21 11 2019

Fjala e Kryetarit Albin Kurti në tryezën: “Mbështetja dhe fuqizimi i organizimit sindikal”.

Mirëdita të gjithëve dhe ju falemnderit shumë që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë tryezë shumë të rëndësishme. Roli dhe rëndësia e sindikatave në Kosovë duhet të rritet, ky është qëndrim i yni themelor.

Organizimi sindikal

Në një shtet të mirëqenies sociale sindikatat dhe shteti janë partnerë për të rritur mirëqenien dhe standardin jetësor të punëtorit dhe jo konkurrente me njëra-tjetrën.

Negociatat e sindikatave duhet të ndodhin për bindjen tonë në nivel industrial e sektorial jo vetëm me shtetin dhe përmes shtetit sepse kjo edhe ngapak i ka pasivizuar sindikatat.

Ne duam që sindikatat të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve mbrohen më së miri kur sindikatat janë të fuqishme e sindikatat e fuqishme i mbrojnë punëtoret nga arbitrariteti i punëdhënësit, duke përfshirë edhe shtetin si punëdhënës.

Kontratat në vendin e punës, respektimi i orarit, paga minimale, pushimi dhe të drejtat tjera duhet të garantohen nga shteti por duhet të mbrohen së bashku me sindikatat. Punëtorët janë më të fortë kur sindikatat janë më të organizuara.

Ka disa veprime që do të ndërmarrin në këtë drejtim e që do të lehtësojnë dhe fuqizojnë punën e sindikatave.

Ekonomia formale që synon të sjellë punëdhënësit dhe punëtorët brenda ligjit, rritja e inspektorëve të punës dhe krijimi i Gjykatës së Punës do jenë hapa që do të mbrojnë punëtorët dhe fuqizojnë sindikatat.

Kontrata kolektive

Ne mbështesim kontratën kolektive si kontratë mes punëdhënësve dhe punëtorëve që rregullon të drejtat dhe obligimet. Në kontratën e tanishme kolektive, pjesëmarrës dhe garantues i saj është edhe qeveria e Kosovës dhe ky është model i mirë, por prezenca e shtetit nuk duhet të dobësojë rolin dhe fuqinë e sindikatave, pra, një model ku sindikatat dhe punëdhënësit rregullojnë të drejtat dhe obligimet pa prezencën e shtetit si ndërmjetësues është po ashtu e favorshme.

Duhet synuar që kontratat kolektive të jenë sektoriale gjithashtu dhe të jenë pjesë përbërëse e kontratave të punës. Negocimi nga sindikatat duhet të jetë shkallor dhe sektorial në mënyrë që të jetë i drejtë dhe fer. Shembuj për këtë organizim janë vendet nordike të cilat kanë edhe një nivel të lartë të mirëqenies.

Tregu i punës, duke përfshirë ligjin e punës duhet të jetë i rregulluar ashtu që promovon kurdo dhe kudo të drejtat e punëtorëve dhe fuqizon sindikatat.

Gjykata e punës

Do të themelojmë Gjykatën e Punës për trajtim të kontesteve punëdhënës-punëmarrës sepse shkeljet e mëdha meritojnë gjykim e dënim por edhe shkeljet e vogla nuk duhet neglizhuar dhe duhet trajtuar. Kur kemi reagim të duhur për shkeljet e vogla, parandalohen edhe të mëdhatë.

Paga minimale

Progresi jonë shoqëror matet jo me rrogën dhe jetën që bëjnë biznesmenët dhe qeveritarët, por me jetën dhe standardin jetësor që bënë qytetari jonë më i varfër.

Vendimi për pagën minimale është vendim që merret për të mbrojtur pjesën më të ndjeshme të shoqërisë që jetojnë në minimum të të ardhurave.

Do të ishte e dëshirueshme që punëdhënësit së bashku me sindikatat të negocionin dhe të vendosnin për pagën minimale bazuar në produktivitetin e sektorit, në kërkesat e punëtorëve për të siguruar një jetë normale dhe në dijen, njohuritë dhe përvojën e punëtorëve.

Por kjo është larg realitetit. Nëse dilni dhe pyesni qytetarët se si paguhen dhe si punojnë ata sot, të shumtë janë ata që tregojnë që punojnë pa kontrata, pa sigurim shëndetësor pa kujdes nga shteti dhe pa dinjitet.

Në mungesë të një roli më vendimtar të sindikatave dhe në mungesë të një vullneti të punëdhënësve për të trajtuar me dinjitet punëtorët, është e domosdoshme që shteti të mos rrijë si spektator por të ndërhyjë dhe të rregullojë tregun e punës.

I tillë është edhe vendimi për pagën minimale i cili qëllim ka të garantoj një minimum të të ardhurave për punëtorët në mënyrë që të sigurohet një standard më i mirë jetësor.

Por sado i rëndësishëm të jetë ky vendim, e që është shumë i rëndësishëm, nuk mundet të merret me lehtësi pa një studim të mirë të tregut për të caktuar nivelin e kësaj page dhe pa një kategorizim që mundëson konsultimin e të gjitha grupeve të interesuara.

