19 02 2019

E ardhmja e arsimit parauniversitar – kurrikula dhe tekstet shkollore

Cikël diskutimesh profesionale mbi 10 vitet e decentralizimit në arsimin parauniversitar

Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon angazhimin intensiv për trajtimin e problemeve të arsimit parauniversitar.

Në ambientet e Kuvendit, Komiteti për Arsim dhe Shkencë mbajti sot tryezën e dytë të cilklit të tryezave profesisionale. Temat kryesore ishin mbi problematikat e zbatimit të Kurrikulës së re dhe tekstet e materialet mësimore.

Parashtrimin kryesor e mbajti drejtori i Institutit Pedagogjik të Kosovës Selim Mehmeti, ndërsa profesionistët e pranishëm shpalosën kritikat dhe sugjerimet për kurrilën e re shkollore dhe problematikat e lidhura me të.

Reforma kurrikulare ka filluar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës që prej vitit 2008. Udhëheqja e këtij procesi parashihej të bëhej nga divizioni i kurrikulës në ministri, drejtoria komunale e arsimit dhe drejtoritë e shkollave. Mirëpo, divizioni vuan nga mungesa e stafit, detajimi i përgjegjësive dhe mosimpenjimi në proces, ndërsa drejtoritë komunale dhe ato shkollore i shmangen problematikave të zbatimit të reformës.

Po ashtu, kurrikula e re nuk i përfshin ekspertët e fushës, madje deri në atë pikë sa fakulteti i edukimit ndihet i lënë jashtë këtij procesi. Ekspertët e fushave nuk po ia mbërrijnë që ekspertizat e tyre të futen në kontakt me mësimdhënësit.

Përsa i përket zhvillimit të mësimdhënësve, mungesa e standardeve të lëndëve mësimore, ndryshimi i vazhdueshëm i normativave dhe i kualifikimeve, trajnimet me bazë kompetencat dhe jo ato me qasje të integruara e kanë cënuar së shumti zhvillimin e mësuesve. Nga ana tjetër, trajnimet e mësimdhënësve përgjithësisht janë të varur nga projektet dhe financimet ndërkombëtare dhe politikat tona për kanalizimin e këtyre mbështetjeve mungojnë. Ndërsa për sa i përket teksteve mësimore, ata vuajnë nga mbigarkesa me përmbajtje, kompozimi i dobët dhe gjuha diskriminuese, sidomos ndaj grave.

Në përfundim, u përmblodhën edhe rekomandimet e dala nga tryeza, ku u tha:

Duhet një analizë, strategji dhe vizion për përmbajtjen dhe metodat për të cilat kanë nevojë mësimdhënësit tanë;
Zbatimi i kurrikulës së re duhet avancuar me sugjerimet dhe kritikat për të;
Shkollat duhet të jenë vendi kryesor ku punohet me kurrikulat;
Planifikimi i kurrikulave duhet parë si i vetmi mekanizëm krijues për mësimdhënësit dhe jo si procedurë administrative;
Duhet ngritur një komision për vlerësimin e gjuhës dhe vlerave shoqërore të përdorura në tekstet shkollore;
Duhet mbështetje më e madhe buxhetore për zbatimin e reformës kurrikulare dhe mbikqyrje zbatimit të tij;
Mekanizmat mbështetës si shërbimet dhe aktivat profesionalë kanë nevojë për forcim;
Sistemi ka nevojë për një institucion përgjegjës për orientimin dhe koordinimin e politikave të partnerëve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve;
Mënyra e dhënies së trajnimeve është për t’u ndryshuar dhe institucionalizuar;

Lëvizja do ta vazhdojë përpjekjen për cilësinë në arsimin parauniversitar, duke u organizuar me profesionistët e dashamirësit e arsimit.

Në radhë është diskutimi për arsimin profesional dhe këshillimin e karrierës për nxënësit në vendin tonë.

Kontribo