04 02 2025

Artana për zhvillim ekonomik, arsim dhe drejtësi – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Artanës

Artana e ka nëntokën e artë, e ka zemrën e zjarrtë. Faleminderit shumë për këtë mikpritje kaq të
ngrohtë dhe gjithmonë është kënaqësi e nder të kthehemi e të rikthehemi në mesin tuaj!
Sivjet Lëvizja VETËVENDOSJE! i mbush 20 vjet, bëhen dy dekada prejse ekzistojmë, edhe me
Lirimin edhe Avdylin i kemi shëtitur çdo fshat, e rrugicë, e shtëpi, e këtë duhet ta bëjmë sërish
tash në mënyrë që më datën 9 shkurt të festojmë cep më cep Kosovës, përfshirë Artanën e juaj e
tonë të dashur.
Jemi këtu në Artanën e dëshmorit Ziaver Vllasaliu, të dëshmorit Afrim Zymeri, si dhe të
martirëve Faredin dhe Shemsedin Vllasaliu. Pra, Artana gjithashtu ka pësuar gjatë luftës, por në
të njëjtën kohë ajo ka pësuar edhe pas luftës. Gjatë luftës për shkak të regjimit e shtetit okupator,
agresor e armik serb, e pas luftës për shkak të moszhvillimit dhe decentralizimit mbi baza etnike,
që njëmend e ka rritur territorin e komunës, mirëpo jo për hajrin e komunës. Dhe tash, me
qeverisjen tonë, me punët çka i kemi bërë bashkë këtu me juve, natyrisht që e kemi zbutur këtë
situatë dhe për herë të parë po krijohen kushtet që në vjeshtën e vitit 2025 të bëhet edhe ndërrimi
i pushtetit lokal komunal, me dikë i cili përqafon e përfaqëson vlerat e Republikës së Kosovës, të
drejtësisë e të demokracisë.
Tash, gjatë këtyre katër viteve në qeverisje është rritur ekonomia e Kosovës dhe kjo rritje e
ekonomisë së Kosovës e ka rrit edhe punësimin. Por, përveç që është rritur punësimi, është rritur
edhe shpërndarja e të mirave, si te sektori privat ashtu edhe te kategoritë e ndryshme shoqërore.
Konkretisht, mbi 2.4 milionë euro kemi bërë mbështetje me subvencione dhe grante për më
shumë se 1500 fermerë edhe bujqë këtu te ju në Artanë. Mbi 250 nëna lehona, nëna të reja dhe
rreth 1600 fëmijë kanë përfituar shtesa, ndërkaq 650 pensionistë të Komunës së Artanës nga
tetori i vitit të kaluar i marrin pensionet me 20% rritje, përveç se i kanë marrë pesë herë
pensionin e trembëdhjetë gjatë katër vjetëve të qeverisjes sonë.
Për këto katër vjet kemi ndërtuar e po ndërtojmë çerdhe në gjithsej 25 komuna të Kosovës, 65
çerdhe me 36 milionë euro, a ata para neve për 17 vjet i kanë ndërtuar veç 4 çerdhe me 1.2
milionë euro. E tash, këto 25 komuna ku ne po ndërtojmë çerdhe janë në të gjitha shtatë rajonet e
Kosovës. Asnjë rajon i Kosovës nuk po ngelet pa dorën e mirë të shtetit që ndërton çerdhe, e këtu
në Komunën e Artanës, në Llabjan po e ndërtojmë një çerdhe për 50 fëmijë, e cila do të jetë e
gatshme deri në fund të këtij viti.
