07 11 2014

Gjilan – Bojkotoni produktet e Serbisë

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan organizoi sot një aktivitet përmes të cilit u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë produktet e Serbisë. Disa nga parullat që u paraqitën në këtë aksion ishin: “Bojkoto produktet e Serbisë”, “Blej shqip”, “Produktet e Serbisë për Kosovë janë të dyshimta”, “Ata po kërkojnë vrasjen e shqiptarëve, ne po ua mbushim arkën me para”, “Dëmtoje Serbinë, ndihmoje Kosovën”, e të tjera.

Aktivisti Yll Islami foli për shifrat që ka përfituar shteti serb ndër vite nga produktet e veta që i ka shitur në Kosovë. “Nga viti 2002 deri në vitin 2013 nga Serbia tregtarët tanë i kanë importuar 2 miliardë e 600 milionë euro produkte të Serbisë. Në vitin 2011 nga Serbia janë importuar mbi 75 milionë euro, në vitin 2012 mbi 81 milionë euro, kurse në vitin 2013 janë importuar 91 milionë e 161 mijë euro”, theksoi Islami.

Ai tutje shtoi se Serbia, ndër të tjera, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të financojë strukturat e veta kriminale që çdo ditë e më shumë po e bëjnë të pamundshëm funksionimin e shtetit të Kosovës. “Serbia e ka edhe të kaluarën edhe të tashmen kriminale ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë vrau mbi 14 mijë shqiptarë, i dëboi mbi 800 mijë, vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1700, dhunoi mbi 20 mijë gra e vajza, vodhi artefaktet dhe fondin pensional, e të tjera. Kurse tash, në Serbi po i djegin furrat dhe shtëpitë e shqiptarëve. Konsumi i produkteve të Serbisë, është financim i minimit të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë”, tha Islami.

Duke konsumuar produktet e Serbisë, me një veprim i shkaktojmë dy dëme: një produkt i Serbisë i blerë më shumë, është një produkt i shitur më pak nga prodhuesit vendorë, është një hap më pak drejt zhvillimit të brendshëm; një produkt i Serbisë i shitur më shumë është një shtytje për ta forcuar shtetin që e lufton vendin tonë.

Prandaj kërkojmë nga ju qytetar të nderuar t’i bojkotoni produktet e Serbisë, që ta zhvillojmë e ta rrisim produktin vendorë, e që të mos e ndihmojmë ekonominë e një shteti që është armiqësor ndaj nesh.


7 nëntor 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Gjilan

Kontribo