20 11 2019

Fjalimi i Kryetarit Albin Kurti në Konferencën e UBT-së, në panelin mbi “ Edukimin dhe Inovacionin”.

Thank you very much.

Let me start by a bit of my history with Finland. When I was a child, the Finnish man I knew was ski jumper Matti Nykänen, who unfortunately passed away this year. Then, later on in my adolescence, it was Mika Häkkinen, the driver of Formula One. And, in this century, I analyzed the case of Finland when we were about to form VETËVENDOSJE!, because of the principle of self-determination and self-determination which was granted to Finland in 1917. And, then there were two other Finnish men, one was Martti Ahtisaari, President Ahtisaari, as mediator in status talks, and the other one was one of my favorite film directors, Aki Kaurismäki. And, recently now, I got to know Dr. Taipale when I got his book on 100 social innovations by Ambassador Stjernvall, and I must say that this was greatest present I got this year and Christmas is not going to change this.

Let me continue in Albanian now about the topic.

I nderuari Rektor i Universitetit UBT, Edomond Hajrizi,

Zonja dhe zotërinjë,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar panelistë e organizatorë, Ambasadore, znj. Pia Stjernvall,

Unë jam i nderuar dhe shumë i gëzuar që ndodhem sot këtu në mesin tuaj për një temë kaq të rëndësishme.

Kur fëmija hyn në klasë të parë për herë të parë nuk ka rëndësi kush janë prindërit e tij dhe sa para kanë, rajoni prej nga vjen apo ku është rritur, por cili është mësuesi apo mësuesja i tij.

Mësuesi është gjithçka për nxënësin, për të ardhmen e fëmijëve tanë e për pasojë për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë.

Unë kam qenë me fat që kam pasur mësuese të mirë. Në kohën time vërtetë mund të mos ketë pasur shkolla e infrastrukturë moderne, por kishim mësuese që inspironin e motivonin dhe nxisnin urinë e etjen tek ne për dije.

Prandaj një ndër sfidat por edhe qëllimet kryesore të mija është investimi në edukim cilësor në mandatin tonë qeveritar.

E para, si pyetje që duhet të ja shtrojmë vetës është që si të krijojmë vende të punës?
E dyta, si të sigurohemi që punëtorët tanë posedojnë edukimin dhe shkathtësitë e duhura për këto vende të punës?
Dhe, e treta, si të sigurohemi që këto vende pune garantojnë një standard të mirë të jetesës?

S’kam dyshim që të tria pyetjet kërkojnë përgjigje nga shteti, por shteti nuk duhet të jetë i vetëm pasi që këto janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Nuk mund të kemi standard të mirë të jetesës pa vende të mira të punës dhe nuk do të kemi vende të mira të punës pa një edukim cilësor dhe shkathtësi që kërkohen nga tregu i punës.

Kjo është sfida e çdo qeverie dhe e çdo shoqërie sot në botë.

Prandaj unë jam sot këtu sepse dua që të adresojmë pyetjen e dytë. Pra, si të sigurohemi që punëtorët tanë posedojnë edukimin dhe shkathtësitë e duhura për vendet e punës që ekzistojnë dhe ato që hapen?

Shpejtësia e zhvillimit të teknologjisë dhe shpejtësia e globalizimit paraqesin sfidë për secilën shoqëri kudo në botë sot.

Fëmijët që hyjnë në shkollë në vitin 2019 do të jenë gati për treg të punës në vitin 2030. Shkollat tona do të duhet të i përgatisin për vende të punës që ende nuk janë krijuar, për teknologji që ende nuk është shpikur dhe për të zgjidhur probleme që ende nuk kanë ndodhur.

A janë shkollat tona të pajisura me mësues, kushte dhe teknologjinë që duhet për të fituar këtë betejë, apo thënë ndryshe, a jemi ne si shoqëri dhe si shtet te përgatitur për ketë të ardhme?

Unë mendoj se jo.

Beteja me të ardhmen është e humbur qysh në start, ditën kur fëmija hyn në shkollë për shkak të kushteve dhe sistemit jo cilësor të edukimit.

Për të fituar këtë të ardhme, fëmijët tanë duhet të edukohen me një ambient që nxitë kureshtjen, imagjinatën dhe vetëbesimin. Pra, kurreshtje, imagjinatë dhe vetëbesim.

Do të ju duhet të rriten e zhvillohen me një ambient që respekton idetë dhe mendimin ndryshe. Duhet të rriten me garën dhe presionin e refuzimit dhe dështimit në jetë që të kaliten për sfidat që i presin.

Ne na duhen shkolla që edukojnë gjeneratat e reja jo vetëm për rëndësinë e sigurimit të një vendi të punës dhe një rroge të mirë, por edhe për rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin, kujdesit për shoqërinë dhe vlerat e saj, rëndësinë e të qenit qytetar aktiv, përgjegjës dhe pjesëmarrës, dhe që kujdeset për komunitetin edhe për planetin.

Për këtë botë që jemi e për atë që vjen në vitin 2030, të gjithë duhet të konsiderohemi nxënës. Pra jo vetëm nxënësit por edhe mësuesit, trajnerët, menaxherët e prindërit, që të gjithë. Sepse ajo që kemi përpara është më shumë e panjohur se sa e njohur, rrjedhimisht mësuesit tanë duhet të mësojnë vazhdimisht në mënyrë që fëmijët tanë të jenë në hap me kohën.

Edukimi duhet të jetë sa kolektiv po aq edhe personal. Ambienti i edukimit duhet të jetë i tillë që mundëson zhvillimin e aftësive individuale. Për botën ku jemi e atë që na pret, edukimi rreth digjitalizimit dhe të dhënave do të jetë qendror për zhvillimin e tyre.

