23 01 2025

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Gjakovë

Gjakova është vend i luftëtarëve të mëdhenj në luftë dhe i punëtorëve të mëdhenj në paqe. Ju
falemnderit për këtë mikëpritje kaq të ngrohtë në këtë ditë të bardhë dimri.
Fushatën sivjet, fushatën kësaj radhe e nisëm në qytetin e bukur, në qytetin e kulturës, në
qytetin historik të Gjakovës, së pari në Dushkajë, në Cërrmjan e në Bec, e më pastaj me vizita
nëpër familje, e organizata, e shoqata të ndryshme këtu, për tu mbledhur në palestrën e
sporteve “Shani Nushi” të këtij dëshmori, të këtij luftëtari të pa epur, i cili ra në betejë këtu e
8 dekada më parë duke e mbrojtur babain e shkrimtarit Agim Gjakova që aso kohe ishte
Gjeneral i ushtrisë së Fan Nolit.
E nga ky qytet i cili sakrifikoi aq shumë, që e pësoi aq rëndë gjatë luftës nesër vazhdojmë
fushatën në një qytet tjetër të zemrës, në qytetin i cili e pësoi më së shumti pas luftës, në
Mitrovicën tonë të dashur, në palestrën e sporteve “Minatori”, atje.
Të dashur qytetarë, të nderuar të pranishëm, motra e vëllezër, zonja e zotërinj,
e nderuara Zëvendëskryeministre, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Kryetare,
bashkëkryetare e partisë Guxo, Donika Gërvalla.
E nderuara Kryetare e Grupit tonë parlamentar dhe Kryetare e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila.
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca.
Të nderuar ministra e zëvendësministra, deputetë, e deputetë të ardhshëm të Kuvendit, anëtarë të kryesive tona, aktivistë nga Gjakova e Kosova.
Në asnjë vend tjetër ngado që kam shkuar, ngado që kam takuar, nuk kam parë njerëz bujar,
mikëpritës, dashamirës, të durueshëm e të qëndrueshëm si neve qytetarët e Gjakovës, e të
Kosovës. Dhe në asnjë vend tjetër nuk kam parë e nuk kam takuar rini dinamike, masive e të
shëndoshë sikur rinia jonë dhe gra e burra të ndershëm e punëtorë si njerëzit tanë.
Prandaj, të dashur qytetarë, energjitë e popullit tanë të mbarë, potenciali i kësaj rinie, duhen
për ta zhvilluar e përparuar vendin tonë. Për ta drejtuar e rregulluar shtetin, ne jemi mundësia
institucionale dhe garancia politike për këtë.
Të jeni të sigurt që qeveria jonë nuk do t’ju gënjej asnjëherë dhe kurr nuk do t’ju zhgënjejë, të
drejtat ju garantojmë, nevojat i plotësojmë.
Prandaj të nderuar pjesëmarrës, të dashur të pranishëm, për rininë e kemi punësiminin, për
gratë e kemi barazinë, për fëmijët i kemi shtesat, për opozitën e kemi opozitën, për Serbinë e
kemi Policinë e Ushtrinë, e dialogun, për pleqt e kemi pensionin dhe për të gjithë e kemi
Shëndetësinë. Pra, secili në vend t’vetin. E pas fitores me 9 shkurt dhe Qeverisë sonë të re, të
mbarë, të mirë, të vërtetë, të drejtë, nivele të reja të papara të progresit, Cep më Cep,
gjithandej dhe anëembanë Republikës sonë.

