Prioritetet e Qeverisë Kurti

Në vijim të programit tonë politik, alternativës sonë qeverisë dhe 40 prioriteteve të Republikës paraqesim 20 masa plus që përmbushin korpusin tonë të projektit qeverisës.


17 shtator 2019

1. Shteti i së drejtës në luftë kundër krimit të organizuar

Shteti i Kosovës ka ngelur i dobët sepse i kapur. Kjo duhet të marrë fund. Sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë janë themelore. Ne do të sigurohemi që shumica jonë parlamentare ta ideojë dhe zbatojë procesin e përgjithshëm të vettingut për prokurorinë, gjykatat, drejtuesit e lartë të Policisë dhe Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës. Ne kemi planifikuar që të sigurojmë ekspertizë me integritet të lartë, mosbllokimin e sistemit nga brenda dhe buxhetimin. Për ta krijuar besimin dhe sigurinë se drejtësia do të bëhet, planifikojmë krijimin e mekanizmit të vetting-ut të përhershëm. Kështu sigurohemi që mbrohet integriteti i sistemit prokurorial e gjyqësor pavarësisht ndërrimit të konjukturave drejtuese. Ky proces do të shoqërohet nga hartimi e zbatimi i Ligjit Antimafia, ku barra e provës për pasurinë e pajustifikueshme bie mbi zyrtarin e personin e hetuar. Ne do të themelojmë institucionet për dokumentimin dhe arkivimin e krimeve të luftës. Sistemit të pavarur të drejtësisë do t’u krijohen kushtet institucionale për hetimin dhe gjykimin e krimeve të Serbisë në Kosovë.

2. Fondi Sovran i Republikës së Kosovës dhe Banka Zhvillimore

Qeveria jonë do ta zbatojë planin zhvillimor të mbështetur nga krijimi i Fondit Sovran, Agjencisë Zhvillimore dhe Bankës Zhvillimore. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj i kalojnë Fondit Sovran i cili është fond investues dhe instrument i zhvillimit industrial. Agjencia zhvillimore drejtpërsëdrejti do të mbështesë sektorin privat dhe publik të Kosovës në arritjen e synimeve strategjike zhvillimore përmes rritjes së kapaciteteve të biznesit vendor, promovimit të investimeve të jashtme dhe të eksportit. Agjencia do t’i koordinojë po ashtu politikat zhvillimore ndërmjet ministrive dhe do të udhëheq me agjensionet e pavarura zhvillimore. Ndërsa Banka Zhvillimore do të jetë komponenti kreditues i cili do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e përmirësojnë bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve.

3. Ndërmarrësit e Republikës

Ne e shohim ndërmarrësin si partner kyç në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik. Parakusht për çlirimin e potencialit të sektorit privat është që shteti të sigurojë një ambient të barabartë, duke hequr monopolet zhvatëse, duke eliminuar evazionin fiskal klientelist, duke siguruar furnizimin me energji elektrike me çmim të përballueshëm, dhe veçanërisht duke bërë pagesat me kohë për ndërmarrjet që kryejnë punë të kontraktuara nga autoriteti publik. Qeveria jonë zotohet se do t’i plotësojë këto parakushte. Ndërmarrësit që duan të ngrenë kapacitetet dhe të rrisin punësimin do të mbështeten nga Banka Zhvillimore, me kredi të buta e me grejs periudha të gjata. Në këtë bashkërendim të qeverisë tonë me ndërmarrësit, prodhuesit vendorë do të mbështeten veçanërisht në ngritjen e cilësisë, duke shtuar mundësitë për gjetjen e tregut dhe rritur eksportet.

