10 02 2019

Homazhe në nderim të Monit dhe Arbenit

Jehona e 10 shkurtit nuk ka të sosur!

Me rastin e 12 vjetorit të demonstratës së 10 Shkurtit 2007 Lëvizja VETËVENDOSJE! vizitoi familjet e dëshmorëve të kombit Arben Xheladinit dhe Mon Balajt dhe mbajti homazhe në nder të tyre. Më 10 Shkurt Arben Xheladini dhe Mon Balaj marshuan paqësisht për Republikën dhe u vranë pabesisht nga forcat e UNMIK-ut.

10 Shkurti është vazhdimi i përpjekjes së popullit të Kosovës, e cila nuk u bë për zëvendësimin e shtypjes koloniale me sundim ndërkombëtar, por për pavarësi dhe barazi mes popujsh. Më 10 Shkurt u ngritëm kundër Planit të Ahtisaarit të 2 shkurtit 2007, i cili Republikën e mendonte jo të pavarur, por të mbikqyrur me sundimin politik dhe policor ndërkombëtar, dhe jo Republikë me vetëvendosje popullore, por si bashkësi komunitetesh etnike. 10 Shkurti ishte marshi paqësor i një populli për vetëvendosje, kundër një ideje që e mohonte me plumba edhe popullin, edhe parimin e vetëvendosjes, edhe sovranitetin e Republikës.

Për të rënët e 10 shkurtit kurrë nuk pati drejtësi. Përgjegjësit e dy vrasjeve dhe urdhëruesit e tyre nuk u përballën kurrë me drejtësinë.

Në homazhet e bëra, pranë varrit të djalit të tij, babai i Arben Xheladinit, Shaban Xheladini u shpreh duke thënë, “djemtë tanë nuk konsiderohen si mbrojtës të Kosovës. Bile, ish-Kryetari i qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi para do vitesh u vu në mbrojtje të policëve rumun botërisht në televizion duke thënë se Arbenin dhe Monin nuk i ka vrarë policia rumune, por i ka vrarë Lëvizja VETËVENDOSJE!. U vu në mbrojtje të atyre që me t’u kthyer në Rumani parlamenti rumun i dekoroi dhe shpërbleu se e kanë kryer punën mirë”.

Në homazhet për Mon Balajn, vëllai Fahri Balaj duke falenderuar të pranishmit për homazhet tha, “Ne si familje besojmë që Moni dhe Arbeni ishin në rrugën e drejtë, siç jemi të bindur se për çdo ditë dhe në vazhdimësi duhet të punohet për Kosovë dhe Shqipëri”.

Nderime u mbajtën edhe në vendin ku ranë Arbeni dhe Moni ku foli edhe Glauk Konjufca, “të mos harrojmë që Kosova i ka edhe dëshmorët e pas luftës, siç janë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, sepse këta janë dëshmorë të vullnetit të popullit dhe të shoqërisë tonë për liri dhe vetëvendosje!”

Kosova me parimin e vetëvendosjes nuk është subjekt problematik, por mënyra e zgjidhjes së njërit prej problemeve të Serbisë dhe mënyra e zgjidhjes së një pjesë të çështjes shqiptare. Dëshmia e Arben Xheladinit dhe e Mon Balajt është dëshmia se paketa e Ahtisaarit për statusin e Kosovës ishte me kushtin që t’ua mbyllte gojën shqiptarëve, dëshmia e një Republike me gjuhën e prerë. Kosovës i janë kufizuar aftësitë me shtypjen e parimit të vetëvendosjes.

Lavdi Monit dhe Arbenit!

Kontribo