Me neve në Qeveri, me Qeverisjen tonë, partnerja kryesore tregtare në rajon ëdhtë Shqipëria
dhe orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik.
Ne bashkë me Alternativën dhe Guxo edhe dijmë, edhe duam, dhe me këtë dituri tonë dhe me
këtë dashuri tonën me datën 9 shkurt le të votojmë, le të fitojmë, le të festojmë. Por që nesër
katër javë të votojmë, të fitojmë, e të festojmë. Në këtë fushatë duhet të na vjetërohen
këpucët, e të na rinohet vullneti, duke takuar e biseduar me qytetarë lagje më lagje, e fshat më
fshat, e shtëpi më shtëpi, Cep më Cep duke shpalosur programin tonë e duke prezantuar
kandidatët tanë, duke dëgjuar njerëzit për hallet e tyre e duke ua shpjeguar zgjidhjet tona.
Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike, Kosovën e pavarur e bëmë të pavarur edhe nga
korrupsioni i politikanëve të vjetër dhe nga pazaret e vjetra me Serbinë. Ne Kosovës ja
shtojmë zhvillimin e ja heqim korrupsionin, ja shtojmë prodhimin e ja heqim mjerimin, ja
shtojmë drejtësinë e ia heqim krimin dhe ja shtojmë barazinë e ia heqim varfninë. Prandaj në
këtë punë tonë fisnike, në këtë mision të madh kombëtar, kemi nderin edhe kënaqësinë që t’ju
shërbejmë juve, qytetarëve të Republikës, popullit tonë të dashur pa dallime, pa privilegje, pa
favorizime, pa diskriminime, duke mos e lënë asnjëri mrapa.
Dhe për këtë jemi ballëhapur para jush, me të arriturat e qeverisjes katër vjeçare, që e ka rritur
ekonominë, që e ka ngrutur demokracinë, që e ka shpërndarë mirëqenien, që e ka bërë të
paprekshme sigurinë dhe në anën tjetër me 110 kandidatët tanë të listës me numër 118 që janë
njerëz të ndershëm e profesionistë, të guximshëm e punëtorë sepse pas 9 shkurtit e tillë duhet
të jetë edhe Qeveria jonë, e guximshme dhe profesioniste, punëtore dhe e ndershme.
Ne nuk bëjmë gjëra për inat të fqinjit tonë verior, ne bëjmë gjëra për shkak se e duam vendin
tonë, e duam popullin tonë, e respektojmë historinë tonë, kurr se harrojmë prej nga vijmë,
gjithmonë e përkujtojmë nga shkojmë, por në të njejtën kohë, nxjerrim mësime prej atyre
para nesh, të cilët e lulëzuan korrupsionin brenda e na e cenuan dinjitetin jashtë.
Jaë dy parti të cilët kanë qeverisur më së gjati, herë bashkë e herë ndaras, por të cilat na e
kanë bë dëmin ma të madh, në raport me kojshinë tonë të keq. Ne nuk mund ta ndryshojmë
gjeografinë dhe historinë por ne mund ta ndryshojmë të ardhmen duke punuar qysh tash.
Njëra prej këtyre partive, LDK-ja, është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë “razumem”, e
partia tjetër PDK-ja, është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë “we are not problematic
guys”. Por koalicioni jonë, VETËVENDOSJE, Guxo dhe Alternativa, i thot atij ashtu qysh
është: ministër i Millosheviqit, aparati shtetëror kriminal i të cilit nuk do të ketë vend sepse
do ta ndjekim në çdo kënd Cep më Cep në Republikën e pavarur, demokratike e progresiste
të Kosovës.
Qeverisja jonë në katër vjetët që po mbushen së shpejti por edhe në së paku katër vitet e
ardhshme do të jetë qeverisje edhe me laps edhe me gomë. Këta ish-pushtetarët nuk kanë
pasur as laps as gomë, ata kanë qeverisur me lëpirëse, ne kemi edhe gomë edhe laps. Goma e
fshin korrupsionin kurse lapsi e shkruan zhvillimin, e për këtë qeverisje edhe me laps për
zhvillim edhe me gomë kundër korrupsionit, 9 shkurti është data, e dielë është dita, Kosova
është shteti, shteti është Republika, shkolla është vendvotimi, me zemër është vota, 118 është
numri, e jona është fitorja.
Të dashur qytetarë në katër javët në vijim, do të shpalosim edhe zotimet tona të reja, që do të
shndërrohen në programin e ri katër vjeçar qeveritar, do të bëjmë mbështetje deri në 1
miliardë euro për investime të mesme e të mëdha në ndërrmarje prodhuese, Cep më Cep