4. Më shumë punë, më shumë të drejta për punëtorët

Përveç të drejtë së votës në besojmë se vajzat dhe djemtë tanë duhet ta kenë edhe mbështetjen për punë të përshtatshme me moshën. Andaj për të mbjellë shprehinë e punës tek të rinjtë, ne zotohemi të krijojmë Skemën e Punësimit të Garantuar, ku të rinjtë e moshave 16-18 vjeç do të kenë mundësinë e përfitimit të pagës dhe vendit të punës të garantuar nga shteti për një vit të plotë. Skema e Punësimit të Garantuar do të përfshijë edhe punësimin e garantuar sezonal që do të mbulojë familjet me ndihmë sociale. Secilës prej këtyre familjeve do t’i garantohet për një nga anëtarët një vend pune me pagë të subvencionuar nga shteti për për një periudhë 3 deri në 4 muaj në vit. Për ata që tashmë punojnë, shteti nën qeverisjen tonë do t’ua garantojë plotësimin e kushteve të dinjitetshme të punës. Ne do të marrim masa që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë pune të rregullta në javë. Për këtë do të sigurohemi duke hartuar një ligj të ri të punës. Ligji i ri do të përfshijë edhe pushimin e lehonisë e atë prindëror. Ne gjithashtu zotohemi se do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës për të parandaluar rreziqet e lëndimet në punë, ndërsa duke themeluar Gjykatën e Punës sigurohemi për trajtim me prioritet të kontesteve punëdhënës-punëmarrës. Mbrojtja e të punësuarit do të shtrihet edhe tek të rinjtë që punësohen për herë të parë, duke ua njohur edhe formalisht punën praktike. Me ligj të ri, Qeveria jonë do të fuqizojë bashkëpunimin me sindikatat duke inkurajuar dhe ndihmuar punëtorët për organizim sindikal në të gjitha nivelet e punësimit.

5. Rinia e inovacionit dhe teknologjisë

Programi ynë për mbështetjen e rinisë përfshin një paketë masash që do të implementohen për herë të parë në Republikën e Kosovës. Ne e kemi konceptuar një paketë, që na siguron se talenti, dija dhe puna e rinisë do të optimalizohet duke e vendosur shtetin tonë në hartën botërore të inovacionit dhe teknologjisë. Për përforcimin e kësaj politike do ta themelojmë e jetësojmë një tekno-park, një fakultet për teknologji informative dhe hapësira për start-ups. Shtrirja e kësaj politike në të gjitha komunat e Kosovës, brenda rrjetit të shkollave me hub-et rajonale na siguron kushtet për krijimin e një ekosistemi që vetëushqehet me ide dhe me financim. Për vajzat dhe djemtë nga i gjithë vendi që orientohen nga ndërmarrësia në këtë fushë, do të vihen në dispozicion deri në 2 mijë grante në vit, me një vlerë totale prej 20 milionë euro, destinuar për qira dhe pajisje. Kështu për herë të parë dhe për çdo vit, 2000 grupe entuziastësh të rinj do t’i kenë kushtet për t’i avancuar idetë e tyre.

6. Granti i katërt për transformimin zhvillues të komunave

Ne do ta mbështesim pa rezerva qeverisjen vendore komunale andaj kemi hartuar një politikë krejt të re e transformuese. Prej keqpërdorimit të buxhetit qendror e trajtimit të pabarabartë të komunave do të kalojmë tek krijimi i “Grantit të katërt” për komunat, që do të jetë granti për investime kapitale. Përmes këtij granti, në katër vitet e ardhshme, komunave do t’u alokohen 600 milionë euro, dhe komunat do të vendosin vetë për alokimin e këtyre shumave për projekte të ndryshme kapitale, prej sistemeve të ngrohjes qendrore, zhvillimit ekonomik lokal, turizmit rural, mbështetjes së projekteve inovative, sporteve, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, artit, infrastrukturës publike, furnizimit me ujë të pijshëm e kanalizime. Gjatë shpërndarjes së kësaj shume do të synohet ulja e pabarazisë zhvillimore mes komunave me kapacitet të ndryshëm fiskal.

