25 09 2019

VEPRIMET

Kuvendi

Shumica jonë parlamentare do ta propozojë dhe miratojë Ligjin e ri për Referendumin si garanci e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe bashkëqeverisjes me qytetarët.

Shqyrtimi pa vonesë i të gjitha Peticioneve të qytetarëve dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Legjislacioni për realizimin e të drejtave civile të qytetarëve tanë, punëtorëve, ndërmarrësve, shërbyesve civil në Gjykata do të avancohet në tre drejtime: Në shkurtimin e afateve proceduriale, në transformimin e sistemit të bashkëpunëtorëve profesional që vlerësojnë rastet, dhe në sanksione penale ndaj Gjyqtarëve për rastet e mosrespektimit të afateve.

Hartimi i legjislacionit të ri për publikimin, të drejtën e ankesës, dhe procedurat hetimin lidhur rastet e mbyllura pa u finalizuar me aktakuzë nga Prokuroria.

Krijimi i komisionit parlamentar të përhershëm për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, dhe krimin e gjenocidit dhe për dëmet e shkaktuara në Kosovë.

Ngritja e komisionit të ri parlamentar për mbikëqyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndryshimi i Ligjit për të huajt me qëllimin lehtësimin e marrjes së dokumentacionit për shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Si dëshmi e vullnetit për rol të shtuar e aktiv të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të themelojmë komisionet hetimore për proceset e privatizimit, kontratave të dëmshme në  instuticionet e ndërmarrjet publike dhe hetimin e veprimtarisë ilegale të ShIK.

Marrëveshjet aktuale dhe të tjera të reja më Republikën e Shqipërisë do të avancohen me miratimin e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të siguruar jetësimin e tyre dhe obligimin për çdo qeverisje. Këto marrëveshje do të mbulojnë edhe heqjen e barrierave jotarifore, duke vijuar me unifikimin e sistemit dhe tregut energjitik, unifikimin doganor, të regjistrave civilë e të bizneseve, si dhe harmonizimin e sistemit arsimor e shëndetësor në të gjitha nivelet.

Do të realizohen marrëveshjet për themelimin e komisioneve të përbashkëta parlamentare me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në fushën e politikës së jashtme, të mbrojtjes dhe burimeve natyrore.

Shumica jonë parlamentare do të shqyrtojë bilansin e 33 marrëveshjeve, zbatimin, rezultatet dhe pasojat e dala nga procesi i dialogut 2011-2017 midis Kosovës dhe Serbisë.

 

Drejtësia për viktimat e luftës

Qeverisja dhe shumica jonë parlamentare do të krijojë të gjitha kushtet për adresimin e krimeve të luftës në Kosovë. Ne propozojmë këto hapa institucionalë:

Themelimi me ligj, i financuar në mënyrë adekuate i Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë. Instituti duhet të jetë i përhershëm brenda Ministrisë së Drejtësisë.

Krijimi i një prokurorie të specializuar për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit, me një numër të mjaftueshëm prokurorësh dhe bashkëpunëtorësh të mirëtrajnuar.

Po ashtu, krijimi i një departmenti të veçantë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës me gjykatës dhe bashkëpunëtorë të specializuar për këtë çështje.

Krijimi i departamentit në Policinë e Kosovës, të specializuar për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit, për ndjekjen dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë.

Krijimi i një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjensisë së Kosovës për Forensikë, që i verifikon shkencërisht faktet dhe dëshmitë e mbledhura për krimet e kryera.

Miratimi i një legjislacioni të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve në Kosovë.

Krijimi i një dege të veçantë brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto çështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit.

Anëtarësimi i Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe Konventën kundër Gjenocidit.

Padia e Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 

Projektime të së ardhmes

Qëllimi ynë është të sigurojmë studimin e financimin për dy projekte jetike të bashkëpunimit të rajoneve shqiptare me dobi edhe për rajonin. Ato janë akset Gjakovë-Shkodër dhe Prizren-Tetovë. Të dyja këto projekte do të paraprihen nga Marrëveshjet ndërshtetërore në mënyrë që të krijohen kushtet për realizimin e tyre.

E treta është gjetja e financimit dhe finalizimi i aksit Deçan-Plavë. E katërta është finalizimi i projektit dhe hapja e pikës së kalimit kufitar Stançiq-Bellanovc të kategorisë A, me shërbime të plota, duke lidhur kështu Gjilanin me Kumanovën.

Ne synojmë të ndërtojmë dy liqene të rinj akumulues në Kosovë, andaj do të financojmë studimet e fizibilitetit për to, projektet dhe planet për financimin e tyre, duke siguruar të ardhmen e furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujitjes.

E konsiderojmë të rëndësishme dhe do ta fillojmë studimin e përbashkët ideor për rrjetin hekurudhor midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në ndërkohë do të përshpejtojmë zbatimin e projektit për rehabilitimin e Hekurudhës 10,  Han i Elezit-Fushë Kosovë dhe Fushë Kosovë-Mitrovicë.

Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë, kargo dhe për udhëtime me kosto të ultë. I njëjti do të jetë edhe në shërbim të Forcës së Sigurisë së Kosovës kur ta kemi krijuar njësinë e helikopterëve ushtarakë, dhe po ashtu do të jetë në dispozicion për fluturimet e misioneve të forcave ajrore nga vendet aleate të Republikës së Kosovës.

Kontribo