27 04 2023

Homazhe për të zhdukurit me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë

Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga ministra, deputetë dhe aktivistë tanë, bëri homazhe te pllaka në Parkun Memorial “Të Pagjeturit”, në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, tek Përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, si dhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

27 Prilli është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës, por gjithashtu është edhe dita e të zhdukurve me dhunë në Kosovë, pra dita e të pagjeturve, të atyre të cilët u rrëmbyen me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Në pesë varreza masive në Serbi, janë eks-humuar deri më tani rreth 950 kufoma, dhe janë mbi 1600 që figurojnë ende të zhdukur nga lufta e fundit.

Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare por edhe mobilizimi kombëtar.

Në aneksin për zbatim, të Ohrit, Qeveria e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se është çështje urgjente, çështja e të pagjeturve dhe presim që ashtu me urgjencë të trajtohet nga ndërmjetësit, nga lehtësuesit evropian siç e kemi thënë në Ohër me 18 mars, ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje.

Kontribo