04 02 2025

Drenasi i patriotizmit dhe ekonomisë – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Drenasit

Mirëmbrema Drenas dhe mirë se ju gjej në Drenicë. Ne ju kërkojmë falje që u vonuam pak
sonte, pasi në Skenderaj pati pjesëmarrje më të madhe në tubim se sa kishim menduar; na pritën
edhe me fishekzjarre dhe petarda. Entuziazëm shtesë për fitoren tonë të 9 shkurtit me 500 mijë
zemra për numrin 1-1-8.
Jemi këtu në Drenasin e Drenicës, të Kosovës, të kombit shqiptar që ka vuajtur dhe humbur
shumë, sepse ka luftuar pa u ndalur dhe ka flijuar bijat dhe bijtë e saj më të mirë, për çlirim, për
liri, për pavarësi dhe për bashkim.
Ne kurrë nuk i harrojmë masakrat e Qirezit, të Likoshanit, të Poklekut të Vjetër, të Çikatovës së
Vjetër, të Abriës së Epërme dhe dhjetëra masakra të tjera për të cilat Republika e Kosovës
kërkon drejtësi dhe padyshim që të gjithë ata kriminelë tani do të përndiqen edhe me gjykime në
mungesë, me dënime në mungesë, sepse viktimat i kanë plagët e hapura dhe ne do të jemi
përherë pranë tyre me dorën e mirë dhe të drejtë për shtetin.
Por, ashtu siç e kemi pikëllimin e madh për humbjet, dhimbjen dhe vuajtjet e shkaktuara nga
armiqtë, gjithashtu jemi shumë krenarë për lavdinë e madhe që vjen prej luftëtarëve si Shaban
Polluzha dhe Mehmet Gradica, e deri te Fazli Grajçevci dhe Fehmi Lladrovci, e mijëra
dëshmorë, martirë, luftëtarë të paepur dhe veprimtarë të çështjes kombëtare nga Drenasi dhe
Drenica.
E kur përmendet Fehmi Lladrovci, kur përmendet Fehmija, të gjithëve na bie ndërmend edhe një
emër tjetër; na bie në mend Xheva jonë, heroina e popullit tonë. Një grua shembull, e
pathyeshme, që dashurinë për Fehmin e shprehu edhe duke e dhënë jetën bashkë me të në front
kundër armikut tonë shekullor, Serbisë.
Nëse e keni dëgjuar shpesh atë thënien, çiftet kur martohen ju shpallin burrë dhe grua derisa
vdekja t’i ndajë, Fehmiun dhe Xheven as vdekja nuk i ka ndarë.
E kur i përmendim Fehmiun dhe Xheven, nuk mund të mos e përmendim edhe një emër tjetër:
vajzën Fatime Hetemi. Fatimja, e cila ra bashkë me Fehmiun dhe Xheven, sepse ishte një vajzë e
besuar prej tyre dhe ajo është njëkohësisht edhe motra e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit,
Lulzim Hetemi. E Fatimja, bashkë me Fehmiun dhe Xheven, ra dëshmore duke luftuar me ta deri
në frymën e fundit më 22 shtator të vitit 1998! Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit!
Të dashur qytetarë të Drenasit, gjatë këtyre 4 viteve të qeverisjes sonë, prodhimi bujqësor,
industrial dhe zejtar është shtuar, sepse është përkrahur nga qeveria, në mënyrë që t’i zvogëlojmë
dhe zëvendësojmë importet, ta rrisim eksportin dhe punësimin e qytetarëve.
Vendi i punës dikur ishte armë në duar të pushtetit për t’i disiplinuar qytetarët. Me ne është në
funksion të mirëqenies dhe dinjitetit të qytetarit të Republikës, që bëhet punëtor në ekonominë e
shtetit dhe për familjen e vet.
