22 10 2022

Fjala e Kryetarit Kurti në Mbledhjen I të organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!

E nderuara kryetare e GVV-së, znj. Albulena Haxhiu,

Të nderuara deputete e asambleiste,

Të nderuara kryetare të GVV-së në Qendrat tona,

Të nderuara delegate të Këshillit të Përgjithshëm të GVV-së,

Shumë të dashura aktiviste të Lëvizjes,

Solidariteti mes grave është real dhe atë e shohim çdo ditë. Gra që e lavdërojnë një grua tjetër tashmë është bërë dukuri pozitive e progresiste në vendin tonë, dhe ky organizim i juaji do të thotë po ashtu punë e dyfishtë e grave në politikë.

Sikurse ju sot që jeni ju sot në këtë Këshill, pikërisht nesër shumica prej jush do të jeni në Këshill të Përgjithshëm, ndërkaq shumica e burrave aktivistë sot e kanë pushim me përjashtim timin, Alimit e Samiut.

Jemi të vetdijshëm për sfidat e shumta që kanë gratë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe njëkohësisht ju nuk duhet të harroni asnjëherë programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të merreni edhe me çështjet e barazinë gjinore, por edhe me temat aktuale si të tilla gjithnjë duke mos e harruar çështjen e barazinë gjinore. Por, as ne të tjerët të cilët nuk jemi pjesë të kësaj stukture le të mos harrojmë të merremi me atë për çfarë angazoheni ju, pra për barazinë gjinore.

Gratë dhe Rinia shumë mirë që janë shndërruar në kryetema, sepse edhe gratë edhe rinia duhet të kenë vëmendje të shtuar. Nuk mund të jemi shtet demokratik pa pjesëmarrjen e të gjitha kategorive shoqërore. Pjesëmarrja e barabartë e grave dhe rinisë në subjekte politike e në shoqëri është parakusht i demokracisë dhe nuk ka dyshim që Gratë dhe Rinia përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë sonë, e demokracia është vend i shumicës.

Jemi të bindur se fuqizimi i grave do të thotë fuqizim i shoqërisë dhe se avancimi i të drejtave të grave është avancim i të  drejtave njerëzore. Kemi filluar punën intenzive për krijimin e hapësirave të reja për gra në LVV. Gratë duhet të kenë organet e tyre të posaçme për ta fuqizuar rolin dhe rëndësinë e tyre në Lëvizje, duke përfshirë struktura dhe mekanizma të reja që iu shërbejnë dhe iu ndihmojnë në angazhimin për emancipim gjinor e shoqëror.

Lëvizja VETËVENDOSJE! siç e dimë të gjithë ne bashkë sapo doli nga një mision shumë i rëndësishëm i zgjedhjeve të brendshme, nga ky proces demokratik i cili për herë të parë kemi dy organizata të reja në VETËVENDOSJE!, Rinia për VETËVENDOSJE! dhe Gratë për VETËVENDOSJE!. Krijimit të këtyre dy organizatave (GVV dhe RVV) i ka parapri një sërë diskutimesh të brendshme për reformë organizative që më pas kanë rezultuar me ndryshime statutore ku janë integruar në statusin e LVV, kësisoj tani janë konstituuar këto dy organizata në këto zgjedhje të brendshme të LVV-së që sapo kanë përfunduar.

Organizata “Gratë për VETËVENDOSJE! është krijuar si një hapësirë e re e organizimit dhe artikulimit të kauzës feministe për barazi e drejtësi gjinore.

Gratë anëtare dhe aktiviste të VETËVENDOSJE!-s gjithnjë e kanë pasur angazhimin e dyfishtë, sa me politika të përgjithshme po aq edhe me ato gjinore sepse në krye të herës është kuptuar që shoqëria patriarkale e ndrydh së pari gruan. Edhe tani me organizimin e GVV-së do ta keni angazhimin e dyfishtë sa në GVV, po aq edhe në Lëvizje VETËVENDOSJE! dhe për këtë më vjen keq, por jam i bindur se gratë do t’ia dalin me kauzat e tyre sepse edhe ne do t’i ndihmojmë pakursim.

Në fakt, nëse i shohim zgjedhjet e fundit parlamentare gratë kanë arritur të korrin suksese të paimagjinueshme dy vite më parë. Më lejoni të përmend dy pika të rëndësishme që edhe neve si LVV na kanë shtyrë të reflektojmë që na nevojiten hapësira, mundësi, sturktura të reja për angazhimin e grave.

E para është tejkalimi i kuotës gjinore.

Asnjë grua në Grupin Parlamentar të listës Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës nuk ndodhet aty duke ju falënderuar kuotës. Që të gjitha janë aty për shkak se qytetarët kanë dashur të jenë aty.

