04 02 2025

Juniku me 1000 zemra për Vetëvendosjen më 9 shkurt – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Junikut

Juniku është unik, por po ashtu është edhe ky subjekti ynë i përbashkët, Lëvizja
VETËVENDOSJE, Partia Guxo, Partia Alternativa, me numër 118, që i duhen dhe do t’i ketë
500 mijë zemra më 9 shkurt.
Mirë se ju gjej të nderuar pjesëmarrës, të dashur banorë të Junikut, këtu në Junikun e 12 fiseve,
në zemër të Bjeshkëve të Nemuna e të majës më të lartë të Kosovës, këtu, në krenarinë e
Shqiptarisë. Mirë se ju gjej edhe në Junikun e Erenikut dhe Moronicës, të Kuvendit të Junikut,
ku në maj të vitit 1912, me nismën e Hasan Prishtinës, u mblodhën 250 delegatë nga vilajeti i
Kosovës dhe sanxhakët e Dibrës, Shkodrës e Elbasanit, e në mesin e tyre edhe Halil Mehmeti
nga Juniku, për të vënë themelet e pavarësisë së Shqipërisë.
Juniku i ka të gjitha. Kur e ka natyrën e Perëndisë, bujarinë e shqiptarit, historinë e kombit, nuk
ka se si të mos i ketë edhe trimat e vendit si Edmond Hoxha, Fadil Maloku, Avdyl Jasiqi, Arif
Gjoci, Shkëlzen Gacaferi dhe Bashkim, Besnik e Bujar Jasiqi, që dashurinë më të madhe në jetë
e patën atdheun tonë të përbashkët. Këtu në Junik, në betejën e Junikut të luftës për çlirim, më 20
gusht 1998, ra heroikisht edhe Bekim Berisha Abeja, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, e
dëshmorët tanë, Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula e Shaban Mazrekaj. Lavdi të gjithë
heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!
E Juniku nuk është vetëm komunë e rëndësishme për historinë tonë kombëtare, por edhe për
ekonominë, e sidomos bujqësinë tonë. Gjatë qeverisjes më pak se katërvjeçare, mbi gjysmë
milioni euro kemi mbështetur me subvencione dhe grante rreth 350 bujq e fermerë. Edhe sistemi
i ujitjes është përmirësuar me përkrahjen e qeverisë sonë. Në sistemin e ri të ujitjes, njëqind
hektarë tokë tash kanë qasje në ujitje. E natyrisht, që përqendrimi ynë është të ndihmojmë aty ku
janë nevojat më të mëdha dhe aty ku lind jeta. Rreth 100 nëna lehona dhe më shumë se 720
fëmijë kanë përfituar shtesa gjatë këtyre viteve, duke filluar nga fillimi, nga viti i parë i mandatit
tonë. Janë bërë mbi 10 milionë euro investime në Junik nga qeveria jonë qendrore, nga rrugët e
ndriçimi publik, te shkolla “Edmond Hoxha”, dhe çerdhja për 40 fëmijë, e cila është përuruar më
pak se para dy javëve. Ne e duam Junikun me zemër dhe këtë e dëshmojmë me mbështetje
buxhetore, me përkrahje financiare e me investime kapitale.
Pa dyshim, që projekti më strategjik dhe më i rëndësishëm për Junikun është rruga Junik-
Gjeravicë. Për këtë rrugë, deri më tani kemi ndarë 4,5 milionë euro dhe do të vazhdojmë ta
mbështesim, sepse jemi të interesuar që të përfundojë sa më parë, ashtu që si banorët, edhe
turistët, të shijojnë bukurinë e bekuar të Bjeshkëve të Nemuna, të Bjeshkëve të Rugovës.
Ndërtimi i rrugës Junik-Jasiq-Gjocaj, në vlerë rreth 550 mijë euro, po ashtu ka përfunduar.
Ndërkaq, punët po vazhdojnë për zgjerimin e rrugës Junik-Rastavic dhe për ndërtimin e rrugës
unazore, që bashkë bëjnë një investim prej mbi 2,3 milionë euro. Në Junik, e kemi ndërtuar edhe
stacionin e ri të autobusëve, ku ka kontribuar edhe komuna juaj. Për mandatin e ri, jemi zotuar se
do ta bëjmë programin “Anë e mbanë”. Me këtë program, me 10 euro në muaj, secili qytetar do
të ketë mundësi të udhëtojë anë e mbanë Kosovës me transport publik, urban e ndërurban. Do

