06 10 2022

Fillon niveli teorik i shkollës politike në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Sekretariati për Emancipim Politik në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, mbajti dje sesionin hapës për Nivelin teorik të Shkollës politike. Aktivistët Pavjo Gjini, Mrika Limani Myrtaj, Liridona Kelani dhe Hazir Asllani mirëpritën ndjekësit e shkollës për këtë vit. Pavjo Gjini bisedoi për esencën e aktivizmit të zbërthyer përmes shkollës politike, duke e vënë theksin te raportet ndërmjet teorisë dhe praktikës dhe natyra praktike e teorisë në përditshmëri. Ai foli gjithashtu për shkollën si kuvend përmes të cilit aktivistët do të mund të diskutojnë e shkëmbejnë ide në shërbim të pajimit me mendim kritik dhe qasjen për të lëkundur dogmatiken kurdoherë ajo synon të zë rrënjë, në këtë formë duke mundësuar emancipimin në vetvete. Ndërkaq, Mrika Limani Myrtaj diskutoi shkurtimisht për paramendimin e shkollës politike si tërësi për demitizim të teorisë dhe më pas i informoi ndjekësit për çështjet praktike të ndjekjes së shkollës politike.

Ky nivel i shkollës do zgjasë deri në verën e vitit që vjen dhe do përmbajë pesë lëndë të ndryshme. Aktivistet e aktivistët nga qytete të Kosovës, Shqipërisë dhe nga diaspora do kenë rastin të ndjekin ligjërata dhe të marrin pjesë në diskutime bashkë me ligjërues të shumtë që vijnë nga fusha e profesione të ndryshme.

Kontribo