7. Me fermerët, për bujqësi bashkëkohore

Politikat tona për bujqësinë e kanë në thelb mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve. Do ta ndërrojmë në themel politikën e granteve dhe subvencioneve. Çdo aplikim i vlefshëm i fermerëve në bujqësi e blegtori do të miratohet si grant apo si subvencion. Kjo mbështetje financiare do të shtrihet deri tek përpunimi i ushqimeve duke siguruar këshillim dhe orientime në prodhime me potencial të lartë ekonomik. Do t’i sigurohet treg prodhimit të subvencionuar, e do ta jetësojmë sigurimin e prodhimit. Po ashtu, në mënyrë që të sigurojmë një treg vendor që nuk përbuz mundin e fermerëve, do të sigurohemi që të ketë çmim dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale, kështu shteti garanton blerjen në njërën anë dhe mbush rezervat shtetërore në anën tjetër.

8. Rimëkëmbja e Arsimit

Për ne, arsimi është mundësi e madhe dhe burim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës. Brenda kësaj kornize, ne planifikojmë 6 zona të domosdoshme të transformimit: edukimin parafillor, tekstet e reja shkollore, shkollimin profesional, sistemin e bursave, arsimin e lartë pa pagesë dhe themelimin e fondit për hulumtime shkencore. Jetësimi i projektit për edukimin parafillor në çdo komunë do të paraprihet nga një hap i rëndësishëm – heqja e pagesës për çerdhen e fëmijëve. Edukimi i hershëm është jetik andaj si pjesa tjetër e shkollimit duhet të jetë i mbuluar për çdo fëmijë që shkon në çerdhe. Me tekstet e reja shkollore cilësisht të arrira, do të avancojmë arsimin parauniversitar dhe do të fillojmë planifikimin për shkollat digjitale. Shkollat profesionale të mesme të larta do të ringjallen e modernizohen me mjetet, kurrikulat, tekstet, profilet dhe veçanërisht me programin e praktikës. Shtrirjen e rritjen e tyre do ta planifikojmë sipas strategjisë zhvillimore në këmbim me kërkesat e ndërmarrësisë. Ne do të fuqizojmë e mbështesim me prioritet vajzat andaj zotohemi të sigurojmë 1000 bursa studentore për vajzat, me prioritet ato që zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore, brenda e jashtë vendit. Ne qëndrojmë për Arsimin e lartë publik pa pagesë. Universitetet do t’i fuqizojmë drejt kërkimit shkencor me Fondin e Hulumtimeve që e themelojmë për herë të parë dedikuar kërkuesve, ligjëruesve, profesorëve e specialistëve mjekësorë.

9. Shëndet publik me shëndetësi publike

Prioritet kryesor në qeverisjen e shëndetësisë i kemi Sigurimet shëndetësore publike të paraprira nga Sistemi informativ shëndetësor dhe Udhërrëfyesit klinikë. Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, pacientëve tanë, e punonjësve shëndetësor nuk do t’i mungojnë mjetet e barnat. Lista esenciale e barnave do të buxhetohet ashtu që për rezultat të kemi barna të cilësisë më të lartë të mundshme dhe e bazuar në protokollet shëndetësore. Rivitalizimi i Klinikës Onkologjike dhe klinikave të tjera të lëna pas dore së bashku me mbështetjen e profesionistëve shëndetësorë janë nga prioritet kryesore. Si dhe do ta avancojmë shërbimin gjinekologjik në të gjithë vendin. Do ta forcojmë shërbimin parësor në bashkëpunim me komunat e Kosovës duke funksionalizuar e standardizuar mjekësinë familjare. Do ta fillojmë projektin e ri për mbështetjen e pacientëve me sëmundje malinje dhe familjeve të tyre, me shërbime të plotësuara edhe në spitalet rajonale si dhe duke u siguruar që ata të mos humbin vendin e punës për sa që janë nën trajtim.

