28 11 2018

INTEGRIMI EKONOMIK KOMBËTAR – Bashkënpunimi, Harmonizimi, Bashkimi

Lëvizja VETËVENDOSJE! më 28 Nëntor organizoi tribunën me temë ‘Integrimi Ekonomik Kombëtar’ për rritjen e bashkëpunimit dhe harmonizimin e politikave ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës drejt bashkimit ekonomik. Në tribunën me moderator Nënkryetarin e Lëvizjes prof. Besnik Bislimin folën Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, Arbërie Nagavci nga Komiteti për Arsim dhe Kërkim shkencor dhe Edison Jakurti nga Komiteti për financa. Integrimi ekonomik kombëtar ka qenë gjithnjë pjesë e platformës politike të Lëvizjes dhe Lëvizja vazhdimisht po i shton analizat dhe propozimet drejt kësaj ideje.

Aktualisht, niveli i bashkëpunimit ekonomik dhe koordinimi i përbashkët i politikave ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës janë më të largëta sesa bashkëpunimi dhe organizimi ndërmjet kombeve brenda Bashkimit Europian. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës po nënshkruajnë marrëveshje, por pa i shoqëruar me zbatimin e tyre. Ndërkohë, problemet tona mbeten të ngjashme dhe kërkojnë zgjidhje të përbashkëta.

Në fushën e arsimit, Arbërie Nagavci tregoi se në të dy shtetet tona vërehet mungesa e kuadrove të shkathët në mendim kritik dhe reflektim analitik, mungesa e vetëdijësimit për rëndësinë e arsimit profesional dhe mungesa e koordinimit për kurrikulat shkollore e po ashtu për aftësimin profesional të mësimdhënësve. Deputetja Nagavci propozoi disa hapa për zgjidhjen e përbashkët të këtyre problemeve ku përfshihen heqja e kuotave dhe njësimi i kritereve për qytetarët tanë për studimet universitare në të dy shtetet dhe harmonizimi i praktikave profesionale. Po ashtu, propozoi bashkimin në një institucion të vetëm të Akademive të Shkencave, Instituteve Albanologjike, Instituteve për formimin profesional të mësimdhënësve, agjensive të akredimi dhe formimin e një instituti për vlerësimin dhe monitorimin e arsimit e po ashtu formimin e një instituti për hulumtim akademik dhe shkencor.

Për nivelin aktual të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona, Edison Jakurti tregoi se ai është në fazën e një integrimi foshnjor, pasi dy vendet kanë arritur të nënshkruajnë vetëm për trajtime preferenciale dhe tregti të lirë mes tyre, por ngelen larg fazave të integrimit intensiv si: unioni doganor, tregu i përbashkët dhe unioni monetarë e bankarë. Import-Eksportet mes dy vendeve, edhe pse janë rritur vitet e fundit, mbeten modeste. Përmes analizës së tij të të dhënave, Jakurti shpjegoi sesi e kzistojnë shumë barriera tregtare mes dy vendeve sepse qeveritë gjithnjë kanë implementuar reforma sipas motos “secili për veten e tij”. Është interesi i oligopoleve dhe i monopoleve me lidhje të shkurtra me qeveritë respektive, të cilit nuk i intereson bashkimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithatë, potenciali për shkëmbim tregtar është i madh falë dallimeve të vogla mes nesh si shoqëri. Për hapat e domosdoshëm drejt integrimit ekonomik Edisoni Jakurti propozoi: heqjen e barrierave jotarifore përmes unifikimit të standardeve dhe institucioneve për prodhimet vendore, unifikimin e instituteve të statistikave, regjistrit të biznesit dhe bashkimin doganor me synim të mëtejshëm bashkimin e bankave qëndrore.

Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti kritikoi nivelin aktual të bashkëpunimit mes dy qeverive duke thënë se më të shpeshta duhet të jenë llogaridhënia dhe raportimi i marrëveshjeve tashmë të nënshkruara sesa shtimi i marrëveshjeve që nuk zbatohen nga mungesa e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë. Përndryshe, bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak mes dy vendeve do duhej të ishte prioritar. Sipas Kryetarit Kurti defiçiti i lartë tregtar për secilin nga shtetet tona tregon se territori jonë përdoret kryesisht për qarkullimin e kapitalit ndërkombëtar, në vend se të përdorej për akumulimin e kapitalit kombëtar. Secila nga qeveritë tona i gjymton buxhetet përkatëse në vend se të mendonte për investime të harmonizuara në fushën e energjisë, bujqësisë dhe në hapësira të tjera të nevojshme. Ndërsa koordinimi i dy qeverive për shqiptarët jashtë kufijve të dy shteteve tona është i padukshëm. Kryetari Kurti e mbylli fjalën e tij duke thënë se në këtë periudhë kur flitet për ndarjen e Kosovës, dy qeveritë shqiptare do të kishin bërë mirë ta mbanin takimin në Mitrovicën që duhet bashkuar sesa në Pejën prej ku ju dhanë mbi 8,200 hektarë Malit të Zi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

28 Nëntor 2018

Kontribo