04 02 2025

Gjakova e angazhuar për një të ardhme të begatë – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Gjakovës

Mirëmbrëma Gjakovë. Mirë se ju gjej në këtë vend historik të punës e dijes, të pushkës e shijes. E në këtë sallë, në palestrën “Shani Nushi”, të mbushur përplot, cep më cep, drejt 9 shkurtit, atëherë kur 500 mijë vota, 500 mijë zemra, cep më cep Kosovës, do të shpërthejnë prej kutive të votimit, kur do të numërohen ato nga komisionerët dhe numri 118 shënon fitore historike, rekord e të paparë në Republikën e Kosovës e Kosovën e çliruar.

Të nderuar të pranishëm, formula jonë e qeverisjes në këto gati 4 vite ka qenë “Krejt dhe Drejt”, sepse për të gjithë ne kërkojmë të drejta dhe drejtësi, e formula jonë e qeverisjes është edhe “Cep më Cep”, sepse çdo pjesë e vendit dhe shoqërisë tonë meriton të njëjtin përkushtim nga të gjithë dhe secili prej nesh. Pra, atdheu dhe popullsia cep më cep, kjo është qeveria, kjo është qeveria e mirë, e mbarë dhe demokratike e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Për ne bastioni i vërtetë është zemra e madhe e qytetarit. Ne duam që dinjiteti të jetë e drejtë e maksimumit të qytetarëve, prandaj Kosova nuk pranon më bastione partiake e politike. Kosova është e të gjithëve dhe për të gjithë, cep më cep, zemër për zemër. Atdheu matet me zemrat e njerëzve të tij, e fitorja jonë matet me 500 mijë zemra, me 9 shkurt.

Demokraci do të thotë maksimumi i shoqërisë në maksimumin e drejtësisë, në profesione dhe në pronësi, në shkencë dhe në art, në ekonomi dhe në kulturë. Gratë kanë qenë gjithnjë aty të fuqishme, ndonëse shpesh pak të dukshme. Po, gratë kanë qenë gjithnjë të fuqishme, madje edhe të padukshme, ashtu si themelet që e mbajnë shtëpinë të sigurt e që nuk i shohim teksa banojmë aty, mirëpo pikërisht me qeverinë tonë kurrë më shumë nuk kanë pasur dukshmëri puna e grave dhe gratë në punë.

Vërtetë që ne kemi sjellë politika që u ndihmojnë grave, por ato, të dashur qytetarë, kanë ardhur direkt nga ju, së pari si obligim, por edhe si propozim. Qeveria e cila është përcaktuar nga gratë, patjetër që ndjen obligim të realizojë politika për to. Fitorja na kishte ardhur prej vajzave dhe grave, dhe politikat tona iu kthyen pikërisht atyre me dorën e mirë të shtetit që i mbështeti e i përkrahu. E asnjë organizim i madh, asnjë ngjarje historike nuk ka ndodhur pa gra. Edhe me ngjarjet e lëvizjes sonë, e aktivitetet e qeverisë tonë ka qenë kështu. Jam i sigurt që me 9 shkurt shumica e 500 mijë votave të të vendosurve janë vetë ato të vajzave e të grave. Ju të dashura vajza dhe gra, e di që do të dilni herët në mëngjes të së dielës së 9 shkurtit me shumicë, në shumicë, por edhe se do ti bindni djemtë e burrat të votojnë pa vonesë, me 9 shkurt, masivisht, ashtu që fitorja të jetë e parashkët, edhe për gratë e vajzat, edhe për burrat e djemtë, edhe për fëmijët e pleqtë.

Me 9 shkurt nuk ka zgjedhje, zgjedhjet janë në 2029. Me 9 shkurt ka referendum, e në referendum janë dy opsione, është opsioni “po” edhe është opsioni “jo”. Duke i thënë “po” qeverisë tonë, “po” numrit 1-1-8, ju u thoni njëkohësisht “jo” numrave të tjerë dhe “jo” atyre që keq qeverisën për më shumë se dy dekada. E këto dy opsione më tej janë në njërën anë ndryshimi juaj i madh që e keni realizuar në Kosovë më 14 shkurt 2021, e që ishte revolucioni elektoral, meqë një subjekt, subjekti ynë i mori mbi 50% të votave, dhe ata që keqpërdorën për më shumë se dy dekada, sepse qeverisën vetëm për vete nga lakmia. Por po ashtu, në atë anë të tyre është edhe kapitali i oligarkëve, e sidomos i njërit prej tyre, me kompaninë e tij që e regjistrojnë me “Đakovica” e “Peć, Srbija”, dhe që e dëbojnë nga puna motrën e dëshmorit, vetëm pse në familjen e tyre më kanë pritur mua për vizitë, dhe në anën tjetër jemi ne njerëzit, jo kapitali i zhvatur, por njerëzit, njerëzit me zemër të madhe, njerëzit që duam të pasurohet e të forcohet shteti dhe pasurimi të bëhet për të gjithë e jo për disa, dhe atë me punë, me ligj, me nderë dhe jo me zhvatje, plaçkitje e arbitrazhe të kurdisura. Prandaj, të dashur qytetarë, të nderuar gjakovarë, ne e duam vendin tonë, Kosovën Republikë e jo Kosovën klan.

