11 09 2020

Fjala e plotë e deputetit, njëherit Kryetarit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, Liburn Aliut, në konferencën e sotme për media.

Liqeni i Ujmanit është ndërtuar me forca vetanake të Kosovës. Ai i takon Republikës së Kosovës, dhe përpjekjet për ta vënë në diskutim pronësinë mbi të përbëjnë shkelje të Kushtetutës në nenin 2, paragrafin 2, nenin 121 dhe atë 122 të saj. Projekti dhe studimi për ndërtimin e tij ekziston dhe fakti që askund në dokumente që prej fillimit të ndërtimit të tij nuk përmendet Serbia nuk mund të ndryshohet me një nënshkrim të z. Hoti. Kjo qeveri e paligjshme që po inkurajon apetitet e Serbisë duhet të rrëzohet sa më parë e vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

Fjala e plotë e deputetit, njëherit Kryetarit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, Liburn Aliut, në konferencën e sotme për media.

Të nderuar gazetarë,

Një ndër pikat më kritike në dokumentin e zotimeve të nënshkruar në Uashington nga z. Hoti është pika 7, pra ajo që ka të bëjë me ndarjen e Ujmanit me Serbinë.

Në atë dokument thuhet qartë se palët do të pajtohen që të bashkëpunojnë në studim të fizibilitetit për ndarjen e liqenit të Ujmanit. Pra, sipas këtij dokumenti, liqeni i Ujmanit do të ndahet. Pra, Serbia do të jetë bashkëpronare apo thënë qartë, Serbia pranohet si hisenik në Ujman.

Kjo pikë në dokumentin e nënshkruar, përbën hapje të një dere të madhe për Serbinë në Kosovë. Derën që tash e sa vite Serbia synon ta hapë me presion, pra atë të të qenit bashkëpronare dhe të diskutimit për secilën pronë në Kosovë. Këtë e arriti në Uashington me nënshkrim të palës së Kosovës. Pranimi që të diskutohet për pronësinë mbi Ujman dhe pranimi që ai të ndahet me Serbinë është precedenti i rrezikshëm që në thumb ka shkatërrimin e shtetit të Kosovës e që Serbia e synon dhe z. Hoti bashkë me delegacionin e mundësoi këtë.

Kjo pikë e marrëveshjes është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, konkretisht me nenin 2 paragrafin 2 të Kushtetutës. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, të përcaktuara me këtë kushtetutë, janë elemente themelore dhe të veçanta të ekzistimit të shtetit të Kosovës.

Po ashtu, kjo pikë shkelë rëndë nenin 122 të Kushtetutës (Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore). Pasuritë e Kosovës nuk mund të përvetësohen juridikisht, kontrollohen dhe menaxhohen nga një shtet tjetër, duke përfshirë edhe Ujmanin, duke ditur se këto resurse natyrore gjenden dhe janë me interes për Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, pika 7 e marrëveshjes është në kundërshtim edhe me neni 121 të Kushtetutës, i cili nen rregullon Pronën. Pra, asnjë paragraf i këtij neni nuk lejon që prona e Republikës së Kosovës të bartet juridikisht, në asnjë shtet tjetër me asnjë bazë juridike ndërkombëtare apo vendore, e aq me pak të kontrollohet dhe menaxhohet nga shteti dhe pushteti serb.
Më tej, meqë kjo pikë e marrëveshjes e parasheh ndarjen e liqenit të Ujmanit, shumë thjeshtë do të mund të shtrohej pyetja legjitime, si do të ndahet ai? Si mund të bëhet kjo praktikisht?

E dimë që diga është në brendi të territorit të Kosovës dhe po ashtu e dimë që rrjedha e lumit është në drejtim të brendisë së territorit të Kosovës. Si po u ndaka uji i liqenit atëherë? Pra si do të ndahet liqeni?

A do të thotë që i lejohet qasje Serbisë deri te diga? Pra a do të kemi zhvendosje të kufirit, apo ne do ti paguajmë haraç Serbisë?

A është kjo pika e ndarjes së Ujmanit faktikisht në linjën e ndarjes edhe të territorit, ngjashëm me atë të zhvendosjes së trasesë së hekurudhës me kërkesë drejtpërdrejtë të Vuçiqit, i cili edhe deklaroi se ia arritëm që ta lidhim Serbinë me Kosovën përmes Merdares, që te mos lejojmë marrjen nën kontroll të stacioneve hekurudhore në veri nga Republika e Kosovës.

Apo është në linjën e shkatërrimit të sovranitetit dhe subjektivitetit të Kosovës si dhe kontestim të pronësisë mbi çdo gjë? Cila?

Ne konsiderojmë se janë të dyja bashkë. Pra nga njëra anë kontestim i çdo gjëje në Kosovë dhe nga ana tjetër ndarje. Kësisoj ka qenë edhe e koordinuar Serbia në hapat e saj edhe në raport me ndarjen, edhe në raport me Zajednicën dhe kontestimin e brendshëm.