10. Pakti i mbrojtjes së mjedisit

Në të gjitha rastet e dëmtimit, abuzimit, tejkalimit të autorizimit do të ndalen ndërtimet e minihidrocentraleve private sepse prioritet të lartë kemi mbrojtjen e pellgjeve lumore dhe shtrirjen e rrjeteve të ujitjes e ujit të pijes. Vendosja e rregullit dhe kontrollit për gurëthyesit që kanë shkelur normat apo kanë rrezikuar zonat e banuara shoqëruar me mbylljen e atyre që ilegalisht pa standarde po operojnë si dhe moratorium ndaj licencave të reja deri në stabilizimin e situatës mjedisore, do të jenë dy hapat e tjerë për ndaljen e ndotjes dhe dëmtimin mjedisor. Po ashtu do të mbështesim projektet që sigurojnë filtra të teknologjisë bashkëkohore në termocentrale. Tokat bujqësore shpallen të paprekshme dhe të patjetërsueshme. Hapësirat e mbuluara nga sistemet e ujitjes dhe komasacioni merren në mbrojtje efektive. Veprojmë intensivisht dhe pa tolerancë ndaj ndotësve masiv industrial duke i izoluar, mënjanuar, penalizuar dhe rikthyer gjendjen para ndotjes. Peizazhin pyjor dhe shtretërit e lumenjve i restaurojmë dhe rregullojmë duke buxhetuar e punuar intensivisht. Deponitë e hapura të mbeturinave dhe kanalizimet e hapura të ujërave të zeza do të transformohen në sisteme bashkëkohore të përpunimit dhe pastrimit. Planifikojmë politikë të re për materialet e plastikës dhe zëvendësimit të tyre gradual.

11. Çlirimi i energjisë

Pa vonesa si qeveri e re i ndërmarrim hapat finalë për funksionalizimin e Interkonjeksionit me Shqipërinë, me rezultat garancinë e furnizimit me energji elektrike, ndërprerjen e varshmërisë energjitike nga Serbia dhe çlirimin e sistemit tonë nga mafia energjitike. Do të formojmë Komision të Përbashkët qeveritar me Republikën e Shqipërisë për burimet energjetike dhe natyrore. I zhvillojmë projektet e rivitalizimit të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese bazuar në nevoja, pasi të kemi llogaritur drejtë kërkesën për energji elektrike në vend. Do t’i mbështesim projektet për energji të ripërtërishme duke ekonomizuar sipërfaqet e përdorura dhe do të fuqizojmë projektet e paneleve për vetëkonsum. Do të sigurohemi që asnjë kilovat nuk humbet me programin që mbështesim ekonomitë familjare për të rritur efiçiencën dhe zvogëluar humbjen e energjisë. Si masë të parë planifikojmë mbështetjen direkte në përmirësimin e izolimit termik, ndërrimin e pajisjeve elektro-shtëpiake të vjetruara dhe joefiçiente. Ofrojmë politikë të re me çmime të përballueshme të energjisë elektrike për amviserinë dhe ndërmarrësinë prodhuese drejt sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji.

12. Trepça, investimet dhe rivitalizimi

Fondi Sovran që do ta ketë në menaxhim do të sigurojë një model të ri të qeverisjes së kësaj ndërmarrje. Do të mundësojmë ringritjen dhe avancimin teknologjik në tre faza, që kalojnë nëpërmjet riparimit të mjeteve ekzistuese, futjes së teknologjisë së re në flotacion dhe xehetari, dhe zhvillimin e metalurgjive e kimisë. Secila fazë me planin e masave për mbrojtjen maksimale nga ndotja. Në Trepçë do ta shtojmë prodhimin e hulumtimin si dhe kualifikimin e punëtorëve. Zhvillimi i Trepçës është në mesin e hapave më të rëndësishëm për bashkimin e qytetit të Mitrovicës të ndarë në dy komuna.