Ata që kanë qenë të privilegjuar, ata që janë pasuruar përtej imagjinatës së tyre, e sigurisht jashtë ligjit, atyre kur ne u kërkojmë të heqin dorë nga privilegjet dhe ta kthejnë pasurinë e plaçkitur, mendojnë se po e pësojnë një padrejtësi. Por me privilegje e pasurim të pajustifikueshëm nuk ka barazi, ne duam barazi dhe pikërisht barazia atyre u duket se është padrejtësi. Në fakt, barazia është drejtësi dhe drejtësia do të veprojë mbi të gjithë ata të cilët e plaçkitën vendin tonë, ia morën të mirat materiale dhe na e vonuan neve zhvillimin e progresin. Kjo është arsyeja, ky është shkaku pse në mandatin tonë të ardhshëm do të kemi një prokurori të re speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në katër vitet e ardhshme do ta përfundojmë rrugën Prizren – Tetovë, autostradën Prishtinë – Gjilan deri te Dheu i Bardhë, rrugën Dollc – Gjakovë, Kiev – Zahaq dhe gjithashtu atë Duhël – Shtime – Banullë, por gjithashtu do ta ndërtojmë edhe autostradën e Dukagjinit, rrugën e zgjeruar që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën dhe Istogun. Pra, ata premtonin autostrada për të bërë shpronësime të tokave të miqve me çmime stratosferike, ndërkaq ne do të zgjerojmë rrugët dhe do të bëjmë magjistrale të cilat do të funksionojnë si autostrada, për të cilat ata flasin, por kurrë nuk i bëjnë, e ne i bëjmë edhe atëherë kur s’flasim. Tjetra, kur jemi te rrugët, në muajt e parë të qeverisjes sonë do të heqim taksën doganore prej 10% për veturat nga BE, kurse me draft-ligjin e ri për automjete, që është gati dhe vetëm po pret fillimisht miratimin në qeveri e pastaj edhe në Kuvend, do ta heqim kufizimin 10-vjeçar për veturat që importohen nga jashtë, e në vend të tij do të kemi kriterin e emetimit të gazrave Euro 5, kriterin e vjetërsisë po e zëvendësojmë me kriterin e BE për mjedis të pastër.

Me rrugët që po i ndërtojmë e zgjerojmë, lidhjet po i bëjmë më të mira e udhëtimin më të rehatshëm, por gjithashtu, me heqjen e kësaj takse doganore prej 10% për veturat nga BE që do ta bëjmë në muajt e parë të qeverisjes, dhe me heqjen prej qafe të tallit të homologimit të Devollëve, pronësinë e veturave po e bëjmë të përballueshme. Ndërkaq, me programin “Anembanë Kosovës”, me 10 euro biletë mujore të integruar, do të mund të udhëtojmë anembanë Kosovës me transport publik. Do të kemi edhe trafik urban, edhe ndërurban, dhe me 10 euro mund të qarkulloni brenda muajit kah të doni, cep më cep në Kosovën tuaj të dashur. Dhe kësisoj, qarkullimi do të mundësohet jo vetëm sepse thjesht do të ketë vetura më të mira, por për shkak se do të ketë transport publik të mirë urban e ndërurban.