Së bashku me vendimin duhet të analizohet edhe zbatimi i tij i deritashëm sepse kur shteti nuk funksionon, ligjet dhe vendimet janë të kota. Sot, në shumë kantiere ndërtimi punëtorët kanë paga të ulëta, orë të gjata të punës dhe u mungon siguria minimale sepse mekanizmat zbatues nuk funksionojnë.

Me 60 inspektorë të punës nuk mund të mbikëqyren e inspektohen ndërtimet e punimet në 38 komuna, ky numër i inspektorëve është i vogël edhe për Prishtinën se lëre më për Kosovën.

Prandaj edhe vendimi për pagën minimale duhet të jetë i tërësishëm dhe nuk mund të merret pa një proces të shqyrtimit të gjendjes në teren, konsultimit të grupeve shoqërore që preken direkt nga ky vendim dhe pa analizimin e mekanizmave për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi duhet të ulë nivelin e varfërisë dhe të ngushtojë hendekun në të ardhura, sidomos për ata që jetojnë me minimum të të ardhurave.

Në vitin 2011 paga minimale u pat vendosur pa një proces konsultues dhe pa një studim të mirëfilltë e në formë të fushatës elektorale.

Sot nuk mund të bëhet prapë gabimi i njëjtë dhe askush nuk duhet të shënojë poena politik duke luajtur me dinjitetin e punëtorëve.

Së pari, vendimi i atëhershëm ishte dhe mbetet diskriminues në bazë të moshës e që ka lejuar eksploatimin e forcës së re punëtore. Pastaj, është vendim që nuk përcakton se si është kalkuluar saktë paga mujore. A janë përdorur ditët, orët apo thjeshtë muaji, sepse paga minimale mujore nuk mund të jetë e njëjtë nëse punëtori punon 10 e deri 13 orë në ditë e çdo ditë sikurse kur punon 8 orë në ditë dhe 5 ditë në javë.

Edhe vendimi që tash propozohet nuk ka një qartësi të tillë. Paga minimale duhet të përcaktohet për numrin e orëve, duhet të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës dhe duhet të mbrojë edhe dinjitetin e punëtorit por edhe produktivitetin në punë.

Prandaj vendimi, në dukje i thjeshtë, është më kompleks nëse vërtetë duam që ai të jetë i drejtë.

Vendimi i ri duhet të jetë i qartë, i detajuar dhe i saktë. Ai duhet të definojë saktë se çka është paga minimale, si kalkulohet dhe si do të ndryshojë. Ne besojmë se vendimi duhet të marrë për bazë orët në punë e jo ditët e muajt dhe duhet të synohet që paga minimale të rregullohet për sektorë të ndryshëm.

Kriteret për ndryshimin e saj nuk duhet në asnjë variant të varen nga një vendim politik por nga ndryshimi i faktorëve të përcaktimit të pagës minimale.

Paga minimale nuk duhet të mbysë produktivitetin në sektorin privat, andaj ngritja e saj duhet të jetë e ndërlidhur me rritjen e pagës mesatare në sektorin privat dhe me lëvizjen e kostos të shportës familjare.

Duhet synuar paga minimale sektoriale. Nuk mundet që paga minimale për një inxhinier ndërtimi të jetë ekuivalente me pagën e një punëtori të ndërtimit, apo paga minimale për infermierin të jetë e njëjtë me kirurgun. Pastaj paga minimale duhet të marrë parasysh edhe shkallën e produktivitetit të sektorit. Një sektor që është shumë produktiv dhe ku punëdhënësit fitojnë shumë nga fuqia punëtore nuk mund të jetë i njëjtë me sektorin që është më pak produktiv që po ashtu varet nga fuqia punëtore. Pra, në dukje vendim i thjeshtë, caktimi i drejtë i pagës minimale është më shumë kompleks.

Në secilin rast, paga minimale nuk duhet të jetë shkaktar për rritjen e papunësisë në vend, prandaj një studim i tillë është i nevojshëm para se të marrim vendime. Studimet, analizat duhet t’i paraprinë vendimeve.

Procesi i përcaktimit të pagës minimale nuk duhet të jetë një proces ku ne ngutemi të shënojmë poena politik, por një proces ku rregullojmë dhe mbrojmë punëtorin, dinjitetin dhe mundin e tij, por edhe punëdhënësit dhe incentivat e tij për prodhim dhe sigurojmë një standard minimum të jetesës.

Qeveria duhet që para vendimit të ofrojë një studim të qëndrueshëm me përfshirje të Këshillit Ekonomiko Social, sindikatat, shoqërinë civile, studiuesit dhe grupet e interesit.

Pra, ne si qeveri e re duke u bazuar në këtë besim tonin do të fillojmë një dialog social duhet t’i paraprijë vendimit dhe ky dialog duhet të jetë shkencor dhe shterrues.��Unë ju falënderoj shumë për durimin duke theksuar edhe një herë se tek unë, tek qeveria jonë do të gjeni partnerin që nuk e keni pasur asnjëherë me asnjë qeveri në këto vitet e pasluftës, e jo vetëm të pas shpalljes së pavarësisë.

Ju faleminderit

Kontribo