Arsimi ka qenë në fokus tonin, sepse e dimë shumë mirë që punësimi cilësor kërkon arsim
gjithëpërfshirës e në të njëjtën kohë, edhe arsimi sa më cilësor reflektohet në cilësinë e jetës,
karrierës profesionale, të përparimit që bën në jetë, të dinjitetit që ka njeriu apo qytetari i
Republikës. Prandaj, arsimin publik e kemi bërë falas, 173 mijë studentë kanë përfituar. I kemi
dhënë mbi 15 milionë euro bursa në Kosovë, 15 milionë euro bursa për studentë për mbi 11 mijë
studentë dhe për herë të parë e kemi filluar këtë mësimin dual, që e lidh arsimin me tregun e
punës, pra, nxënësit shkojnë 2-3 ditë në fabrikë, ku e zbatojnë dijen që për 2-3 ditë tjera e marrin
gjatë javës në shkolla. E kemi miratuar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës, që do ta ngrisë
edhe më tej edukimin e lartë, e kur ngritet Universiteti i Prishtinës, atëherë kjo reflektohet

anembanë Kosovës në të gjitha nivelet e shkollimit dhe gjithashtu, e kemi unifikuar abetaren me
Republikën e Shqipërisë. Pra, që nga viti 2021, fëmijët në klasë të parë të shkollës fillore, si në
Shqipëri si në Kosovë e kanë të njëjtën abetare, e deri para tri vjetëve, merreni me mend, kanë
mësuar me dy abetare të ndryshme.
Artana, qysh e ka edhe emrin, është e pasur edhe nëntokë, edhe në tokë, edhe me pasuri natyrore,
edhe me trashëgimi kulturore. Këtu e keni Kalanë e Artanës, që është një xhevahir i kulturës
edhe i historisë nga shekulli i XIII, që qeveritë e mëhershme restaurimin e Kalasë së Artanës ia
patën lënë një kompanie serbe, merreni me mend. E tash, me qeverinë tonë, ne përveç që po
punojmë për kalanë, gjithashtu kemi renovuar edhe Xhaminë e Osman Efendisë, edhe Tyrben e
Mehmet Efendisë. Ndërkaq, për kalanë, kur kemi filluar që ta renovojmë, së pari kemi angazhuar
ekspertizë ndërkombëtare për vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga ajo kompani serbe. Jemi duke
e përgatitur projektin për konservim, që do të na mundësojë ndërhyrje të shumëpritura dhe
shumë të nevojshme, e që do të jenë natyrisht të dobishme edhe për turizmin kulturor këtu në
Artanë.
Kjo ka qenë e mundur për shkak se e kemi trefishuar buxhetin për ruajtjen e trashëgimisë
kulturore, në krahasim me vitin 2021 qysh e kena gjetë atëherë, dhe për rrjedhojë, vetëm për tri
vjet e gjysmë i kemi rreth 100 ndërhyrje të përfunduara në monumente të ndryshme, cep më cep
Kosovës. E për këto tre vjet e gjysmë na kena restauruar më shumë se sa dy dekadat pararendëse
marrë së bashku. E gjithashtu, 26 vjet pas betejës së lavdishme të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës, kemi miratuar projektin për zhvillimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në
Prekaz. Me fjalë të tjera, përkushtimi jonë në përgjithësi për kulturën dhe trashëgiminë kulturore,
na e ka mundësu që në veçanti të jemi gjithashtu të angazhuar në Komunën e Artanës.
Të dashur qytetarë të Artanës, shumëkush ka menduar që institucionet ilegale e paralele të
Serbisë ka vetëm në veri të lumit Ibër. Tash, nuk ka të tilla as në veri, as në jug. Në Kosovën e
pavarur kanë operuar 28 komuna paralele dhe 5 qarqe të tyre. Me qeverinë tonë, përfundon
epoka e komunave dhe institucioneve ilegale të Serbisë në Republikën e Kosovës, e para dhjetë
ditësh i mbyllëm komunat paralele të Serbisë për Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë,
Vushtrri, Novo Bërdë, këtu Artanë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe posten e tyre
tatimore ilegale.