Serbia po e siguron edhe me tej veriun përmes thellimit të ndarjes dhe godet e aspiron në çdo gjë në pjesën tjetër të Kosovës siç është Zajednica dhe politikat kontestimi shtetësisë duke synuar marrjen e pothuajse çdo gjëje pak e nga pak.

E tani të shohim se çka realisht pranoi të ndajë z. Hoti.

Liqeni i Ujmanit është ndërtuar nga viti 1972 deri në vitin 1979 nga Kosova.

Është ndërtuar me vendim të Kosovës, asokohe njësi federale si Krahinë Autonome në kuadër të Jugosllavisë në bazë të një plani ekonomik zhvillimor në fuqi të asaj kohe.

Është realizuar përmes financimit nga kredia në Bankën Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim, për të cilën është bërë një studim i qartë i fizibilitetit dhe projekt i detajuar e që është kontrolluar në hollësi nga ekspertët e Bankës Botërore.

Për këtë kredi në vitin 1972, janë marrë edhe dy vendime të rëndësishme. Ai i Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, për ratifikimin e Kontratës me Bankën Botërore si dhe vendimi i Ratifikimit në Kuvendin e nivelit Shtetëror Federativ të Jugosllavisë.

Në gjithë këtë vendimmarrje nuk figuron askund Serbia si palë. Dokumenti i auditimit të performancës së projektit nga Banka Botërore. Dokumenti me 75 faqe, e sqaron këtë mjaft mirë këtë.

Është kredi e aprovuar për Projektin Ujor me Shumë qëllime të Ibrit, e quajtur edhe si huaja 777, për të cilën ka marrë vendim niveli Federativ i Jugosllavisë e edhe ai i Kosovës.

Në këtë projekt gjigant të realizuar nga Kosova me forcat e saj, janë përfshirë ekspertë e edhe ndërmarrje nga e gjithë Jugosllavia asokohe.
Ky projekt ka paraparë shpronësimet e të gjitha pronave të përfshira. Dhe madje ka qenë shpronësim deri edhe në hollësi duke u shpronësuar edhe pemët e egra frutore.

Po ashtu duhet gjithmonë të kemi parasysh që ky projekt ka qenë i studiuar mirë dhe ka qenë interes publik i Kosovës, për nevojat e Kosovës, gjë që hyn si parim themelor në të drejtat ndërkombëtare për ujërat dhe pa cenim të interesit të të tjerëve.

Ky projekt ka qene në kuadër të planit zhvillimor të Kosovës i cili ka qenë i pa kontestuar nga shtetin federativ por as nga Serbia, i aprovuar dhe me leje legjitime dhe ligjërisht të rregullt.

Po ashtu ka qene në përputhje me planin e Kosovës për ujërat i cili ka qenë i aprovuar pastaj në vitin 1985 dhe i cili ka qene i pranuar ligjërisht prapë nga federata dhe i pa kontestuar nga Serbia. Ky plan e ka pasë të konsideruar ndikimin në vendet përreth.

Madje edhe në masterplanin e Serbisë për Ujërat të vitit 2002 në të cilin ata e përfshijnë Kosovën si pjesë të tyren, Ujmani, parashihet vetëm për nevoja të Kosovës. Dhe në fund, plani i fizibilitetit i pranuar nga banka Botërore nuk parasheh palë Serbinë në shfrytëzim të të mirave nga Ujmani.

Dhe tani na del z. Hoti i cili gjithë këtë punë dhe gjithë këto studime i hedh poshtë më një nënshkrim.

Ai harron se Ujmani nuk është as lum e as liqen natyral por ndërtim i Kosovës dhe pronë e Kosovës e shpronësuar me para dhe kufiri nuk mund të ngatërrohet me pronën.

Serbisë askush nuk ia ndalon rrjedhën e lumit.

Edhe nëse ¼ e liqenit të Ujmanit është jashtë, ajo në fund të fundit zgjidhet me ligje ndërkombëtare duke i pasur parasysh të gjitha faktet më larte.

Liqeni i Ujmanit nuk mund të ndahet me asnjë studim të fizibilitetit, pasi studimi i tillë tanimë është bërë që në kohën e fillimit të projektit.

Tani, kur Serbia behët hisenik dhe të kërkoje pjesën e saj nga Ujmani të cilin e ka ndërtuar Kosova me forcat e saj, çka prisni të ndodhë me ndërmarrjet dhe pronat tjera të Kosovës?

A do të na kërkojë hise tash Serbia edhe në to?

Po, sa ta kemi Avdullah Hotin me delegacionin e tij të famshëm, Serbia nuk do të ndalet, do të shkojë edhe më tej. Ajo, pra Serbia, është e inkurajuar duke e pasur përballë Avdullah Hotin me ekipin e tij përballë do të kërkojë sërish edhe më shumë, do ta shfrytëzojë momentin.

Qeveria duhet të bie sa më parë, çdo ditë e më shumë e qëndrimit të saj është dëm për Kosovën dhe për këtë jam i bindur se janë të vetëdijshëm edhe subjektet tjera politike që po qëndrojnë indiferente ndaj këtij fakti.

Kontribo