SPORTI PRIORITET SHTETËROR

Politikat dhe programet zhvillimore të sportit do të kenë në fokus talentin sportiv dhe qytetarin aktiv. Për të implementuar programet tona, ne do të angazhohemi për strukturim dhe qeverisje të mirë të institucioneve dhe organizatave sportive.


Përveç buxhetit për investime të mëdha nacionale – ndërtimin e Stadiumit, pishinës Olimpike, dhe qendrës multifunksionale, ne do të sigurojmë hapësirat e nevojshme për stërvitje dhe zhvillim të sportit rekreacional/shëndetësorë. Renovimi i sallave dhe terreneve sportive ekzistuese në zonat urbane e rurale është strategji e jona për zhvillim të infrastrukturës së objekteve sportive.


Për ngritjen e kapaciteteve të sportit profesional, ne do të financojmë programe të nivelit shtetëror për trajnimin dhe zhvillimin e trajnerëve, programe për identifikimin dhe zhvillimin e talentëve në sport, organizimin e garave vendore dhe ndërkombëtare, si dhe mështetjen e klubeve sportive dhe sportistëve gjatë dhe pas karrierës së tyre.


Prioritet tjetër i yni është fuqizimi i aktivitetit fizik si mjet për ruajtjen e mirëqenjës së shoqërisë tonë si tërësi. Për zhvillimin e kësaj politike që përfshin rritjen e numrit të qytetarëve aktiv, ne do të themelojmë departamentin e sportit për të gjithë. Departamenti do të koordinojë programe të përbashkëta me sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Edukimi i hershëm për benefitet e aktivitetit fizik është esencial për transformimin e sportit si pjesë të kulturës tonë qytetare.

Andaj, intervenimet për zhvilllim do të bëhen nga niveli parashkollor deri te ai universitar. Për implementimin e politikave tona strategjike, ne do të ndajmë buxhet të veçantë për inkurajimin dhe financimin e projekteve me qëllim të gjithëpërfshirjes së qytetarëve në aktivitet fizik pa dallim moshe, gjinie, apo statusi social-ekonomik.








Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,


I kemi dëshirën dhe vullnetin, guximin dhe besimin, idetë dhe planet. Jemi shpresa e njëri-tjetrit. Andaj, krejt bashkë, drejt Kosovës që e duam, që na duhet, e që i duhemi.


Ju falemnderit!

ALBIN KURTI

Kontribo