Vendet e zhvilluara janë duke i orientuar shkollat drejt shkencës dhe matematikës sepse aty janë vendet e punës të se nesërmes dhe që paguhen lartë.

Një profesor i matematikës që kisha unë në studime atëherë, neve që e kishim qef fizikën na thoshte se fizika është një orvatje, për ta përkthyer natyrën në matematikë. Thoshte fizika është përkthim. Matematika është kryesorja.

Numër i madh i vendeve të punës tashmë gjenden në sektorin e shërbimeve të IT-së. Për të siguruar punë si zhvillues e mirëmbajtës i ëebsite, zhvillues i softverëve të ndryshëm apo i programeve për kompani të mëdha dhe për të shpikur e prodhuar kërkohet dije dhe shkathtësi që ne nuk i posedojmë, e për më keq nuk kemi shkolla dhe infrastrukturë që mundësojnë zhvillimin e këtyre aftësive.

Prandaj na duhet të ndryshojmë qasjen tonë rreth edukimit. Kemi nevojë asgjë më pak se revolucion në sistemin tonë arsimor e edukativ.

Unë në mandatin e parë do të filloj që të sigurojë që kurrikulat në shkollat fillore e të mesme e deri tek ato të lartat të dominohen nga shkenca dhe nga kërkesat e tregut. Për këtë duhet të rekrutojmë qindra mësues të rinj që inspirojnë dhe motivojnë gjeneratat e reja sepse aty është talenti, aty është dija, e ardhmja e vendeve të punës dhe e ardhmja e vendit tonë.

Si qeveri ne duhet të sigurohemi që nxënësit në secilin fshat e qytet kanë së pari mësuesit e mirë e pastaj edhe mjetet dhe teknologjinë që ju duhet për të shkëlqyer në mësime e studime por edhe për të kultivuar talentin e tyre.

E kemi për obligim që çdo të riu të i mundësojmë kushtet dhe mundësitë që të shkëlqejnë në çdo drejtim.

Prindërit duhet të kryejnë pjesën e tyre. Shkollat nuk mund të jenë një vend ku prindërit vetëm i lëshojnë fëmijët e tyre por ku ka një angazhim dhe përkushtim të përbashkët për zhvillimin e talentit dhe dijës edhe pas shkollës.

Shkollat duhet të jenë ambient i sigurt por edhe atraktiv. Hapësirat e shkollave nuk duhet të jenë beton e karrige, por hapësira atraktive të leximit dhe pushimit, me librari dhe me qasje në teknologji që frymëzojnë dhe nxisin dëshirën për mësim.

Çdo fëmijë në shkollë duhet të ketë qasje në internetin më të shpejtë që ekziston në Kosovë dhe në mjetet që ju duhen për të shkëlqyer në mësim. Shembull, qasja në tablet elektronik sot nuk është luks, por obligim dhe ne duhet të sigurohemi që fëmijët në shkolla dinë të përdorin jo vetëm për lojëra e për zbavitje por për mësim-nxënie, hulumtim dhe eksperimentim.

Duhet që secila klasë në shkollat publike të furnizohet me teknologjinë e nevojshme (jo pajisje vetëm në nivel shkolle, por në nivel klase), duhet që gradualisht të fillohet me digjitalizimin e materialeve mësimore (teksteve shkollore) në mënyrë që brenda një periudhe afatmesme të gjithë nxënësit të pajisen me pajisje teknologjike dhe të dalin nga përdorimi tekstet e printuara.

Duhet të krijojmë një Portal Shkollor për Arsimin Parauniversitar i cili duhet të jetë një platformë digjitale gjithëpërfshirëse dhe e integruar, e cila përmban në formë digjitale gjithçka për arsimin parauniversitar (ditarët digjitalë, materiali pedagogjik digjital, të dhënat dhe statistikat e shkollave, qasje të personalizuar për prindërit, nxënësit, personelin e shkollave, të DKA-së e MASHT-it, statistika të detajuara pa të dhëna personale për publikun dhe studiuesit, regjistri i trajnimeve të akreditura, databaza e Zhvillimit Profesional të Mësimdhënësve, databaza e licencimit të mësimdhënësve, materiale mësimore digjitale, kurrikulat, plan-programet, profilet e shkollave profesionale, etj

Pra, investimi në shkolla është parakusht për çfarëdo zhvillimi që synojmë të arrijmë në fusha të tjera.

Potenciali dhe talenti është në shkolla, sidomos në shkollat e mesme. Është e domosdoshme që shkollat e mesme t’i freskojmë në rang kombëtar në secilën komunë. Është mirë që në këtë aspekt sektori privat të krijoj hapësirë për zhvillim dhe absorbim të potencialit, por kjo nuk do të thotë që ai të zëvendësoj detyrën dhe obligimin e shtetit për të krijuar këtë hapësirë në sektorin publik.

Publiku e ka për obligim të sigurojë qasje dhe mundësi të barabarta për të gjithë, dhe sektori privat e plotëson duke e konkurruar në secilin hap.

Prandaj le t’i kthehemi shkollave, për dijen dhe idetë, për etikë edhe mësimi edhe pune. Le ta bëjmë qeverisjen tonë shkollë të mirë. Le të bëjmë qeverisjen e mirë shkollave. E ku ka më mirë se sa të zotohemi sot me 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e ku ka më mirë se sa me Finlandën, liderën botërore të arsimit cilësor e shkencor, dhe të edukimit adekuat social.

Ju falemnderit.

Kontribo