17 02 2022

Fjala e plotë e Kryeministrit, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës

E nderuara Presidente e Republikës,

Kryetar i Kuvendit,

Deputetë të popullit,

Kabinet i qeverisë,

Familje të dëshmorëve,

Veteranë të luftës,

Shkëlqesi ambasadorë,

Qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Sot është ditë feste për të gjithë neve. Është ditë ku për disa çaste lëmë mënjanë dallimet tona të përditshme për ta shënuar këtë moment arritje që në shumë aspekte përbënë arritjen e gjeneratave të shqiptarëve ndër shekuj.

Shpallja e pavarësisë ishte padyshim rezultat i luftës tonë çlirimtare, kauzës tonë të drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.

Historia na mëson se e kaluara jonë është ajo mes të drejtës dhe sakrificës së vazhdueshme për të jetuar të lirë në trojet tona dhe përballjes me synimet e të tjerëve për të na dëbuar e për të pushtuar këto troje. E përkundër gjithë atyre luftërave e padrejtësive, populli ynë asnjëherë nuk u shndërrua në popull sundues e pushtues. Në fakt, populli ynë është ndër popujt e rrallë paqedashës në botë, të cilët janë pushtuar shpesh, kanë luftuar vazhdimisht kundër okupatorëve, por kurrë nuk kemi pushtuar popuj tjerë. Andaj edhe nuk është çudi që përkundër që jemi shteti më i ri në Evropë, ne kontribuojmë shumë për paqen dhe demokracinë.

Sot, përveçse festojmë këtë datë historike, ne nderojmë e falënderojmë ata që kontribuuan për këtë ditë. E në radhë të parë janë dëshmorët tanë të cilët dhanë gjithçka për të ardhmen tonë; është Shqipëria dhe mbarë kombi ynë; janë figurat historike sikurse Hasan Prishtina e Isa Boletini, Azem Bejta e Shotë Galica, Shaban Polluzha e Tahir Meha, Adem Demaçi, Fehmi Agani e Ibrahim Rugova, dhe familja Jashari e kryekomandanti Adem Jashari. Janë edhe qindra gra dhe burra, ish aktivistë politikë, ish studentë e qytetarë, deri tek ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, secili në kapacitetet e role e tyre që dhanë maksimumin që sot të gëzojmë këtë ditë. Historia e Kosovës do të njeh vuajtjet, sakrificën dhe kontributin e secilit.

E pikërisht në këtë ditë, është e përshtatshme që të reflektojmë për rrugëtimin tonë, të bëjmë një bilanc se ku ndodhemi si shoqëri dhe si popull, sfidat që kemi përpara dhe e ardhmja që na pret.

Muajin që vjen bëhen plotë dy vite të përballjes me pandeminë COVID-19. Marrë nga çdo aspekt, kjo pandemi ka ndikuar në jetën e secilit nga ne. Në këtë betejë kemi humbur njerëz të dashur e të afërt, teksa shumë prej nesh jemi prekur nga virusi. Fëmijët kanë humbur kohën e çmueshme pranë bankave shkollore e prindërve u janë shtuar presionet mes punës e familjes. Punëtorët shëndetësor kanë vënë jetët në rrezik, bizneset kanë pësuar humbje, e ne së bashku kemi ndjerë peshën e kufizimeve larg të afërmve dhe të shoqërisë.

Përtej pasojave direkte në shëndetin tonë, pandemia solli edhe kriza të tjera në ekonominë tonë. Ajo që tashmë është bërë e ditur është se në një botë të ndërlidhur si kurrë më parë, krizat nuk janë më asnjëherë lokale. Pas një pauze relativisht të gjatë, hapja e menjëhershme e ekonomive bëri që kërkesat e hovshme për konsum global të tejkalonin aftësinë për prodhim e shpërndarje. Kjo shkaktoi rritjen e çmimeve në shumë sektorë, e sidomos në atë të energjisë, çka rëndoi edhe më shumë krizën fillestare.

S’ka dyshim se krizat të cilat kanë përcjellë vendin tonë që nga fillimi, kanë testuar aftësitë dhe shkathtësinë tonë për të vepruar në ambient të paparashikuar me mjete e mundësi të kufizuara. Kriza me pandeminë pastaj edhe me energjinë kanë prekur secilin shtet duke dëmtuar rëndë strukturën e shoqërisë, por edhe nxorën në pah mungesën e planifikimit tonë afatgjatë e të investimeve strategjike. Prandaj është mëse e nevojshme që në tema kapitale që definojnë të ardhmen e gjeneratave që vijnë, të gjejmë konsensusin shoqërorë dhe gjuhën e mirëkuptimit me njëri-tjetrin.