t’ia nisim me trafikun urban brenda qyteteve, për të vazhduar edhe me trafikun ndërurban
ndërmjet qyteteve.
Natyrisht që përveç se e kemi rritur buxhetin për 30% për arsimin, krahasuar me vitin e parë të
qeverisjes sonë, kur kishim një buxhet të trashëguar nga pararendësit, e kemi rritur edhe 50%
buxhetin për shëndetësinë, veçse më së shumti e kemi rritur për mbrojtjen edhe sigurinë. 66%
buxheti më i madh për Policinë e Kosovës dhe trefishim i buxhetit për Ushtrinë e Kosovës,
Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ne e dimë nga tradita jonë dhe nga historia jonë, se atëherë kur e ke një kojshi të keq, ka veçse
një zgjidhje; e ajo është pushka e mirë. Republika e Kosovës, Kombi Shqiptar, fatkeqësisht,
meqë s’e ndryshojmë dot as gjeografinë, as historinë, e ka një kojshi të keq. Atje, në veri, e kemi
një kojshi të keq, prandaj duhet ta kemi pushkën e mirë dhe pushkën plot, nuk mjafton veç
pushka e mirë. Se kur e ke pushkën e mirë e pushkën plot, kundrejt një kojshie të keq, është mirë
edhe për kojshin. Se kur e di që e kemi pushkën e mirë e pushkën plot, mendon dy-tre herë a me
na e msy, e kur të mendon nja dy-tre herë, e ma na e msy, nuk na e msyn hiç, edhe pështon edhe
vetë.
Andaj, ne kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit për
oficerët, nënoficerët dhe ushtarët tanë në vendet e NATO-s dhe kemi qindfishuar investimet për
armatim, ku përveç armatimit për këmbësori, natyrisht përfshihen edhe dronët Bayraktar TB2
luftarak nga Turqia, sistemi antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, po ashtu,
tash së fundmi edhe helikopterët Skifteri i Zi apo Black Hawk, po ashtu nga Shtetet e Bashkuara
të Amerikës. E në katër vitet në vijim, nga bashkëqeverisja jonë në programe qeveritare, në
buxhete vjetore do t’i kemi gjithsej mbi 1 miliard euro për ushtrinë, armatim, fabrikë të
municioneve dhe dronë “Made in Kosova.”
Të dashur qytetarë të Junikut, çka është detyrë, nuk është e pamundshme në institucion, në dije,
në ekonomi e në kulturë, te individi e në shoqërinë mbarë, së brendshmi e së jashtmi. Ne
kërkojmë dinjitet, veçse dinjitet, posaçërisht dinjitet. Dinjitet cep më cep. Cep më cep dinjitet.
Cep më cep dinjitet.
E me qenë se para katër viteve këtu kishim diku më shumë se 600 vota në zgjedhjet
parlamentare, tash deputetë të dashur e të ardhshëm të Kuvendit – jo të Junikut, po të Kuvendit të
Kosovës nga Juniku – Nezir Kraku e Luan Gacaferi, por edhe nga Kryetari i Qendrës tonë këtu,
Jetmir Tofaj, kërkoj që më datën 9 shkurt, një mijë zemra nga Juniku të jenë në kuadër të 500
mijë zemrave, cep më cep të Kosovës, që do ta shënojnë fitoren tonë të radhës. Fitore në rekord
historik e të paparë.
Të dashur qytetarë të Junikut, të gjithë ju e dini më mirë se unë, por e di edhe unë edhe gjithë
Kosova se janë tre Junika; është një Junik në Kosovë, është një Junik nëpër Kosovë edhe është
një Junik i tretë në diasporë. E këta tre Junika le të bëhen bashkë për 1000 vota më datën 9
shkurt, e shpresoj që këtë tubim është duke e ndjekur edhe legjenda jonë e boksit, Luan Krasniqi
nga Gjermania, të cilin e përshëndes përzemërsisht.

Bashkë me Donikën e me Mimozën, me këta 110 kandidatë ne do t’i vazhdojmë punët e mbara e
të mira dhe dje kemi prezantuar edhe zotimet tona të reja që do të përfshihen në programin e ri
qeveritar. Jemi të nderuar që mund t’ju shërbejmë një populli të shkëlqyeshëm si populli
shqiptar, një Republikeje të jashtëzakonshme si ajo e Kosovës dhe një Komune unike siç është
Juniku.
Faleminderit shumë e mirupafshim. Gjithë të mirat, shëndet, suksese, Zoti ju ruajt dhe ju gëzoftë!

Kontribo