29 09 2019

Deçan: Frika nga humbja i detyron të bëjnë veprime të ulëta

Pesë herë me radhë, në Deçan, disa të panjohur kanë dëmtuar banerët elektoralë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Fokusi i këtij gjesti të ulët ka qenë sidomos baneri ku shfaqej fotografia e kandidatit për kryeministër, Albin Kurtit.

Ky veprim i shëmtuar tregon frikën e cila i ka kapur bandat partiake që e kanë vjedhur Kosovën për 20 vite me radhë. Me pushtetin e tyre po largohet rinia, por me pushtetin e VETËVENDOSJES! do të largohet mafia!

Ne do të vazhdojmë t’i vendosim banerët tanë, sipas ligjit, kudo. Subjektet e PAN-it, në panik sepse janë jashtë gare, po kërkojnë vazhdimisht të na provokojnë. Por ne nuk do të biem pre e provokimeve të tyre. Aktivistët tanë në Deçan, e në krejt Kosovën, kanë qenë në gjendje të ballafaqohen me guxim maksimal, dhe gjithnjë të fitojnë, përballë pushtetarëve abuzivë nga të gjitha partitë.

As Deçani e asnjë vend në Kosovë, nuk ka nevojë për tension, por për zhvillim e investime. Ata që e kanë lënë Deçanin pa investime, pa zhvillim ekonomik dhe pa urbanizim sot kanë frikë, sepse ka ardhur koha që të humbasin bindshëm. Populli ka marrë vendim kundër tyre, ka marrë vendim për ndryshimin e madh që Deçani e Kosova të kthehet kah e mbara, me Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Fatkeqësisht policia e cila është njoftuar zyrtarisht, nuk po vepron, edhe pse ky veprim i përsëritur pesë herë rresht ka ndodhur në qendër të qytetit në një hapësirë të monitoruar me kamera. Prandaj themi se me qeverinë Kurti, edhe policët do të çlirohen prej frikës dhe do të kenë mundësi ta zbatojnë ligjin njësoj për secilin, edhe për banditët e partive të vjetra.

Erdhi dita për ndryshim. Erdhi dita t’i largojmë abuzuesit dhe banditët nga pushteti. Erdhi dita për drejtësi e zhvillim, për Deçanin dhe për krejt Kosovën.

Kontribo