Para qeverisjes sonë, shtetndërtimi në Kosovë ka qenë vetëm për shtet administrativ, për shtet me
komuna dhe komunitete dhe aq shumë në shërbim të pushtetit. Me ne po bëhet shtet zhvillimor
dhe shtet social dhe shtet i së drejtës. Shtetndërtimi në Kosovë nuk ka qenë për shtet zhvillimor,

por shtet që ekonominë e bën treg, tregun pazar dhe pazarin zhvatje. Shtetndërtimi në Kosovë,
para nesh në qeverisje, nuk ka qenë për shtet social, por për shtet privat, për privatizim pa shtet
dhe për shtet të privatizuar.
Me Qeverinë e Vetëvendosjes, shtetndërtimin e bëjmë ashtu siç e mendojmë dhe e besojmë:
Republikë me zhvillim, barazi dhe drejtësi për të gjithë, që s’lë askënd mbrapa.
E në këtë ecje tonë të përbashkët, me qeverisje të mbarë dhe të mirë demokratike, padyshim që
rinia është me ne. Rinia është me VETËVENDOSJEN!, Guxo dhe Alternativën. Por me
koalicionin tonë fitues që mban numrin 1-1-8, duhet të bëhen të gjithë: bujq, zejtarë, mjekë,
inxhinierë, pensionistë, profesorë, arsimtarë, invalidë, veteranë, familje të dëshmorëve dhe të
zhdukurve. Pra, të gjithë, i madh e i vogël, cep më cep, sepse ashtu bashkë, ashtu të bashkuar,
jemi duke i hequr qafe, duke i pensionuar, duke i eliminuar nga skena e pushtetit politikanët,
himni i të cilëve nuk është “Rreth flamurit të përbashkuar”, por rreth korrupsionit të përbashkuar.
E të dashur qytetarë të Drenasit, ata, ata i ka bashkuar korrupsioni, po a e dini çka? Ata i ka
ndarë paraja, tash janë duke u përçarë, sepse paraja, materialja, nuk i bashkon njerëzit, i ndan
njerëzit.
Idealja, shpirtërorja, që është bashkë te Lëvizja jonë, te koalicioni jonë, që ka qeverisur mirë për
4 vjet dhe do të qeverisë edhe 4 të tjera pas 9 shkurtit, njerëzit bëhen bashkë. Neve na bën bashkë
shpirti kombëtar dhe ideali i dëshmorëve. Ata po i ndan dhe po i përçan paraja e pakëputur dhe e
zhvatur nga korrupsioni i tyre i përbashkët. Pra, edhe një herë, korrupsionin e kishin të
përbashkët, por paraja po i ndan dhe po i përçan. Prandaj, ata që ishin të pabesë janë bërë edhe të
pashpresë.
E rritjen ekonomike, e cila reflektohet në 50% bruto produktin vendor më të lartë se para 5
vjetëve, ne e kemi shprehur jo vetëm në mbështetje sociale, por edhe në investime kapitale.
Rekord të investimeve kapitale ka pasur viti i kaluar: 654 milionë euro. Dhe a e dini çfarë? Në
periudhën trevjeçare, 2021-2024, mesatarja vjetore për projektet kapitale është rritur për plot
35% krahasuar me mesataren vjetore të atyre 12 viteve para nesh, 2008-2020.
Dhe mbështetja jonë për Kosovën, cep më cep, është reflektuar posaçërisht edhe këtu në Drenas.
Në Drenas i kemi mbështetur 86 familje me mesatarisht 3,600 euro për izolimin e shtëpive.
Gjithashtu, i kemi izoluar dy ndërtesa shumëbanesore sociale, ku banojnë 50 familje, të cilët tash
dimrin e kanë më të ngrohtë, verën e kanë më të freskët, ndërsa me 1 milion euro i kemi rinovuar
për efiçiencë të energjisë elektrike në 9 shkolla: Shkollën “Dëshmorët e Drenicës” në Çikatovë të
Vjetër, “Luigj Gurakuqi” në Sankovc, “Jusuf Gërvalla” në Negroc, “Gani Elshani” në Krajkovë,
“Migjeni”, Shkollën “Shaban Polluzha”, Shkollën “Shotë Galica”, Shkollën “24 Korriku”, si dhe
ndërtesën e mjekësisë familjare në fshatin Nekoc.