Sa shumë struktura ilegale e sa shumë grupe kriminale kish pas të dashur qytetarë të Artanës,
saqë nganjëherë të krijohet përshtypja që më shumë ka pas qesi ilegale, paralele e kriminale seksi
shtetërore, zyrtare e ligjore. Aq shumë punë është bërë nga institucionet e vendit tonë për ta
luftuar Serbinë, e cila ka vënë mekanizmat e saj në mënyrë që të na e minojë sovranitetin,
integritetin territorial, ligjshmërinë e kushtetutshmërinë. Prandaj, duke e shtuar buxhetin për 66%
për policinë, i kemi shkatërruar 124 grupe kriminale, prej tyre 43 për krime ekonomike dhe
korrupsion, edhe 40 për luftimin kundër drogës. Janë arrestuar rreth 300 zyrtarë publik. Nuk po
them që s’ka edhe tjerë që duhet me u arrestu, por 300 janë arrestuar deri tash. Nuk është keq,
por ka ende të këqij në sistem, të cilët do të duhej të përndiqeshin sikur prokuroria jonë të ishte
më aktive e gjyqësori jonë më efikas.
Janë konfiskuar 4.5 ton substanca narkotike, 37 rrugë ilegale i kemi mbyllur, 29 prej tyre në veri
të vendit, i kemi shkatërruar 18 laboratorë të drogës, 13 në veri të vendit, 3 plantacione të hapura,

2 në Pejë e 1 në veri dhe 6 laboratorë për prodhimin e kriptovalutave në veri, e prej 1 janarit të
vitit të kaluar ne e kemi një situatë në të cilën paguhet energjia elektrike edhe në veri, prej atyre
që e konsumojnë, e jo jugu të paguajë për veriun, i cili nuk paguan fare dhe masandej e
keqpërdor energjinë falas me laboratorët e kriptovalutave. As kriptovaluta në veri dhe as
mospagesë e energjisë elektrike.
Në katër komunat në veri janë konfiskuar armë dhe municion në 12 depo gjithsej. Kemi
konfiskuar edhe alarmet edhe kamerat e strukturave ilegale në vlerë prej 15 milionë euro. A ju
kujtohet, të dashur qytetarë, se si me alarm në veri të Mitrovicës mblidheshin serbët atje për 5
minuta? Ai alarm nuk ekziston më. Pra, tash për kundrazi, e kemi policinë e shtetit tonë atje, që
nuk lejon alarmim të kriminelëve për grumbullim të tyre. Kriminelët janë ose në burg, tre janë
vrarë dhe shumica kanë ikur për në Serbi.
Përveç investimeve tona në Policinë e Kosovës, jemi të përqendruar edhe për mbrojtjen e vendit
tonë nëpërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë, andaj e kemi dyfishuar numrin e
ushtarëve, e kemi hequr tavanin prej 5 mijë pjesëtarësh, e kemi ngritur moshën e rekrutimit prej
23 në 25 vjeç, kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, kemi trefishuar buxhetin për ushtrinë
dhe e kemi qindfishuar buxhetin për municion, armatim, e që do të vazhdohet edhe me atë
kontratën që e nënshkruam me MKE-në turke, për fabrikën e municionit në Republikën e
Kosovës.
Ne jemi të përkushtuar edhe për integrim në Bashkimin Evropian, edhe për anëtarësim në
NATO, me ç’rast jemi duke blerë armatim edhe municion, por këtu do ta kisha theksuar
posaçërisht dronët Bajraktar TB2 nga Turqia, sistemin Javelin antitank nga Shtetet e Bashkuara
të Amerikës dhe gjithashtu, së fundmi, helikopterat Black Hawk apo Skifterat e Zi nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Ndërmarrjet publike janë bërë të suksesshme në Kosovë me qeverisjen tonë. Shtatëmbëdhjetë
ndërmarrje publike qendrore që i ka Kosova, vetëm dy sosh kanë operuar pa humbje para se të
vijmë ne në qeverisje. Tash që po flasim, shumica operojnë pa humbje dhe për periudhën 2016-
2019 humbjet kumulative të shtatëmbëdhjetë ndërmarrjeve publike qendrore kanë qenë 59
milionë euro. E tash, për tri vjet 2021-2023, kemi arritur që t’i sjellim në nivelin prej fitimit të
139.6 milionë euro.