Kosovës do ta shtojmë prodhimin, do ta shtojmë investimin, do ta mundësojmë riinvestimin,
e do ta rrisim eksportin.
Do të bëjmë program multidimensional për turizmin me investime deri në 500 milion euro në
kompleksin turistik në Brezovicë, në partneritet me investitorë privat, do ta kompletojmë
infrastrukturën sportive dhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse për lojërat mesdhetare
Prishtina 2030 në 10 komuna të Kosovës dhe bashkë me Durrësin në Shqipëri përfshirë këtu
mbi 200 milion euro për 20 stadiume në 18 komuna, pa dyshim edhe për stadiumin në
Gjakovë, ku tashmë i kemi ndarë 9 milionë euro e i cili do të përfundohet tërësisht.
Në Gjakovë i kemi nda në Babaj të Bogës edhe 4500 hektarë për bazën moderne të Forcës së
Sigurisë së Kosovës, me qindra hektarë të shpronësuar, me 4000 të shtetit e ku do t’i kemi
dhe hangarët për fluturaket e FSK-së dhe gjithashtu do ta avancojmë edhe më tej këtë
aeroport kaq të rëndësishëm për Gjakovën e për Kosovën.
Muajin e ardhshëm publikohet studimi i fizibilitetit me tri opcione për hekurudhën Prishtinë-
Durrës, që do ta lidh portin e ri të thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit. Njëri prej
opcioneve që edhe ju edhe unë e kemi më së shumti për zemër është ai që përfshin segmentin
Gjakovë-Shkodër.
Në katër vjeçarin e ardhshëm do ta rrisim ndjeshëm shkallën e aktivitetit të gruas në ekonomi,
përmes një sërë masash përfshirë edhe programin SuperPuna për grate. Më tej, do ta rrisim
kohezionin shoqëror përmes mbështetjes financiare për gjyshet dhe për gjyshërit që kujdesen
për nipërit dhe mbesat e tyre nga mosha 1-3 vjet, për raster ku punojnë të dy prindërit e
fëmijëve. Se, të dashur qytetarë, ne të gjithë bashkë e dijmë një të vërtetë të madhe, se gjyshet
edhe gjyshërit janë tu i rrit dy parë fëmijë, edhe neve edhe fëmijët tonë. Prandaj shteti do t’i
mbështes ata.
Do të kemi investime edhe më të mëdha në mbrojtje dhe funsionalizim të fabrikës së
municionit, angazhim edhe në ndërmmarje të tjera nga fusha e ekonomisë ushtarake. Rritje të
përvjetme të mbështetjes për Luginën dhe pë Sanxhakun, mbrojtje efektive të infrastrukturës
kritike të vendit, mbi 75 milionë euro për masa që targetojnë rritjen e efiçiencës në konsumin
e energjisë, ngrohtore të reja në Ferizaj e në Gjilan, dyfishim të kapacitetit të ngrohtores në
Prishtinë, klinika të reja në QKUK, spitale të reja nëpër Kosovë përfshirë Mitrovicën e
Ferizajin, Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna, përfshirë Fushë Kosovën e
Therandën, 10 profile të reja të mësimit dual etj., në katër vjeçarin e ardhshëm të Qeverisë
sonë të përbashkët.
Të dashur qytetarë të Gjakovës, të nderuar pjesëmarrës. Në këto zgjedhje do të dëgjoni
ndokënd duke thënë që Albini ka ndryshuar. Që nuk është i njëjti. Është e vërtetë. Unë nuk
jam më kandidati për Kryeministër, unë jam Kryeministri. Jam Kryeministri i Republikës por
kreu i një Qeverie me kolegë që ju bëjnë edhe juve edhe mua krenar, sepse përbëjnë një ekip
të shkëlqyeshëm. Qeverisjet e mëhershme i kanë dhënë popullit pak apo aspak dhe i kanë
marr shumë ose tepër shumë, e kjo Qeveri e jona i jep popullit shumë, gjithnjë e më shumë.
Para qeverisë sonë qytetarët u patën lodhë nga papunësia, e tash nga 350 mijë të punësuar që i
gjetëm në pranverën e vitit 2021 e kemi ngritur numrin në 430 mijë tash që po flasim, andaj
nga lodhja prej papunësisë tash edhe punojmë edhe pushojmë, për të mirën e shtetit, të
familjeve e të qytetarëve mbarë.
Të dashur qytetarë, më lejoni që me këtë rast t’i falëmnderoj të gjitha partitë kudo që jetojnë

shqiptarët në Ballkan që mbështesin Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe posaçërisht të
falëmnderoj Aleancën Progresiste Internacionalen Socialiste, të falëmnderoj Kryetarin e
Socialistëve të rinj mikun tim Enrikun per mbështetjen e pa rezervë dhe të pa kursyer pë
Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Qeverinë tonë fituese.
Vota juaj është shërbimi ynë, vullneti juaj është përgjegjësia jonë, prandaj edhe vendimi juaj
është vendi ynë. Ne do të punojmë bashkë me juve, për juve për një katër vjeçar Cep më Cep
Republikës sonë, që siguron zhvillim me punësim, që garanton të drejta për të gjithë dhe që
njëkohësisht është vazhdimësi e funksionimit të mirë institucional. Kurr Kosova nuk ka pasur
këso stabiliteti institucional, që është përkthyer në luftim të suksesshëm të korrupsionit dhe
në rritje ekonomike për vendin tonë. Andaj faleminderit për pëkrahjen dhe ndihmën e juaj
pavarësisht stuhive e krizave nëpr të cilat kemi kaluar.
Shumë gjëra të dashur pjesëmarrës të nderuar qytetarë, shumë gjëra që janë dukur të
pamundura janë realizuar, dhe a e dini pse, vetëm dhe vetëm pse jemi bërë bashkë, bashkësia
e lindë mundësinë, bashkësia e realizon mundësinë, bashkësia është fitorja. E konkretisht tash
bashkësia është VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, bashkësia është kur 500 mijë vota
bëhen bashkë te numri 118 me datën 9 shkurt.
Andaj ne kemi nevojë që për ditë, për çdo orë, gjithandej, të ngriheni bashkë me neve, të
dëgjoheni bashkë me neve, të punoni bashkë me neve, të angazhoheni bashkë me neve, të
bëhemi bashkë, të jemi bashkë, sepse bashkë fitojmë, sepse vetëm bashkë duhet të fitojmë,
sepse së bashku duhet ta përparojmë Gjakovën dhe krej Kosovën Cep më Cep.
Ju faleminderit shumë. E le të jemi bashkë në punë, me barazi, për begati, nga populli te
Republika, nga Gjakova te Kosova, Cep më Cep, pa korrupsion, me zemër drejt fitores, drejt
500 mijë zemrave që rrahin por si një te numri 118.
Faleminderit e ju dua fort!

Kontribo