E kur jemi te fshati Nekoc, më lejoni që, në emrin tuaj, bashkërisht, bashkëveprimtarit tim,
bashkëvuajtësit tim nga ditët e burgut – ndonëse, kur t’i mblidhet i gjithë burgu i tij, ky ka
ndenjur më shumë se trefishi i qëndrimit tim në burg – t’ia urojmë ditëlindjen Enver Dugollit.
Edhe një mend, sot i ka mbushur 62, nuk duket as si 52, por zemrën e ka si 22-vjeçar.

Në mandatin e ri do të investojmë edhe 150 milionë euro në efiçiencë të energjisë, duke
mbështetur familjet që kanë nevojë për t’i përkrahur për të izoluar shtëpitë e tyre dhe për të
siguruar kushte më të mira për nxënësit, pacientët, sportistët dhe zyrtarët në ndërtesa publike si
shkolla, spitale e salla sporti.
Bujqësia krijon raport të ri të qytetarit të Republikës me territorin e shtetit.
Mbi 7 milionë e gjysmë euro mbështetje me subvencione dhe grante për më shumë se 4,100 bujq
e fermerë në Drenas. Faleminderit Ministër Faton Peci. Rreth 2,500 nëna lehona dhe mbi 15,000
fëmijë kanë përfituar shtesa. 470 të rinj janë punësuar përmes platformës Superpuna. Pensionistët
e Drenasit kanë përfituar 20% pension të rritur nga tetori i vitit të kaluar dhe 5 herë pensionin e
13-të për 4 vjet. Faleminderit, Ministër Hekuran Murati.
E me qeverinë tonë të re pas 9 shkurtit, edhe gjyshes dhe gjyshit që kujdesen për mbesat dhe
nipërit prej 1 deri në 3 vjeç, kur fëmijët janë të tillë që në familje punojnë të dy prindërit, do t’ua
japim një shtesë 100 euro mbi pensionin e tyre. Mbështetje financiare edhe për çerdhet
brendafamiljare.
E për çerdhet publike, nga viti 2003 deri në vitin 2020, për 17 vjet, qeveritë edhe ministritë e
arsimit në të kaluarën i kanë ndërtuar vetëm 4 çerdhe! Për 17 vjet vetëm 4 çerdhe publike. Me
qeverinë tonë janë ndërtuar ose janë duke u ndërtuar 65 çerdhe në 25 komuna, në 7 rajone të
Kosovës, cep më cep.
E në Drenas janë duke u ndërtuar 4 çerdhe, edhe një tjetër që pret të fillojë të ndërtohet po ashtu.
Pra, qeveria jonë, të dashur qytetarë të Drenasit, po ndërton më shumë çerdhe vetëm në Drenas
sesa krejt qeveritë e tjera marrë së bashku për 17 vjet për krejt Kosovën.
Do t’i ndërtojmë edhe 5 rezervuarë të ujit, sepse kemi mungesë të akumulimit të ujit në
Republikën tonë. Një prej atyre do të jetë edhe Diga e Kuqicës. Ka 50 vjet që përmendet Diga e
Kuqicës. Me 500 mijë zemrat që bëhen bashkë më 9 shkurt, Diga e Kuqicës do të bëhet sepse
është e domosdoshme për ujitje, për pije, për industri, për bujqësi, për amvisëri edhe për
Skenderaj edhe për Drenas.
Do ta decentralizojmë shërbimin shëndetësor dhe në çdo spital rajonal do të ketë pajisje,
shërbime të reja dhe infrastrukturë. Do ta ndërtojmë spitalin e ri në Mitrovicë dhe poliklinikën
specialistike këtu, tek ju, në Drenas. Por përveç kësaj, do ta ndërtojmë edhe qendrën kryesore të
mjekësisë familjare, projekt ky që tashmë ka filluar në fund të vitit të kaluar dhe për të cilin
tashmë janë ndarë afër 3 milionë euro.
Me qeverinë e re do ta përfundojmë edhe një punë që ka nisur me qeverinë tonë të tanishme,
Parkun Industrial. Puna ka nisur në nëntor të vitit të kaluar, investimi është gati 8 milionë euro e
parku do të ketë hapësirë për 50 biznese prodhuese.
