22 10 2022

Fjala e Kryetarit Kurti në Mbledhjen I të organizatës Rinia për VETËVENDOSJE!

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Rinisë për VETËVENDOSJE!, 
I dashuri kryetar i Rinisë për VETËVENDOSJE!, Behar Jashari,                                                             
Të nderuar aktivistë e aktiviste,
Të nderuar të pranishëm,

Në këtë mbledhje të parë të Këshillit të Përgjithshëm të organizatës së re të formuar, Rinia për VETËVENDOSJE!, është kënaqësi për mua t’ju uroj mirëseardhje dhe njëkohësisht ta gjejmë njëri tjetrin këtu bashkë duke uruar e dëshiruar fillim të mbarë të punës, megjithëse realisht kjo strukturë është formuar pak kohë më parë.

Tashmë me formimin e kësaj organizate që në vetvete përmban struktura e organizim më të detajuar, vetvetiu krijohet e shtresohet edhe më shumë ajo që e ka karakterizuar gjithnjë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, aktivistin e saj. Përgjegjësia e vetëdija për atë që e rrethon e mbi atë që kontribuon. Mbi supet tuaja e mbani përvojën e angazhimit, entuziazmin e vullnetit, vendosshmërinë e qëndrimit e zellin e punës.

Sa herë janë përmendur të rinjtë e kurdoherë që janë angazhuar të veprojnë në situata që na prekin të gjithëve, ndjeshëm e vetvetiu mendja të gjithëve u ka shkuar tek Lëvizja VETËVENDOSJE!. S’do shumë mend për t’u hamendësuar pse është ky konotacion i tillë.

Është elani i të rinjve ai që vazhdon ta përçojë frymën aktive te Lëvizja jonë dhe prandaj është themeluar një organizim enkas për rininë. Përgjatë rrugëtimit tonë që ka nisur e mandej ka kulmuar, e vazhdimisht është zhvilluar e i cili po vazhdon nga të rinjtë e të rejat, nuk është ndjerë e as parë si i nevojshëm trajtimi e as adresimi i aktivistëve të rinj si pjesë e vaçantë e ndarë si pjesë veçmas e Lëvizjes sonë, sepse janë trajtuar si tërësi e pandashme e homogjene e Lëvizjes të gjithë njësoj mirëpo kjo nuk ka ndryshuar as tani.

Megjithatë, një strukturim i tillë për rininë çfarë po e bëjmë ne tani do të hapë qasje më të lehtë për të krijuar e për t’u kyçur në veprimtari konkrete që ndërlidhen me Lëvizjen dhe çështjet me interes për rininë. Ky strukturim, që më shumë se ndarje e përgjegjësive, është rritje e koncentrim i tyre tek ata individë që janë të përgjegjshëm, të besueshëm e bashkëpunues. Pra, përgjegjësia do të jetë edhe për krijimin e një atmosfere të përbashkët të operimit për të mirën kolektive e për parimet të cilat i mban me krenari Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Më vjen mirë të shoh sot se shumë prej jush që jeni tashmë kryetarë e kryetare të RVV-së nëpër Qendrat e Lëvizjes në gjithë Kosovën dhe një pjesë prej jush, deputetë e deputete, asambliste e asamblistë, pra në funksione të rëndësishme institucionale, nacionale e lokale, dhe në këtë mënyrë e përbashkëta e juaja në këtë organizatë RVV vije përpos punës e angazhimit disa vjeçar në Lëvizje,  gjithashtu edhe si kanalizim i këtij përkushtimi në formë më të përqendruar e përmes kësaj organizate të re.

Natyrisht që problematikat e çështjet që doni e ndjeni se duhet t’i ngrisni, zërat, propozimet e pakënaqësitë që do përfaqësoni, do të kalojnë nëpër strukturat e RVV-së, struktura këto në të cilat ju së pari, por jo të vetëm, do të siguroheni që gjithçka dhe gjithsecili të trajtohet me nivel të lartë serioziteti e maturie, barazie e mosdiskriminimi, e kurrsesi me neglizhencë e pandjeshmëri. Pra, duhet ta bëni Rininië për VETËVENDOSJE! ashtu qysh e doni që VETËVENDOSJE! të jetë për rininë, dhe jo vetëm.  E për këto nuk kam dyshim, sidomos marrë parasysh se kemi shumë aktivistë e aktiviste shembullore të cilët janë në këtë Këshill të RVV-së.

Të pakënaqur me grupet e vjetra politike dhe me bëmat ose mungesën e tyre të rinjtë përherë janë angazhuar në mënyrë formale dhe jo formale në Lëvizjen tonë duke marrë pjesë si në aktivitete edukuese për çështje shoqërore dhe politike ashtu edhe në angazhime konkrete për ndryshimet progresiste që kemi synuar. Pra, Lëvizja jonë gjithnjë është frekuentuar nga të rinjtë sepse te ne përmes diskutimit dhe aktivitetit të sinqertë është ndërtuar besimi i ndërmjetëm që ka tejkaluar rëndësinë e moshës. Urat që i kemi krijuar me njëri tjetrin kanë urëzuar cfarëdo hendeku të gjeneratave apo të brezave e këtë kohezion duhet ta kultivojmë tutje e sidomos përmes aktiviteteve edukative.  