Për shembull, humbjet e përgjithshme të Telekomit, të Valës për periudhën 2016-2020 kanë qenë
mbi 126 milionë euro, kurse të Postës mbi 7.3 milionë euro. Me qeverisjen tonë, Telekomi
fitimin në vitin 2023 dhe 2024 e ka rreth 15 milionë euro, kurse Posta e Kosovës e ka mbyllur
vitin e kaluar me fitim afër 350 mijë euro.
Unë e di që juve këtu ju intereson shumë Trepça, për shkak të minierave. Edhe ajo është shumë e
vlefshme dhe me fokus te qeveria jonë në programin e saj, sepse fillimisht kemi trashëguar rreth
20 milionë euro borxhe, uzurpim të pronës në jug e në veri, edhe tendencë për t’i përvetësuar
rezervat e saj të plumbit edhe të zinkut, përveçse keqmenaxhim me administrim të vazhdueshëm.
Por, gjërat kanë filluar të përmirësohen, puna është shtuar e bashkë me të edhe prodhimi. Për
shembull, të dashur qytetarë të Artanës, në muajin gusht-shtator 2024 nga Miniera e Artanës janë
nxjerrë gati 3 mijë ton xehe, 28% më shumë sesa në periudhën maj-qershor, kurse për periudhën

shtator-nëntor të vitit 2024 janë nxjerrë gati 8 mijë ton xehe apo rreth 10% më shumë sesa në
periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse Miniera e Stantërgut në periudhën shtator-dhjetor ka
qenë fort e suksesshme, sepse ka arritur rekord, 15 mijë ton xehe të nxjerrura. Edhe në Minierën
e Artanës, sikurse në Minierën e Stantërgut, po shënojmë rezultate pozitive muaji pas muaji, vit
pas viti dhe synimi ynë është që të ndalet njëherë e përgjithmonë plaçkitja, zhvatja e
keqpërdorimi dhe Trepça të bëhet bashkë me KEK-un, Telekomin, pjesë të Fondit Sovran të
Republikës së Kosovës, që t’ia shtojmë vlerën edhe prodhimtarinë, e njëkohësisht edhe
punësimin cilësor tek ato. Në mandatin e ri, në fokus do ta kemi përmirësimin e gjendjes në
miniera për t’i rigjallëruar ato, ashtu siç e kemi rigjallëruar Telekomin e Kosovës dhe Postën e
Kosovës.
Tash, të dashur qytetarë, më 9 shkurt kur dilni në zgjedhje, në atë fletvotimin ka shumë numra
aty, por nuk është mirë me humbë kohë me numra që të humbin kohë. Numri që nuk të humb
kohë, por t’i fiton katër vjet mirëqeverisje me mirëqenie, është numri 118. Aty në renditje e keni
1 1 8, Lëvizja VETËVENDOSJE!. Edhe duke votuar masivisht për Lëvizjen VETËVENDOSJE!
me gjysmë milioni vota, me 500 mijë zemra, na nuk kemi nevojë për kurrfarë koalicioni dhe e
thejmë rekordin e pranverës së vitit 2021, bëhemi mazhoranca më e madhe në Kosovën e pavarur
e në Kosovën e çliruar. E nëse dikush ju thotë “me kë bëni ju koalicion?”, ju u thoni atyre që
pyesin kështu, që “na do t’i marrim mbi 500 mijë vota se ne koalicionin tashmë e kemi bërë”, ne
e kemi bërë koalicionin me partinë Guxo dhe me partinë Alternativa.