E do ta përfundojmë edhe rrugën Drenas-Komoran, të cilën e kemi buxhetuar 7 milionë euro për
tre vitet e ardhshme.
Në muajt e parë të qeverisë së re do ta heqim taksën doganore prej 10% për veturat e importuara
nga Bashkimi Europian.

Të dashur qytetarë të Drenasit, të nderuar të pranishëm, sonte po dua t’ju shtroj një pyetje; a thua
pse qeveritë para nesh nuk kanë blerë armatim për ushtrinë tonë? Çka kemi gjetur ne kur kemi
ardhur në qeverisje, janë revole brezi dhe disa automatikë. Pyetja ime është; qeveritë e
mëhershme, a nuk kanë dashur të blejnë armatim, apo Perëndimi nuk u ka shitur armatim atyre?
Pra, shtetet e mëdha e kompanitë e prodhimit të armatimit, a nuk kanë pranuar kërkesa për blerje
të armatimit e të municionit nga qeveritë paraprake, apo kanë vendosur që mos t’ua shesin atyre?
Unë nuk po përgjigjem sonte në këtë pyetje, por veçse mendoni mirë, veçse mendoni mirë.
Si bëhet që për vitet 2018-2020 as 4 milionë euro nuk janë shpenzuar për armatim e municion
për ushtrinë tonë, ndërkaq për 3 vjet të qeverisjes sonë mbi 319 milionë euro për Ushtrinë e
Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilën e udhëheq Komandanti Gjeneral Lejtenant
Bashkim Jashari.
E pra, në këto 4 vite rreth 320 milionë euro i kemi investuar në armatim dhe municion të
ushtrisë. Çizmet në tokë i kemi dyfishuar, sytë në ajër i kemi shtuar me dronët Bayraktar, por
edhe tanket e armiqve nuk kanë më shans të hyjnë në Kosovë, sepse po e blejmë sistemin
antitank Javelin Amerikan. E përpos shqiponjave tona autoktone, në qiellin e Republikës së
Kosovës do të fluturojë edhe skifteri i zi amerikan, helikopteri Black Hawk. Dhe në atë
helikopter, piloti do të jetë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, me flamurin e Republikës sonë, që
neve na e shton sigurinë, e armikut panikun. Dhe ushtari i FSK-së nuk do ta shohë kurrë më
fundin e sandukut apo të arkës së municionit, sepse në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1
miliard euro për Ushtrinë e Kosovës, do ta ndërtojmë edhe fabrikën e municioneve dhe do t’i
kemi dronët tanë, Made in Kosova.
Të dashur qytetarë të Drenasit, përparimi i vërtetë është përparim për shumicën dërrmuese, jo
përparim për pakicën. Përparimi për pakicën është shtypje, shfrytëzim, diskriminim. Dhe
pikërisht këtë gjë e kemi bërë ne. E kemi pasur shumicën gjithmonë në qendër, parasysh, në
zemër e në mendje. Andaj edhe ne jemi të pavarur në vendimmarrje dhe të pakorruptuar në
përbërjen tonë, si qeveritarë ashtu dhe si ekip prej 110 kandidatëve me numrin 1-1-8, që kërkon
votën tuaj për interesin tuaj, për shumicën e popullsisë, të cilës Republika i ka borxh, sepse
shumica, populli i Kosovës, janë burimi i sovranitetit të shtetit tonë të pavarur.