13. Mbështetja e Mërgatës – investimi i Mërgatës

Bashkatdhetarëve tanë ndërmarrës u ofrojmë partneritet të plotë për jetësimin e projekteve të tyre investuese në Kosovë, si dhe mundësi investimi në letrat me vlerë të garantuara nga shteti. Për bashkatdhetarët tanë do të garantojmë të drejtën e votimit në Ambasadat e Konsullatat e Republikës së Kosovës. Qeveria jonë do të ketë pjesëmarrje aktive të bashkatdhetarëve në drejtimin e sektorëve strategjik të vendit. Arritja e marrëveshjeve për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe ose futjen në kurrikulat zyrtare të vendit pritës të gjuhës shqipe është prioritet yni. Kjo së bashku me themelimin e rrjetit të qendrave kulturore aty ku jeton mërgata jonë, si organizim i qëndrueshëm dhe i përhershëm. Pa vonesa, do të fillojnë veprimet për zgjidhjen përfundimtare në heqjen e pagesave të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë. Do ta realizojmë marrëveshjen bilaterale me byronë nacionale të një vendi anëtar në Këshillin e Byrove që të sigurohet pajisja me Karton të Gjelbër. Adresimi me prioritet i shërbimit diplomatik të Kosovës në zgjidhjen e problemeve me dokumentet para pavarësisë së Kosovës dhe shtetësitë e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e veprojnë jashtë vendit.

14. Forca e Sigurisë së Kosovës

Funksionalizimin e plotë sipas mandatit që e ka Forca e Sigurisë së Kosovës do ta realizojmë shumë më shpejt, pra brenda katër viteve, e jo dhjetë vite. Këtë plan e bazojmë te burimet njerëzore të jashtëzakonshme të Forcës e Ministrisë që presin të drejtohen me ndershmëri dhe kompetencë dhe tek buxhetimi me 100 milionë prej vitit të parë, e për çdo vit deri në fund të mandatit. Kështu që do ta avancojmë programin dhe kushtet e edukimit në përputhje me numrin e ushtarëve të Forcës, infrastrukturën mbështetëse e kushtet e punës për ushtarakët, krah për krah me fillimin e programit për pajisjen me armatim ushtarak bashkëkohor dhe kompatibil me aleatët strategjikë. Do ta iniciojmë organizimin e shërbimit të obligueshëm ushtarak dhe civil për djemtë dhe me zgjedhje për vajzat. Ky program do të paraprihet nga një plan dy vjeçar parapërgatitjesh dhe diskutimi shoqëror. Përveç komisionit të përbashkët qeveritar me Shqipërinë për mbrojtjen dhe sigurinë, në mbështetje të planit kombëtar të mbrojtjes do të përgatisim kushtet për marrëveshjen midis Republikës së Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë.

15. Drejtësia për pronësinë e trashëgiminë

Prioritet yni do të jetë reforma në Sistemin Kadastral të Kosovës duke mundësuar qasjen publike në Sistemin e informativ të Agjensionit Kadastral të Kosovës për noter e përmbarues si dhe për publikun e gjerë. Duke i ditur kushtet dhe vështirësitë e mijëra familjeve e qytetarëve tanë për ta regjistruar pronën e trashëguar, në emër të tyre do të hiqen të gjitha pagesat dhe do të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e pronës. Ne do të bëjmë edhe rishikimin e tarifave për shërbimet kadastrale dhe ato noteriale sa i përket regjistrimit të pronës së paluajtshme. Në mbështetje e përmbushje të të drejtave do të strukturojmë e garantojmë përftimin e pronës së trashëguar nga vajzat e gratë në familjet e tyre, do të sanksionojmë shpërndarjen e drejtë të pasurisë së fituar pas martesës si dhe do t’i ndryshojmë normat ligjore për të përshpejtuar procedurat gjyqësore kontestimore objekt i të cilave janë gratë. Meqë kadastri është informacion jetik për të gjitha veprimtaritë, do ta rindërtojmë informacionin kadastral edhe nëpër Komuna e që ka të bëjë me harmonizimin e të dhënave tekstuale dhe grafike si dhe përputhjen e tyre me gjendjen reale në terren.

