10 02 2007

Hetimet e Robert Dinit 2007

Në raportin e tij të 16 prillit 2007 Prokurori Special i UNMIK-ut Robert Din kishte konkluduar se:

“Provat që kemi deri tani shpiejnë në përfundimin se vdekjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit kanë qenë të panevojshme dhe të shmangshme. Duket se nuk ka asnjë asrsyetim për qëllimin në kokë të Mon Balajt dhe në kokë të Arben Xheladinit ose në gjoks të Zenel Zenelit. Synimet e planit operacional ishin mbrojtja e ndërtesave dhe kontrollimi i turmës. Shkaktimi i lëndimeve vdekjeprurëse ose gati vdekjeprurëse ka ndodhur në largësi të konsiderueshme nga ndërtesa e qeverisë që do të ruhej. Konkluzioni tjetër në të cilin kemi arritur është se përdorimi i fishekëve të gomës atë ditë mund të ketë qenë i paarsyeshëm dhe i papërshtatshëm në ato rrethana.” (Raporti i Robert Dinit, 16 prill 2007, f. 9)

“Asgjë nga provat deri më tani nuk tregon se Mon Balaj, Arben Xheladini ose Zenel Zeneli kanë bërë diçka për të rrezikuar jetën e ndonjë zyrtari policor ose të ndonjë personi në kohën kur ata janë qëlluar.” (Raporti i Robert Dinit, 16 prill 2007, f. 8)

Hetimet e mangëta të vdekjeve dhe lëndimeve të 10 shkurtit kanë qenë të karakterizuara me mungesën e plotë të llogaridhënies prej atyre që janë përgjegjës:

Ministri i Punëve të Brendshme që dha dorëheqje pas 10 shkurtit nuk kishte kompetenca fare për drejtimin e operacionit policor atë ditë – kjo ishte në duar të UNMIK-ut.

Shefi i Policisë Ndërkombëtare që kishte drejtuar operacionin policor Stiven Kurtis dha dorëheqje dhe lëshoi vendin pa iu nënshtruar pyetjeve hetimore nga Robert Din, dhe gëzon imunitet nga ndjekja penale.

Njësia rumune e policisë që përfshinte zyrtarë policorë përgjegjës për vrasje ishte lejuar nga UNMIK-u të braktiste Kosovën në mënyrë sekrete më 21 mars 2007, para publikimit të raportit të Dinit. Ata janë të mbrojtur nga immuniteti i UNMIK-ut. Qeveria e tyre pohon se ka nisur një hetim ushtarak, por nuk është dhënë asnjë informatë tjetër. Me t’u kthyer në Rumani këta policicë ishin dekoruar me medalje nga presidenti rumun.

Asnjë hetim penal i pavarur nuk është bërë pas demonstratës. Hetimet e UNMIK-ut/Dinit nuk i kanë trajtuar policët rumunë si të dyshimtë, edhe pse ishte e qartë që prej momentit kur kishin filluar hetimet se ishin fishekët nga kjo njësi (të skaduar prej 12 vjetësh) që kishin vrarë Mon Balajn dhe Arben Xheladinin.

Hetimet e Dinit arritën në përfundimin se nuk ishte e mundshme të vërtetohej se cilët pjesëtarë të njësitit të policisë rumune ishin përgjegjës për fishekët vdekjeprurës. Me këtë “konkluzion” përfundoi procesi ligjor.

Meqë UNMIK-u është i mbrojtur me imunitet dhe nuk është e mundshme të paditet një organizatë në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut, i vetmi opsion i mbetur për familjet ishte të paraqitin një ankesë për të drejtat e njeriut pranë PKDNJ-së në vjeshtë të 2007-ës. Ky panel ka të drejtë të shqyrtojë rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut nga UNMIK-u dhe t’i bëjë PSSP-së rekomandime të jodetyrueshme në lidhje me to.

Ketu mund ta lexoni raportin e plotë të Robert Dinit (në gjuhën angleze).

Kontribo