Krahas diskutimeve të hapura me karakter edukativ që organizojmë ne, të rinjtë tanë duhet të angazhohen e të marrin pjesë edhe në takime e tubime të tjera publike ku flitet për çështje të rëndësishme shoqërore e politike të cilat nuk janë të organizuara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! e ku flitet për çështje të rëndësishme shoqërore, politike, kulturore e të tjera. Në këto takime, më shumë duke dëgjuar të ftuarit dhe duke ju qasur me një të folur të thjeshtë e të kuptueshme temës në fjalë, përveç krijimit të lidhjeve të reja që duhet të jetë padyshim synim, shpërndahet edhe arsyetimi ynë për çështjen në fjalë. Të rinjtë tanë edhe pse pjesë e subjektit më të madh në vend e në Kuvend që qeverisë me vendin, duhet të tregohen modestë, të sinqertë dhe autentik me të tjerët. Duhet përkrahur e mbështetur të gjithë ata që mundohen të bëjnë diçka sado e vogël për komunitetin, për fshatin apo qytetin.  

Rinia për VETËVENDOSJE! duhet të jetë një organizatë mirëseardhëse për vajzat dhe gratë. Ato duhet të ndihen të sigurta për ta dhënë kontributin e tyre. Duhet inkurajuar gratë e reja që përveçse në GVV të jenë edhe në RVV e njëherazi duhet inkurajuar vajzat në RVV që të jenë aktive edhe në GVV.

Pjesëmarrja e të rinjve në politikë nuk është thjeshtë e karakterit elektoral ku votohet, e madje nuk është më as thjeshtë e pjesëmarrjes në ndonjë punë vullnetare, fushatë vetëdijesimi, apo aktiviteti politik e publik. Këto janë të pazëvendësueshme, por ajo që është e re ka të bëjë me diçka që ka ndikim shumë të madh në formësimin e të rinjve, jo vetëm për atë se cka mendojmë e thojmë, por edhe për atë qysh e pse mendojmë. E kam fjalën hapësirat virtuale, rrjetet sociale ku tashmë ekziston një zonë tjetër e komunikimit dhe angazhimit politik ku të rinjtë krijojnë përmbajtje dhe e shpërndajnë atë në formë të organizuar. Të rinjtë e Lëvizjes tonë duhet të synojnë të jenë sa më aktiv në këtë zonë duke shpërndarë materialet tona por edhe duke provuar krijimin, përkatësisht zgjatimin e atyre materialeve përmes tekstit apo formave të tjera audiovizuale si mënyrë shumë e përshtatshme për diskutim me qytetarët dhe për mendim kritik e emancipim të përgjithshëm.

Të rinjtë sot gjithandej botës angazhohen politikisht më shumë se kurrë më parë. Keni parë fushata, aktivitete vullnetare humanitare, organizime protestash e shpikje të gjithfarëllojshme që për synim kanë përmirësimin e jetës në komunitete, në qytete dhe shtete të ndryshme anembanë globit. Këso angazhimi kemi edhe tek të rinjtë tanë, por ajo që e vuajmë sot botërisht sidomos si subjekte të majta progresiste është angazhimi joformal politik i të rinjve. Duhet të angazhohemi që të rinjtë tanë të bëhen pjesë e organizatës tonë, të anëtarësohen dhe kështu shprehja e punës së tyre në shërbim të ndryshimit të përgjithshëm pozitiv të jetë e strukturuar dhe me një të ardhme, të jetë e qëndrueshme, sistemike e jo sporadike dhe e përkohshme.

Puna e rrugëtimi i Lëvizjes me bindje të plotë mund të quhet epitomë e rezistencës, e qëndresës, e këmbënguljes drejt arritjes së realizimit të qëllimeve jo lehtë të realizueshme. Shpresa, këmbëngulja, e rezistenca, por mbi të gjitha besimi; veti këto që duhet, e që në fakt edhe janë përcaktuese të aktivistit tipik të Lëvizjes, uroj që të ju përcjellin deri në fund të mandatit, e edhe më tutje.

Unë tash fjalën ia kaloj kryetarit të RVV-së, Beharit, për të vazhduar më pas delegatët e Këshillit të Përgjithshëm të po kësaj organizate, me urimin e besimin se për cilëndo sfidë e vështirësi potenciale në të cilën do mund të hasni gjatë rrugës të keni si shembull rrugëtimin nëpër të cilin ka kaluar vetë Lëvizja, rrugëtimin në të cilin Lëvizja kaloi për të qenë kjo që është sot, si dhe mësimet që Lëvizjes iu desh t’i nxirrte nga i gjithë ky rrugëtim; mësime këto që me observimin e pjekurinë e duhur s’kanë se si të mos shërbejnë për përmirësim të vazhdueshëm e të pandërprerë. Përmirësim ky që asnjëherë nuk është i mjaftueshëm e që gjithnjë mbetet i dëshirueshëm.

E ardhmja e Lëvizjes varet e ndërtohet nga ju, madje shumë më shumë edhe sesa nga unë.

Andaj ju priftë e mbara e punofshit e dalëshit faqebardhë!

Kontribo