Krizat kanë prekur të gjithë qytetarët. Unë e ndjej peshën që ato kanë shtuar te secili qytetar sepse i di kushtet në të cilat jetojnë shumica e qytetarëve të Kosovës. I kam takuar e kam biseduar me ta, i njoh brengat e tyre. Shumica jetojnë nga muaji në muaj me paga të ulëta e pa kursime, e të shumtë nga ta jetojnë me dërgesa nga diaspora, me ushqim të dobët e me shëndet të rrezikuar. Në fakt ishte pikërisht kjo gjendje e rëndë e qytetarëve dhe humbja e besimit në drejtësi e barazi ajo që solli ndryshimin e madh një vit më parë.

Ajo që mund të themi sot është se në këtë shumësi krizash të trashëguara e të papritura, kemi naviguar mirë në këto stuhi me politika të cilat kur krahasohen me rajonin tregojnë se ne kemi ruajtur me sukses edhe jetët e qytetarëve edhe shëndetin e ekonomisë. Krahasuar me rajonin, Kosova ka numrat më të ulët të vdekjeve, numrat më të lartë të vaksinimit dhe ka shënuar përmirësimin më të mirë të indikatorëve ekonomik. Tashmë kemi administruar mbi 1.8 milionë vaksina, ku janë vaksinuar me dy doza mbi 60% e popullsisë mbi moshën 16 vjeçare, kurse vitin 2021 e mbyllëm me një rritje ekonomike prej 9,9%, me rritje prej 2/3 e eksporteve, 1/3 të të hyrave buxhetore e mbi 50% rritje të investimeve të huaja, shifra këto që ishin më të lartat që nga shpallja e pavarësisë.

Për ta zbutur krizën me pandeminë, brenda 100 ditëshit tonë të parë, qeveria ndau mbi 20 milion EURO për policinë, personelin shëndetësorë, pensionistët, personat në asistencë sociale, e për punëtorët dhe bizneset, kurse për të zbutur krizën me energjinë ndamë 20 milion EURO me zotimin që deri në 100 milion të tjera gjatë këtij viti, për të mbrojtur ata që janë më dobët ekonomikisht.

Në përputhje me zotimin për ndërtimin e shtetit social, vitin që shkoi filluam për herë të parë me ndarjen e shtesave për nënat lehona, me shtesat për fëmijë, si dhe bëmë edukimin falas në të gjitha nivelet.

Falë punës së mirë, të përbashkët, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, Kosova është renditur e para në rajon në indeksin e drejtësisë në botë, dhe u ngrit për 17 vende në luftimin e korrupsionit në indeksin e Transparency International.

Në rrafshin ndërkombëtar, kemi thelluar bashkëpunimin dhe bashkërendimin me partnerët, aleatët, dhe miqtë tanë, duke forcuar sigurinë për qytetarët, duke afirmuar sovranitetin shtetërorë, dhe duke mbrojtur integritetin territorial të Republikës sonë.

Po investojmë më shumë se kurrë në ushtrinë e Kosovës, dhe vitin që shkoi Kosova ishte pjesëmarrëse në mesin e 27 shteteve dhe nikoqire në mesin e 16 shteteve, me 330 ushtarë në ushtrime ushtarake të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Defender Europe 21”. E po ashtu ushtria jonë bashkë-zbarkoi në Kuvajt, krahas ushtrisë së ShBA-ve në misionin e saj të parë paqeruajtës në botë.

Kemi realizuar numër rekord vizitash jashtë dhe brenda vendit dhe kemi ridefinuar dialogun në Bruksel, si dialog mes dy shteteve të barabarta, të përqendruar në njohje reciproke. Së bashku me këtë kuvend miratuam një rezolutë për mos lejimin e shkeljes së sovranitetit nga ana e Serbisë ndaj synimit të saj për mbajtjen e referendumit kushtetues ku kemi ndryshuar praktikën e dëmshme të deritashme e cila ishte në shkelje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës. Politika jonë rajonale dhe e jashtme është ajo e fqinjësisë së mirë, bazuar në reciprocitet e në vlerat themelore të demokracisë. Kjo politikë është në harmoni të plotë me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian, për zhvillim të demokracisë dhe luftim të korrupsionit.