Dhe, e dyta 62% e votave tona janë të grave votuese.

Kjo është e pashembullt në Kosovën e pasluftës, në rajon dhe më gjërë.

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit kanë qenë mësim i shumëfishtë për neve. Përveçse është votuar LVV në mënyrë plebishitare, votimi masiv i grave për ne dhe i grave brenda listës sonë që e tejkaluan kuotën ka qenë dëshmi që populli na ka tejkaluar neve dhe minimumi që ne duhet të bëjmë është ta ndjekim atë (popullin).

Nëse ne prijmë për disa cështje e tema të caktuara kauza e barazisë gjinore, ne duhet ta ndjekim popullin i cili po na prinë neve. Minimumi që mund të bëjmë është ta ndjekim popullin, sepse popullin e kemi lider dhe në këtë kuptim përgjegjësia jonë është shumë e madhe sepse është jo vetëm ndaj gruas po është edhe ndaj popullit i cili kaq shumë deshi që në përfaqësim të kemi gra ne institucionet e shtetit. Këto dy çështje na kanë shtyrë të punojmë më shpejtë në reformën organizative dhe si rezultat tanimë e kemi GVV-në si strukturë.

Gratë për VETËVENDOSJE! është organizim që ne besojmë që do ta shtojë intensitetin e  angazhimit për avancimin e të drejtave të grave. Ka pikënisje angazhimin e shumë grave në VV e në shoqëri por synimet janë të përparojmë më shpejtë. Ka shumë kohë të humbur në vendin tonë andaj shpejtësia është shumë e rëndësishme. Nëpërmjet angazhimit të saj GVV-ja synon që ta fuqizojë solidaritetin gjinor dhe pjesëmarrjen e grave në jetën shoqërore, si dhe angazhohet për barazi të plotë në mes të gjinive. Baza e saj deleguese është nga poshtë, pra tamam si demokraci, nga lagja e fshati. Pra, nga skajet në qendër.

Solidariteti është i domosdoshëm pikërisht në kohën kur konkurrenca duket që e dominon bashkimin. Konkurrenca në demokraci është e paevitueshme, është edhe vlerë mirëpo konkurrenca pa bashkëpunim shndërrohet në rivalitet e në kundërshti e cila nuk është produktive. Konkurrenca gjithmonë duhet të jetë e shoqëruar me bashkëpunim. Prandaj solidariteti gjinor është i domosdoshëm. Avansimi i të drejtave të grave bëhet me ligje e me rregulla, me kuota e me standarde por duhet të jetë edhe me solidaritet gjinor organizativ të të gjithave.

Për bindjen time GVV-ja me punën e saj do të shërbejë si forcë primare për ta ndryshuar realitetin e ashpër për gratë duke kontribuuar që shoqëria jonë të braktisë mënyrat e vjetra të të menduarit patriarkal. Unë si kryetar i LVV dhe si kryeministër angazhohem parezervë për krijimin e Republikës sonë vend të barabartë e të drejtë.

Për të rinjtë dhe të rejat është evidente që LVV është mbizotëruar nga ta edhe si numër edhe si angazhim. Demografia jonë tregon që mosha mesatare në Kosovë është 31 vjeç. Pra, jemi popullsi e re dhe është e domosdoshme që anëtarët e ri, ta kenë një hapësirë ku i artikulojnë politikat që i prekin ata. Rinia janë edhe e tashme edhe e ardhmja jonë, andaj subjektet politike duhet të krijojnë më shumë teren për rininë, më shumë platforma e mundësi për ta. Ne si Lëvizje kemi menduar këtë me themelimin e organizatës Rinia për VETËVENDOSJE!

RVV si organizatë e re në VETËVENDOSJE! do të shtojë intensitetin e aktiviteteve dhe mprehtësinë e artikulimit politik. RVV do ta rrisë shpejtësinë e Lëvizjes, kurse Lëvizja do ta rrisë bazën e rinisë. E them këtë duke pasë parasysh se do të kemi jo pak anëtarë e anëtare që do të jenë në të dy këto organizata të reja të Levizjes sonë, edhe ne GVV edhe ne RVV.

Me binomin e ri, Gratë dhe Rinia, perspektiva për Lëvizjen dhe për shoqërinë do të zgjerohet.

Na duhen politika barazimtare por edhe organizim. Disa politika veçse i kemi ndërmarrë, por shumëçka mbetet të jetësohet. Por organizimi nuk mbaron kurrë. Ai na vë neve në lëvizje. Andaj, unë e shoh këtë organizim tuajin sot si vullnet për t’i lëvizur gjërat edhe më tej, edhe më shumë për të mbarë e për të mirë. 

Ju falemnderit e ju dëshiroj shumë suksese.

Kontribo