06 03 2018

Homazhe te 59 varret në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz

Sot, shumë aktivistë e anëtarë, anëtarë të kryesisë e deputetë të Lëvizjes, bënë homazhe te 59 varret në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz. Me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizitoi familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat e Lulzim Jashari. Pas nderimeve, kryetari i VETËVENDOSJE-s, Albin Kurti tha:

Këtu në Prekaz, para dy dekadave, tre breza të Jasharajve u flijuan për të ardhmen dhe për neve. Nga Shabani e Zahidja që ishin 74 vjeçarë te Igballja 11 vjeç, Blerina 7 vjeç e Kushtrimi 13 vjeç.

Hamza e Ademi bashkë me Zarifen, Hidajeten, Adilen, Feriden dhe Selveten, luftuan dhe u sakrifikuan sepse e deshën lirinë dhe tokën më shumë se jetën.

Sakrifica e Jasharajve i dha hovin vendimtar luftës çlirimtare. Epopeja e UÇK-së e 5, 6 dhe 7 marsit ndodhi midis dy demonstratave shumë të fuqishme në Prishtinë, asaj me 2 mars 1998 dhe 9 mars 1998. E mbaj mend mirë se si aq masive ishte demonstrata e 9 marsit, dy ditë pas Epopesë, saqë edhe policia e Serbisë u frikësua të ndërhyjë. Atë ditë nëpër banesa në Prishtinë nuk kishte mbetur kush. Që të gjithë ishin në rrugë.

Epopeja e UÇK-së e ndryshoi politikën dhe historinë. Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen dhe kështu e ndryshuan popullin sepse e bashkuan atë dhe e ndryshuan secilën familje shqiptare sepse i vetëdijësuan ato. Gjithçka ndryshoi përgjithmonë.

Jemi këtu në Prekazin heroik e historik. Historia nuk dorëzohet. Sepse ajo nuk ka pronar. Dhe, ajo reziston suksesshëm. Ato tri ditë ishin më shumë se 20 vjet. E, këto 20 vjet nuk duken as si tri ditë.

Lavdi Jasharajve dhe gjithë herojve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!

Kontribo