Pra, në vitin e 14-të po hyjmë me shifra të larta të rritjes ekonomike, shifra të luftimit të krimit e korrupsionit dhe me standarde të larta të qeverisjes demokratike që duhet ta bëjë krenar secilin prej nesh.

Këtë vit do të miratojmë strategjinë e re të energjisë 2022 – 2030, me të cilën së bashku do të zgjidhim për dekadat që vijnë problemin e energjisë. Me buxhetin e ri kemi ndarë 40 milion euro për prodhuesit vendor; 40 milionë euro për ringritjen e ndërmarrjeve publike, e mbi 700 milionë euro për sigurinë, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë e kulturën.

Qytetarët e kuptojnë dhe ndjejnë se ndryshimi po ndodhë çdo ditë dhe ata janë të vetëdijshëm se dëmet e mëhershme nuk përmirësohen për një dit e as për një vit.

Të nderuar deputetë e të dashur qytetarë, derisa qeveria përmbushë përgjegjësitë e saj, ka diçka që qeveria e vetme nuk mund ta bëjë, e ajo është përsosmëria e demokracisë sonë. Ndërtimi i demokracisë kërkon qytetari aktive e të mirëinformuar dhe kërkon që secili qytetar e secili institucion të bëjë punën me qëllimet më të mira.

Qeveria duhet të bëjë punën e saj, por po kështu duhet edhe drejtësia, edhe shoqëria civile, edhe mediat e aktivistët. Secili duhet të kontribuojë në ndërtimin e shtetit që duam.

Është përgjegjësi e qeverisë të krijojë politika që parandalojnë dhe luftojnë krimin e korrupsionin, por kur ai ndodhë është përgjegjësi e drejtësisë që të dënojë kriminelët dhe të korruptuarit.

Është detyrë e qeverisë që punët t’i bëjë në dritën e diellit e të rrisë transparencën, por qeveria e vetme nuk mund të mbrojë demokracinë nga dezinformatat. Kjo është detyrë e secilit.

Njëjtë siç korrupsioni në institucione publike rrënon besimin e qytetarëve në demokraci e në qeveri, dezinformatat rrënojnë besimin në media të lira e të pavarura, e një demokraci pa media të lira e të pavarura është çdoherë rrezik.

Në fakt, dezinformatat janë kërcënim direkt ndaj demokracisë sepse ato keqinterpretojnë të vërtetën dhe shtrembërojnë realitetin.

Shpeshherë këto dezinformata vijnë nga shërbime të huaja të jashtme, e aktorë dashakëqij të cilët synojnë destabilizimin e vendit dhe dobësimin e shtetit dhe demokracisë tonë, andaj duhet të jemi të vëmendshëm, shumë të vëmendshëm që të gjithë.

Ne jemi shtet demokratik. Kushtetuta jonë mbron lirinë e shprehjes e fjalën e lirë, njëjtë siç mbron lirinë dhe të drejtën e tubimit e të protestës. Si Kryeministër i vendit e kuptoj dhe pranoj që njerëzit do të thonë lloj lloj gjërash çdo ditë për mua, dhe unë do të mbroj të drejtën e tyre për ta bërë këtë, sepse lufta jonë për liri nuk ishte luftë vetëm për t’u çliruar nga okupimi por për të jetuar të lirë. Pra, kemi luftuar që të mbrohet e drejta e secilit për të shpreh qëndrimet e saj e të tij edhe kur nuk pajtohemi me to, veçanërisht kur nuk pajtohemi.

E megjithatë, për të ecur përpara na duhet një mendim praktik – jo vetëm kritik. Duhet të pajtohemi e të gjejmë konsensus për gjërat më bazike. Pra, unitet i cili nuk e pamundëson kritikën dhe kritikë që nuk kalëron mbi unitetin. Jeta është praktike edhe në kushte kritike. Qeverisja po ashtu. Bashkë ja dalim sepse jemi bashkë për secilin që është.

Të dashur qytetarë,

në këtë vit të 14 të pavarësisë sonë, le të zotohemi se në veprimet tona do të udhëheqemi nga amaneti i dëshmorëve e nga ëndrrat e fëmijëve, se do të udhëheqemi nga arritjet e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës e Distria Krasniqit; nga sukseset e kinematografisë e të sportistëve e të artistëve tanë. Se do të ruajmë e do të shtojmë kontributin e punëtorëve, të bujqve, mjekëve, arsimtarëve, policëve, e ushtarëve.

Gëzuar Dita e Pavarësisë të gjithëve.

Ju faleminderit.

Kontribo