SIGURI PUBLIKE QYTETARËVE – MBËSHTETJE POLICËVE

Reformat në Policinë e Kosovës do t’i fillojmë menjëherë me miratimin e Ligjit për Pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë. Me këtë ligj, zyrtarëve policorë do t’u garantohet e drejta e pensionimit të parakohshëm në moshën 55 vjeçare. Në mënyrë që të mos dëmtohet funksionimi i rregullt i Policisë së Kosovës, zbatimi i ligjit do të ndahet në disa faza, në të cilat policët që e shfrytëzojnë të drejtën e pensionimit të parakohshëm do të zëvendësohen gradualisht përmes rekrutimit të mbi 2.000 zyrtarëve të rinj policorë.


Njëjtë sikurse Policia e Kosovës na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme por edhe nën rrezik. Paralelisht, do t’ia japim Policisë së Kosovës kapacitetet e domosdoshme materiale, që të ketë mundësi të kryejë punën e vet në mënyrën më efikase të mundshme. Në këtë drejtim, do t’i shtojmë investime flotës policore, si dhe në infrastrukturën dhe teknologjitë e nevojshme për luftimin e krimit, korrupsionit, si dhe ruajtjen e kufirit ajror e tokësor të vendit.


Forcimi i integritetit dhe profesionalizmit në Policinë e Kosovës do të jetë ndër objektivat tona kryesore. Nivelet e larta drejtuese të policisë do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, i cili do të zbatohet në të gjitha institutionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Do të sigurohemi që, jo vetëm Inspektorati Policor i Kosovës si mbikëqyrës i jashtëm, por edhe mekanizmat e brendshëm të kontrollit si Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti i Auditimit e Prokurimit, të kenë pavarësinë e plotë në ushtrimin e rolit të tyre. Duke siguruar këtë pavarësi të plotë, do të vendosim themele të forta dhe qëndrueshme për integritetin policor, zbatimin transparent të ligjit dhe llogaridhënien e rreptë brenda dhe jashtë Policisë.


Ndër rezultatet më të rëndësishme të forcimit të integritetit dhe profesionalizmit, do të jetë vlerësimi dhe gradimi i bazuar eksluzivisht në meritat e kandidatëve përkatëse, sipas kritereve objektive dhe transparente dhe duke iu referuar praktikave më të mira ndërkombëtare. Koha e gradimit në bazë të nepotizmit dhe ndikimit politik do të marrë fund në Qeverinë tonë.


Forcimi i Policisë do të jetë edhe në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dhunës familjare. Vetëm me këtë forcim të integritetit dhe profesionalizmit, Policia e Kosovës do të jetë në gjendje për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin në institucionet e tjera shtetërore dhe në shoqëri më gjerësisht. Luftimi i krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore do të jetë prioritet i Qeverisë sonë. Si hap i parë, do të punojmë drejt shkëputjes së lidhjeve kriminale ndërmjet zyrtarëve shtetërorë dhe krimit të organizuar. Për të arritur këtë qëllim, do të forcojmë shtyllën e hetimeve brenda Policisë, duke rritur numrin e hetuesve policor si dhe do të sigurojmë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të tyre.


Me qëllim të rritjes së sigurisë në vend, do ta forcojmë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe Policisë në komunitet dhe, nga ana tjetër, do të forcojmë gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e qenieve njerëzore dhe terrorizmin.


Prioritet tjetër i yni do të jetë mbrojtja e minoriteteve, si dhe parandalimi i dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Përmes trajnimeve të zyrtarëve policorë, do të punojmë për të përmirësuar mendësinë e institucioneve të zbatimit të ligjit, në mënyrë që dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave ta trajtojnë si vepër penale që është dhe, si e tillë, ta ndëshkojnë me forcën e plotë të ligjit.


Kontribo