Në mandatin e ri, do të fillojmë me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, e cila duhet ta ketë përbrenda segmentin Gjakovë – Shkodër. Mandati i ardhshëm, të dashur qytetarë, është mandati i hekurudhave, sepse përveç rehabilitimit dhe modernizimit të linjave ekzistuese, do të projektojmë edhe linja hekurudhore të reja që lidhin Prizrenin e Ferizajin me Gjilanin dhe Bujanocin, dhe sidomos këtë linjën 10 nga Hani i Elezit në Fushë Kosovë, në Mitrovicë e deri në veri, në Leshak, cep më cep.
Lidhjet mes Gjakovës dhe Shkodrës janë të hershme dhe historike. Kur ekzistonte aksi i korridorit për shkëmbime tregtare mes Gjakovës dhe Shkodrës, u rrit jo vetëm vëllimi i tregtisë, por edhe mirëqenia dhe të ardhurat për banorët e zonave përreth. Ajo kohë u quajt koha e bollëkut. Hekurudha Prishtinë – Durrës, me segmentin Gjakovë – Shkodër, do ta mbushë boshllëkun dhe do ta kthejë bollëkun, për Gjakovën e për Shkodrën, për Kosovën e për Shqipërinë.
Me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po lidhemi edhe më fort me rrugën Prizren – Tetovë që tashmë ka nisur, me shqiptarët e Shqipërisë po lidhemi edhe më ngushtë me këtë hekurudhën Prishtinë – Durrës, me shqiptarët në Luginën e Preshevës po lidhemi edhe më sigurt me autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, dhe me hekurudhën për në Bujanoc, Kosovën po e bëjmë nyjen që i bashkon shqiptarët.

Ju e dini që pagën minimale për punëtorët tanë e kemi gjetur 130 euro nëse je nën 35 vjeç dhe 170 nëse je mbi 35 vjeç – e kemi rritur në 350 euro, e në mandatin e ardhshëm do ta bëjmë së paku 500 euro.
Do t’i mbështesim gratë me programin e ri “Superpuna për Gratë”, dhe meqenëse gratë kujdesen më shumë për fëmijët, do ta rrisim numrin e çerdheve gjithandej nëpër Kosovë. 65 i kemi ndërtuar me 36 milionë euro në 25 komuna, në 7 rajone, ndërkaq 17 vjet para nesh, ish-ish-qeveritë që dikur ishin dhe kurrë më nuk do të kthehen, ata për 17 vjet ndërtuan vetëm 4 çerdhe me 1.2 milionë euro. Të dashur qytetarë, ne kemi ndërtuar më shumë çerdhe në një komunë sesa ata për 17 vjet në krejt Kosovën. Dhe a e dini pse është kështu? Sepse ata nuk kanë qenë në qeveri as për nënat, as për fëmijët. Ata kanë qenë në qeveri për vete, ata kanë qenë në qeveri për fëmijët e vet, ata kanë qenë në qeveri për gratë e veta dhe për nënat e veta, por jo për nënat e Kosovës, jo për gratë e Kosovës, jo për fëmijët e Kosovës, siç është qeveria jonë!
E nëse ka vend në të cilin, nuk do të ketë çerdhe, atëherë gjysheve dhe gjyshërve do t’ua japim nga 100 euro shtesë mbi pensionin e tyre, përderisa kujdesen për fëmijët nga 1 deri në 3 vjeç, atëherë kur të dy prindërit punojnë. Këtë e ka bërë Suedia, ne jemi shteti i dytë në Evropë që e përvetësojmë këtë model dhe e zbatojmë me qeverinë tonë në mandatin e ardhshëm pas 9 shkurtit.
Madje, me bono do t’i mbështesim edhe prindërit që i çojnë fëmijët në çerdhe jo publike. Pra, jemi qeveria për prindër, qeveria për fëmijë, qeveria për familje.

Ndërkaq, me programin tjetër “Mobiliteti për studentë”, do të mbështesim studentët në nevojë çdo muaj, varësisht nga distanca ku studiojnë prej vendit ku jetojnë.

E, të dashur qytetarë, në mandatin e ardhshëm do të ndajmë 1 miliard euro për ushtrinë, deri në 1 miliardë euro për prodhimtari, e mbi 1 miliard euro në vit shpenzime apo investime kapitale. Vetëm në Brezovicë do të investojmë gjysmë miliardi euro nga partneriteti publiko–privat, tash që e kontrollojmë ne dhe e kemi fiskalizuar ne, për dallim prej kohërave të mëhershme kur kontrollohej e përfitohej prej saj nga strukturat ilegale, institucionet paralele të Serbisë që ne i mbyllëm, i eliminuam, i shporrëm, cep më cep.
Aq shumë struktura ilegale, të ashtuquajtura paralele. kishte pasur, të dashur gjakovarë, në Kosovë, saqë po më duket më shumë kishtë pasur paralele sesa kësi të shtetit. Aq shumë kemi mbyllur ne, aq shumë i kemi eliminuar ato. A e dini pse e kemi bërë këtë? Sepse është e ligjshme, sepse është e drejtë, sepse është e vërtetë, sepse është e mirë, sepse është kushtetuese, por edhe sepse nuk dëshirojmë që këtë barrë t’ua lëmë fëmijëve tanë. Ne duhet ta kryejmë këtë punë! Nuk mund ta gjeni asnjë brez të shqiptarëve pa një luftë. Ka breza të shqiptarëve edhe me dy luftra e tri luftra, por s’mund ta gjeni asnjë brez të shqiptarëve pa asnjë luftë. E ne punojmë që brezi i ardhshëm i shqiptarëve, fëmijët tuaj, të mos kenë luftë, e për këtë na duhet ushtria e fortë dhe e fuqishme.

