angazhimit vullnetar të studentëve dhe do të njohim këtë angazhim si përvojë të punës. Ne jemi për arsim publik falas. Në institucionet publike do të hiqen tarifat për pagesën e semestrit. Buxhetimi i bursave studentore do të avancohet. Por ne planifikojmë që të fuqizojmë e mbështesim vajzat, andaj zotohemi të sigurojmë 1000 bursa studentore me prioritet ato që zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore, brenda e jashtë vendit.

Kontribo