01 09 2019

Homazhe në Prizren

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari Kurti vizitoi sot familjen Kuzhnini në Prizren, për të shprehur nderimet më të larta për veprimtarin e kombit shqiptar i cili disa ditë më parë u nda nga jeta, Mikel Kuzhnin. Mikeli së bashku me vëllain e tij Simonin ka themeluar Lidhjen e Shqiptarëve në Botë, dhe ka kontribuar gjithë jetën e tij për bashkimin, lirinë dhe vetëvendosjen e shqiptarëve. Ai do të mbahet mend nga të gjithë si një atdhetar i palodhshëm dhe i pakursyer i çështjes shqiptare, si ai që ka dhënë një shembull të atdhedashurisë dhe përkushtimit për të.

Delegacioni bëri homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve në Landovicë, për të vazhduar tek lapidari aty ku është zhvilluar beteja e Vrrinit, në përvjetorin e 21-të të asaj beteje.

21 vite më parë, në zonën e lirë të fshatrave të Vrrinit në Prizren, u zhvillua një nga betejat më të hershme dhe më të lavdishme të UÇK-së. Brigada 125 e saj me komandant Drinin iu kundërvu rrethimit të ushtrisë serbe, e cila prej sipër zonës malore kishte drejtuar artilerinë poshtë fshatit dhe qytetit. Brigada 125 e UÇK-së, nën rrethim e në pamundësi për përforcime dhe me një armatim të lehtë, bëri të pamendueshmen asokohe, duke rezistuar dhe mbajtur forcat serbe aq gjatë në distancë, sa të hapej rruga për evakuimin e popullatës, spitalit ushtarak dhe dokumentacionit të shtabit. Betejë e përgjakshme, por edhe e lavdishme, prej betejave të para që u zhvilluan aq hapur si në fshatra ashtu edhe në qytet, dhe me aq shumë të rënë, 27 dëshmorë dhe 54 martirë që mbrojtën shtëpitë e tyre.

Kontribo