21 10 2016

“DREJTËSIA” E KLANIT PRONTO DHE E EULEX-IT LIRON NUHI UKËN

Lirimi i ish kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, mbi të cilin rëndonin akuza për krim të organizuar me disa të pandehur të tjerë, tregon edhe një herë për gjendjen jashtëzakonisht të keqe të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Shpallja e tij si i pafajshëm, duke u liruar nga njëra akuzë teksa të tjerat i ishin vjetëruar, është dëshmia me e mirë që ky sistem është komplet i kriminalizuar dhe udhëhiqet nga kokat e krimit të klanit “Pronto”, në bashkëpunim me misionin nddërkombëtar EULEX, i cili nuk shprehu asnjeherë gatishmëri për të luftuar krimin. E për më keq, EULEX që nuk preku asnjeherë majat e krimit në Kosovë, u korruptua edhe vetë.

Uka akuzohej si drejtues i një grupi të organizuar kriminal, të cilët kishin kryer krime të ndryshme. Ai akuzohej për shkelje ligjore, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, si dhe për keqpërdorim të ish pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë, bashkë me ish-deputetin e PDK-së Azem Syla. Dhe pikërisht lirimi i tij vjen si pasojë e afërsisë me klanin “Pronto”, që është pasqyrë e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, të cilët veprojnë lirshëm para EULEX-it, mision ky që premtonte rend, ligj e drejtësi.

Siç u bë e ditur, bashkë me Ukën dhe të tjerë, në këtë proces gjyqësor akuzohej edhe Fehmi Havolli, eksperti i gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, akuza ndaj të cilit u hodh poshtë po ashtu për shkak të vjetërsisë së lëndës. Ndryshe, Fatmir Havolli është mik (vëllai i gruas) i Ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit, Dhe kjo flet qartazi që krerët e ekzekutivit të shtetit e kanë orientuar aktivitetin e tyre vetëm në mbrojtje të kriminelëve, qoftë për shkak të afërsisë familjare, qoftë përkatësisë partiake, apo lidhjeve tjera biznesore.

Në anën tjetër, pa asnjë provë a fakt vazhdojnë të mbahen në burg gjashtë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me raste të montuara për veprime terroriste. Ky pushtet që ka kapur çdo institucion, dhe lufton këdo që synon çlirimin e këtyre institucioneve, çrrënjoset vetëm me angazhimin qytetar. Është pikërisht “drejtësia” e klanit Pronto ajo që ka kushtëzuar humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, dhe pengesa kryesore për zhvillimin e shtetit, sovranizimin e Republikës dhe mirëqenien e barazinë për qytetarët.

Ky rast shpërfaq edhe dështimin e EULEX-it si mision, për çfarë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paralajmëruar me vendosjen e tij në Kosovë, EULEX, që nuk u mor as me krimet e strukturave të Serbisë përgjatë këtyre 14 viteve të pasluftës në veri të Ibrit, nuk po merret as me krimet e klanit “Pronto”. Madje është shndërruar në bashkëpunëtor të zellshëm të tyre. EULEX nuk solli ligj e drejtësi, por vetëm shkelje të ligjit e padrejtësi.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përveç se shpreh shqetësimin e saj dhe kundërshton një vendim të këtillë, kryekëput politik dhe të shkruar nga kriminelët e klanit “Pronto”, për ta pranuar më pas EULEX-i. Drejtësia nuk është e pamundur, zhvillimi e fuqizimi i shtetit nuk janë të pamundura. Por me këtë rrjet të organizuar kriminal me pushtet politik e gjyqësorë ato po na mohohen vazhdimisht. Ndryshimi politik që e çrrënjos krimin është e vetmja rrugë përpara.

Kontribo