E duke e bërë bashkë rritjen si zhvillim me barazinë pa dallim, ne e kemi realizuar progresin e
paparë për republikën tonë, andaj edhe mund të themi që qeverisja e VETËVENDOSJES! 2021-
2025 ishte pushtet i drejtë dhe pushtet i së drejtës, i pari i tillë në Kosovën e pavarur që nga
shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
E sot, e sot për ne patriotizëm do të thotë: ti qëndrosh besnik idealit të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, e jo të provosh të qeverisësh e të përfitosh për vete në emër të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës. Pra, jo në emër të UÇK-së, por besnikëri ndaj UÇK-së. Kjo është parulla jonë, si në
opozitë dikur, si në qeverisje këto 4 vjet, si në qeverisje edhe së paku 4 vjet pas zgjedhjeve të
reja. UÇK do të thotë ta duash popullin. Ta duash lirinë, edhe mirëqenien e popullit. Prandaj,
patriotizëm në institucione dhe në shoqëri është të kontribuosh për shtetin sot, ta ruash buxhetin,
ta shtosh mirëqenien e ta rrisësh punësimin. Pikërisht këtë gjë ne po e bëjmë bashkë me juve, për
juve. Pikërisht këtë gjë do ta bëjmë edhe më shumë, edhe më shpejt, edhe më mirë, edhe më

mbarë, bashkë me juve, për juve, në mandatin e ardhshëm pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur ju do
të votoni masivisht për një fitore të paparë, e rekord për numrin 1-1-8.
Të dashur qytetarë të Drenasit, ne kurrë nuk i diskriminojmë komunat e Kosovës. Nuk ka rritje
më të madhe të buxhetit për komunat, brenda të njëjtit mandat, se sa kjo që e ka bërë qeveria e
Republikës së Kosovës për buxhetin e vitit 2025, krahasuar me buxhetin e trashëguar të vitit
2021.
Këtu, në komunën e Drenasit, për 4 vjet, rritja e grantit qeveritar për komunën tuaj është më
shumë se 40%. Granti qeveritar për Drenasin në këtë vit që jemi tani, 2025, është mbi 40% më i
madh se sa në vitin 2021. Dhe a e dini çfarë? Nga buxheti i gjithëmbarshëm që e ka komuna e
Drenasit, a e dini sa janë të hyrat vetanake të komunës? Vetëm 8.6%. 91.4% janë prej qeverisë
tonë. Komuna e Drenasit, në buxhetin e vet, para të vetat, nga të hyrat vetanake nuk i ka as një të
njëmbëdhjetën. Prej 11 eurove që i ka Komuna e Drenasit, asnjë euro nuk është e të hyrave
vetanake. Krejt janë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku unë jam Kryeministër dhe
Hekuran Murati është Ministër i Financave.
Prandaj, ata që e duan Drenasin, e duan VETËVENDOSJEN! Ata që e duan Republikën, e duan
VETËVENDOSJEN! dhe VETËVENDOSJES! i duhen sepse i duam 500 mijë vota me 9 shkurt,
të dielën, atëherë ku do të numurohen pasi të hapen kutitë e votimit gjithandej Kosovës, cep më
cep, nga të cilat duhet të dalin votat si zemra! 500 mijë vota që dalin nga kutitë e zgjedhjeve të
rregullta parlamentare të së dielës së 9 shkurtit.
E të dashur qytetarë të Drenasit, të nderuar të pranishëm, të respektuar pjesëmarrës, e sidomos të
dashur tre kandidatë që ju kemi këtu nga Drenasi, në listën tonë me 110 burra e gra; Egzona
Tërdevci, Blerim Gashani, Enver Dugolli, nga ju të tre dhe nga gjithë ju, kërkoj që në mesin e
këtyre 500 mijë votave, cep më cep Republikës, 8,000 të jenë nga komuna e Drenasit.
A zotoheni të gjithë, secila dhe secili, që kur të hapen kutitë me datën 9 shkurt, në orën e
mbrëmjes, prej 500 mijë zemrave, 8,000 do të jenë nga Komuna e Drenasit?
Faleminderit shumë, atëherë mos u ndalni duke punuar për çdo orë të këtyre ditëve deri me datën
9 shkurt, e më 9 shkurt votojmë bashkë, fitojmë bashkë, festojmë bashkë!
500 mijë zemra në Kosovë, 8,000 zemra në Drenas për 4 vjet mirëqenie, me dinjitet, shtet me
sovranitet, territor me integritet!
Faleminderit! Ju dua fortë! Mirënjohje e përzemërt për kaq mbështetje që na e keni dhënë edhe si
Lëvizje, edhe si qeveri! Mirupafshim e natën e mirë!

Kontribo