Tash, çdo sondazh që po bëhet për ne është tavan prej qelqi. Jo sikur ky tavani këtu, por tavan
prej qelqi, tavan prej xhami. Ne e thyejmë çdo sondazh, në sondazhin e ardhshëm, jo pse është
prej xhami, por pse nuk e shohim ne, ne shkojmë lart e më lart dhe ne nuk e shohim xhamin,
qelqin, dhe e thyjmë tavanin prej qelqi në sondazhin e ardhshëm, të secilit sondazh paraprak. Pra,
ne po ngjitemi lart e më lart dhe nuk ka fuqi që na ndal drejt 500 mijë votave më datën 9 shkurt.
Ata tjerët e patën bërë Kosovën, si buxhet, si territor e si institucione, copë-copë, por ata edhe
vetë janë copë-copë. Pra, mos u merrni me ta fare. Vetëm kontaktoni sa më shumë qytetarë cep
më cep, këtu në Artanë e kudo që i njihni në Kosovë, miq dashamirë, kolegë, shoqe, shokë,
familje e farefis, kushërinj nga të gjitha anët, në mënyrë që askush të mos mbetet pa votuar. Nëse
në një familje 6 veta kanë të drejtë të votojnë, se janë mbi moshën 18-vjeçare, nuk duhet të
votojnë vetëm 3, nuk duhet të votojnë vetëm 4, nuk duhet të votojnë vetëm 5, duhet të votojnë të
gjithë 6-ët. Vetëm asisoj e kemi kryer obligimin tonë demokratik, e kemi shfrytëzuar të drejtën
tonë për qeverisje 4-vjeçare të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të partnerëve të saj të
koalicionit.
Përfundimisht, me qeverisjen tonë ka marrë fund ajo teza që është e mundshme edhe pazari me
struktura të Serbisë, edhe puna për Republikën e Kosovës. Nuk është e mundshme edhe pazari
me struktura të Serbisë, edhe angazhimi për shtetin e pavarur. Këto dy gjëra e përjashtojnë njëra-
tjetrën. Kur angazhohesh për shtetin e pavarur, i lufton strukturat e Serbisë, e nëse bën pazar me
struktura të Serbisë, nuk je duke u angazhuar e punuar për shtetin e Kosovës.
Populli jonë e ka një shprehje shumë të mirë. Thotë: Ai që mundohet me i mbajt dy kunguj nën
një sqetull, e ka edhe një kungull të tretë mbi qafë. Pra, ajo mënyrë e qeverisjes, e keqeverisjes,
ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Në mesin e 110 kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të partisë Guxo dhe të partisë
Alternativa, i keni njerëzit e të gjitha profesioneve, të të gjitha anëve të Kosovës cep më cep, të
të dy gjinive, të të gjitha religjioneve dhe në këtë mënyrë dhjetë veta mund t’i votoni. Më kollaj
është se herën e kaluar kur kanë qenë pesë, por nuk është shumë kollaj, sepse secila e secili janë
më të mirë se tjetri, por të gjithë ata së bashku janë padyshim më të mirët, më datën 9 shkurt e
me numrin 1 1 8.
Unë ju falënderoj shumë për mbështetjen që ja keni dhënë edhe Lëvizjes, edhe qeverisë, edhe
atëherë kur ishim opozitë jashtë sistemit, edhe opozitë në sistem, edhe në protesta, demonstrata e
në tubime, edhe në çdo aksion që kemi ndërmarrë e në çdo zgjedhje që kemi dalë. Tash, më
datën 9 shkurt le ta bëjmë një fitore të madhe, të paparë, rekord, historike që e festojmë në
Prishtinë, në Artanë dhe anembanë Republikës së Kosovës cep më cep.
1 1 8 është numri ynë dhe 500 mijë është synimi ynë! Me numrin 1 1 8 e realizojmë synimin
tonë, gjysmë milioni vota për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Faleminderit shumë e mirupafshim!

Kontribo