Andaj, edhe kemi blerë dronë luftarak Bayraktar TB2 prej Turqisë, sistemin amerikan antitank Javelin, po blejmë edhe helikopterë ‘Skifterë të Zi’, ‘Black Hawk’, e do ta kemi edhe fabrikën tonë të municionit dhe do t’i prodhojmë edhe vetë ne dronët ‘Made in Kosova’.
630 milionë euro ka qenë buxheti në këto 4 vjet për mbrojtje për ushtri, mbi 50% do ta rrisim në mandatin e ardhshëm. 319 milionë euro kemi blerë armatim e municion, e ata para nesh, në vitet 2018–2020, as 4 milionë euro nuk i patën. E të dashur qytetarë, po ua shtroj një pyetje për të cilën nuk po përgjigjem sonte, edhe pse ju e dini përgjigjen, e dini që unë e di, edhe unë e di përgjigjen, edhe e di që ju e dini. Por pyetja për të cilën s’po përgjigjemi sonte është: pse këta para nesh nuk e kanë armatosur ushtrinë? Pse këta para nesh nuk kanë blerë municion? A nuk kanë dashur me blerë, apo ata që mundëm me ua shitur kanë refuzuar këtyre me ua shitur? A nuk kanë kërkuar municion, armatim për ushtrinë tonë, apo ata që i prodhojnë armatimin e municionin u kanë thënë këtyre “juve s’ua japim”? Kjo është pra pyetja në të cilën nuk po përgjigjem unë sonte, dhe unë e di që ju e dini, e ju e dini që unë e di.

Ne synojmë paqe e siguri, progres dhe drejtësi, liri, demokraci, andaj edhe me këto aspirata e gjejmë vendin tonë të ardhshëm sa më shpejtë, aq më mirë, e për këtë do të punojmë dhe do të angazhohemi në BE dhe në NATO, e në partneritet, e aleancë, e miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E këta kundërshtarët e mi e kundërshtarët e juaj, këta të dashur qytetarë, prej vitit 2021 në pranverë u thonin aktivistëve të vet: “Në vjeshtë po bie qeveria, në vjeshtë ka zgjedhje, në vjeshtë thonin, në pranverë ka zgjedhje, në muajin e ardhshëm po bie qeveria.” E dëgjuan një ndërkombëtar që tha: “Ky muaj nuk i nxë”, e të dashur qytetarë, hajt një javë e hajt një muaj, hajt një stinë e hajt një vit, u bënë 4 vite, e tash kur po mendojnë që janë edhe 4 të tjera, duan me u tranu.
Andaj, kemi me i mund, s’kemi çare pa i mund! Megjithatë, është mirë pak mirëkuptim për ta, se ata që kanë menduar se ne do të rrëzohemi disi me ndërkombëtar muajin e ardhshëm, e ne e kemi çuar mandatin cep më cep 4 vjet – qeveria e parë që e plotëson mandatin në Kosovën e pavarur – tash pas këtyre zgjedhjeve të 9 shkurtit, më mirë me thënë pas një referendumi gjithpopullor të 9 shkurtit, kur po u kujtohet që kemi me qenë së paku edhe 4 vjet të tjera, s’po dijnë çka me bë. E kur s’di çka me bë, flet palidhje, e kur flet palidhje, të mundin edhe më kollaj sesa kanë pasur me të mund edhe ashtu.

Unë jam krejt këtë pasdite sot në Gjakovë, dhe nuk kam çare pa ju tregu çka po më thonë: ngado që po shkoj po i takoj dy grupe njerëzish, kanë edhe pak dallim moshe, dorën në zemër, por nuk është kjo kryesorja. Një grup po më thonë: “Me 9 shkurt duhet me i mund flliqt”, e një grup po më thonë: “Me 9 shkurt duhet me i mund pastër.” Por të dy grupet po pajtohen që duhet me i mund ata!
Ama nuk duhet vetëm me i mund, duhet 500 mijë vota, 500 mijë zemra, jo vetëm me dalë të parët, por ne me formu qeverinë vetë, në mënyrë që me qeverisë drejt, mbarë, mirë, sikur në këto 4 vjet, bile edhe më shpejtë, edhe më shumë!

Kontribo