18 04 2014

Deklarimi i Albin Kurtit gjatë homazheve në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë

Sot jemi këtu që të kujtojmë dëshmorët e komunës së Prishtinës. Dëshmorët janë dëshmi e sakrificës dhe e vetëmohimit, kontributit e luftës, rezistencës e kryengritjes tonë dhe njëkohësisht këta janë edhe dëshmi që Serbia ishte agresore, okupatore, shtypëse, shfrytëzuese dhe prandaj, në Ballkan për të pasur paqe dhe drejtësi do të duhej të kishim një tribunal për Serbinë e kurrsesi për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës po tregon që ka kapitulluar dhe prandaj tash po vjen tribunali. Pra, kapitullimi që e përjetoi në Bruksel gjatë negociatave me Daçiqin e Vuçiqin, po kurorëzohet me një tribunal kundër Kosovës. Tribunali i këtillë, të cilin po e mirëpret kryeministri, ndonëse po e din që është i padrejtë, në fakt është shtruar edhe nga deklaratat e tij se ai ka qenë larg fronteve të luftës. Me fjalë të tjera, ai tha se “shokët e mi që kanë qenë në front të luftës merrni lirisht, ndërkaq unë isha shumë larg atyre”. Dhe, e fundit është që një tribunal i këtillë për Kosovën, apo gjykatë e veçantë siç po quhet, në fakt është ekstradim edhe i pavarësisë, edhe i luftës çlirimtare, është dorëzim jashtë vendit tone i këtyre gjërave që janë aq themeltare e aq thelbësore, sa që na bëjnë ata që jemi.

Kryeministri i Kosovës po pajtohet me qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s se ai e ka bishtin e zënë me derë. Ai po thotë se tribunal është i padrejtë, mirëpo duhet të votohet pikërisht sepse është i shantazhuar. Ky është konfirmim i shantazhit ndaj Kryeministrit.

18 prill 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo