14 12 2020

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze, viziton VETËVENDOSJE!-n

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me deputetët z. Hekuran Murati dhe znj. Yllza Hoti, priti në takim Ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze, dhe sekretarin e dytë të Ambasadës Hungareze në Prishtinë, z. Márton Nikowitz-Holló.

Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit mes Kosovës dhe Hungarisë, projekteve nga e kaluara e ato të planifikuara nga Ambasada Hungareze, dhe historisë së përbashkët të dy popujve tanë qysh nga mesjeta. Ambasadori Bencze tregoi për përvojën e tij të deritanishme në Kosovë, duke potencuar disa projekte të rëndësishme siç është funksionalizimi i Komisionit për Bashkëpunim Ekonomik dhe fuqizimi i bashkëpunimit të universiteteve të dy shteteve tona. Z. Bencze shfaqi  gatishmërinë e tij për të forcuar marrëdhëniet mes Hungarisë e Kosovës përmes projekteve ekonomike, arsimore, kulturore e infrastrukturore.

Kryetari Kurti shprehu falenderimin për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Hungarisë për Republikën e Kosovës, pëfshirë këtu ndihmën gjatë luftimit të pandemisë, përmes donacionit të 50 mijë maskave dhe 5 mijë uniformave mbrojtëse për personelin shëndetësor. Gjithashtu, u bisedua edhe rreth suksesit të programit të bursave Stipendium Hungaricum, i cili u mundëson studentëve nga Kosova të studiojnë me financim të plotë në universitete të Hungarisë.

Ambasadori Bencze përmendi disa nga barrierat e deritanishme për implementimin e projekteve në Kosovë, dhe gatishmërinë e tij për të punuar në tejkalimin e tyre përmes përpjekjeve të dyanshme. Kryetari Kurti nënvizoi gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, me theks të veçantë në eliminimin e ngecjeve të deritanishme.

Kontribo