16. Banimi i përballueshëm për çiftet e reja, gratë kryefamiljare, shërbyesit publikë

Zgjidhja e problemit të banimit sot përbën një sfidë të papërballueshme për shumë kategori shoqërore apo grupe profesionistësh. Kjo vlen si për çiftet e reja, gratë kryefamiljare por edhe shërbyesit publik si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike. Si përgjigje ndaj këtij problemi do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4.000 familje vetëm gjatë mandatit të parë qeverisës. Kjo do të arrihet përmes programit “150x150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.

17. Mbështetje prindërve, mirëqenie fëmijëve

Fillojmë nga zbatimi i Programit të shtesave për fëmijët. Ne duam ta adresojmë situatën tonë demografike, ta shtojmë solidaritetin dhe ta çlirojmë gruan nga barra e madhe në kujdesin brenda familjes. E kemi avancuar skemën tonë në mënyrë që të gjithë fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, shuma që përfitojnë do të jetë 10 euro në muaj. Shtesat për fëmijë do të paguhen në llogari të grave anekënd Kosovës, do të lirohen nga çfarëdo obligimi tatimor si dhe nuk do të kihen parasysh gjatë përcaktimit të përfitimeve nga skemat tjera sociale në vend. Siç e kemi thënë tashmë, ne jemi për tatim të përshkallëzuar dhe për rritjen e pagës minimale për orë pune. Askush nuk duhet të paguajë tatim për të ardhurat minimale. Gjatë mandatit tonë, 300 eurot e para të pagës së secilit do të jenë të liruara nga tatimi. Po ashtu, të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulta, do të rimbursohen varësisht prej të ardhurave vjetore që familja merr. Nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro, dhe nga 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro.

18. Siguria publike dhe Policia

Siguria e brendshme publike do të avancohet me themelimin e policimit në komunitet. Do të ketë përgjigje pa kompromis ndaj cenimit të integritetit fizik e moral të fëmijëve, vajzave e grave. Sigurimi i reagimit të menjëhershëm do të bëhet nëpërmjet riorganizimit të komponentës për parandalimin e dhunës brenda familjes dhe ndaj vajzave e grave. Për punëtorët e sektorit publik, si policët, zjarrfikësit dhe të tjerët me rrezikshmëri të lartë, do të themelojmë Skemën publike të sigurimit të jetës. Për ata zyrtarë që humbin jetën gjatë ushtrimit të detyrës do të vazhdohet kompensimi i familjes deri në moshën e paraparë të pensionimit. Në respekt të punës dhe dinjitetit të policëve do ta miratojmë pa vonesë Ligjin për pensionimin e parakohshëm.

19. Skena artistike me institucione e buxhet

Institucionet e artit do të kenë buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm. Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera. Do ta themelojmë Teatrin e Operas dhe Baletit si institucion të vetëqëndrueshëm. Si dhe do të fillojmë të ideojmë Teatrin e ri kombëtar. Ne do t’i japim prioritet buxhetimit serioz të institucioneve të artit dhe trashëgimisë kulturore. Subvencionet do të shumëfishohen por kryesisht për skenën e pavarur.

20. Kthimi kah Sportet

Ne e duam sportin si prioritet shtetëror. Andaj do të financojmë projektet e qendrave multifunksionale sportive, me buxhet vjetor prej 15 milionë euro. Si dhe një program intensiv për të mbështetur financiarisht shkollat e sportit me theks edukimin sportiv të moshave të hershme, me 10 milionë euro në vit. Përveç ndërtimit të Stadiumit kryesor e të cilin do ta përfundojmë e funksionalizojmë, ne angazhohemi për edukimin e fëmijëve me sportin. Kjo na garanton që e zbulojmë e mbështesim talentin kudo që ai paraqitet në shkollat e sporteve.