30 10 2019

Gjatë vizitës në Britani të Madhe, ligjeratë në Universitetin e Winchesterit dhe një tubim me bashkatdhetarë.

Gjatë vizitës në Britani të Madhe, kryetari Kurti i shoqëruar nga deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli dhe koordinatori i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Agim Morina, mbajti një ligjeratë në Universitetin e Winchesterit të moderuar nga Prof. Seb Bytyçi dhe një tubim me bashkatdhetarë.

Në ligjeratën me temën “Ndërtimi ndërkombëtar i paqes – Rasti i Kosovës” ku ishin të pranishëm studentë, hulumtuesë, ekspertë dhe pjestarë të mërgatës, kryetari Kurti foli për procesin e ndërtimit të paqes në Kosovë pas ndërhyrjes së NATO-s, sfidat nga burokracia ndërkombëtare dhe korrupsioni qeveritar brenda Kosovës dhe ato të agresivitetit të Serbisë prej jashtë, si hapat e që duhet të ndërmerren përmes zhvillimit ekonomik e drejtësisë ligjore për të siguruar paqen afatgjate.

Hapjen e tubimit me bashkatdhetarë e bëri z. Morina i cili falendëroi të gjithë aktivistët dhe përkrahësit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për punën dhe angazhimin që bënë të mundur themelimin dhe funksionimin e Qendrës në Britani të Madhe. Deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli u fokusuan tek edukimi dhe përvoja që kanë marrë në Britani të Madhe dhe vendimi i tyre për t’u kthyer në Kosovë dhe angazhuar në Lëvizje për të kontribuar në ndryshimin dhe përparimin e vendit.

Kryetari Kurti theksoi prioritetet dhe zotimet e qeverisë së re si dhe vendimet e para që do të ndërmarr siç është zvogëlimi i qeverisë dhe ndalimi i menjëhershëm i keqpërdorimeve. Kurti falënderoi mërgatën për kontributin e vazhdueshëm para, gjatë dhe pas luftës si dhe organizimin masiv për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit. Ai tha që për mërgatën do të krijojë mundësinë e votimit në vendet ku jetojnë nëpër Ambasada dhe Konsullata të Republikës së Kosovës, rimëkëmbje të shkollës shqipe për fëmijët e mërgatës si dhe mundësi për investime fitimprurëse në Kosovë.

Pas prezantimeve u bë diskutim i hapur me shumë pyetje, komente e përgjigje.

Kontribo