21 09 2022

Kandidati për kryetar të RVV, Behar Jashari, shpalosë platformën e tij për mandatin 4 vjeçar

Të dashur anëtarë e aktivistë, shoqe e shokë,
Të nderuar të pranishëm,
I nderuar kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti,

Organizimet politike të rinisë janë emri nën të cilin janë nënshkruar lëvizjet më të thella politike. Qofshin ato studentore a jo këto organizime janë shquar për guximin dhe vrullin transformues. Të tilla ka pasur fatin t’i ketë dhe Kosova. E gjithë lëvizja e shekullit 20 pati në bërthamë të rinjtë e të reja, studentët e Kosovës.

Në fakt dhe themelimi e krijimi i lëvizjes tonë është po ashtu e lidhur me këtë fill. Rininë. Rëndësinë e organizimit politik të rinisë për shoqërinë dhe shtetin, më së miri këtë dekadë e dimë ne në Lëvizje. Për dallim nga partitë e ish-pushtetit, Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga themelimi e padyshim edhe sot në qeverisje, e ka dëshmuar se për të rinia është zona ku përqendrohet rëndesa e ngjarjeve. Lëvizja VETËVENDOSJE! asnjëherë nuk e ka parë rininë si pjesë të ndarë të saj; në aksione e në protesta, në diskutime e lexime, në vendimmarrje e përfaqësim, rinia ka qenë gjithnjë pjesë integrale tejet e rëndësishme e Lëvizjes. Por sot po fillojmë një organizim të ri krah për krah me lëvizjen ashtu që t’i japim shpejtësinë dhe intensitetin e kërkuar organizimit politik të të rinjve dhe rejave. Përveç mbështetjes së jashtëzakonshme elektorale që ka Lëvizja nga grupmoshat e reja, edhe një pjesë e madhe e anëtarësisë së saj i përket moshave 16-29 vjeç. Gati 20.000 të rinj e të reja janë të anëtarësuar në Lëvizje, pra rreth 30% e të gjithë anëtarësisë. Prandaj, Rinia për VETËVENDOSJE! është strukturë e domosdoshme.

E për udhëheqjen e kësaj strukture, po prezantoj pikat e platformës sime:

  1. Rritja dhe shtrirja e RVV-së
  2. Emancipimi politik dhe përgaditja profesionale e aktivistëve
  3. Aktivitetet dhe puna vullnetare
  4. Socializimi, arti, muzika e sporti
  5. Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të orientimit socialdemokrat

Rritja dhe shtrirja e RVV-së

Lëvizja shtrihet në mbi 1.100 vendbanime gjithandej Kosovës, e RVV ka delegatë nga thuajse 500 të tilla. Brenda angazhimit 4 vjeçar ne do të punojnë që të jemi të shtrirë në 1000 vendbanime. Ne jemi lëvizje e si të tillë përpjekjet tona do t’i fillojmë nga largësitë. Aty ku vajzat e djemtë kanë më së shumti nevojë për t’u organizuar politikisht. Aty ku lëvizja duhet të jetë prezent në lagjet e fshatrat sado larg qofshin nga dritat e qyteteve.

Krahas shtrirjes gjeografike, tejet i rëndësishëm është diversiteti brenda strukturës. Rreth 5.100, apo më pak se 30% e anëtarësisë në moshat 16-29 vjeç janë vajza. Inkuadrimi i plotë i tyre në vendimmarrje e aktivitet është i domosdoshëm. Gjurmët patriarkale në mjediset tona janë ende të forta. E Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet shembull i çeljes së shtigjeve të reja progresistë. Duhet bërë maksimumi që në vazhdimësi vajzave të reja t’ua garantojmë një ambient të përshtatshëm për aktivizëm. Këtë planifikojmë ta bëjmë e për ta mbërritur do të jemi të pakompromistë.

Kur jemi te diversiteti, të rinjtë e vendit tonë nuk janë vetëm shqiptarë për nga kombësia. 20% e popullatës në Kosovë i përkasin moshës 15-24 vjeç; jo të gjithë janë shqiptarë, ama të gjithë janë të rinj e të reja. Pabarazia e padrejtësitë e prekin dikë më shumë e ne duhet të jemi bashkë, në Lëvizje, për t’i luftuar ato. Për përfshirje më të madhe të të rinjve nga minoritetet, do të sigurohemi që të bashkërendojmë punët me Sekretariatin e Përgjithshëm, institucionet shtetërore përkatëse dhe organizatat joqeveritare.

Nxënësit e shkollave të mesme, posaçërisht maturantët, janë kyç në organizimin rinor. Për këtë arsye, do të synojmë sa më shumë inkuadrim të maturantëve në aktivitete politike e kulturore, përmes shtrirjes në të gjithë vendin. Këto grupe, në koordinim me Qendrat, do të synojnë zgjerimin e RVV-së në dhe për grupmoshën 16-19 vjeç.

Emancipimi politik dhe përgatitja profesionale e aktivistëve

Ne, të rinjtë, nuk bën të mos angazhohemi aktivisht në shoqëri. Gjimnazistë, studentë të cilësdo fushë, të rinj të punësuar e të papunë, të të gjitha shtresave, na duhet të angazhohemi bashkërisht. E ardhmja medoemos, por edhe e tashmja na takon neve. Për të duhet të angazhohemi e të përgatitemi mirëfilli.

Shkolla politike e Lëvizjes ofron shumë më tepër se vetëm njohuri mbi teoritë politike. Aty afirmohet mendimi kritik e afiniteti për lexim e studim. Neve na duhet që ta shfrytëzojmë mundësinë që e kemi, të mësojmë nga njerëz kompetentë për temat e nevojshme, në mënyrën e duhur. Kështu që, do të synojmë të inkuadrojmë sa më shumë të rinj e të reja në Shkollën politike, veçanërisht në Nivelin politiko-organizativ. Derisa Lëvizja siguron biblioteka e libra në të gjitha Qendrat, ne duhet të ftojmë shoqet e shokët tanë të na bashkohen në klube të leximit, filozofisë, filmit e debatit. Edhe shoqërohemi, edhe mësojmë e zhvillohemi.

Përveç kësaj, neve na duhet aftësim edhe në paraqitje e në çështje teknike. Besoj se është ide e mirë që të trajnohemi në të ashtuquajturat ‘soft skills’, në përdorim të plotë e të saktë të teknologjisë kompjuterike bashkëkohore, t’u ofrojmë të rinjve trajnime për shkathtësitë themelore që i kërkon punësimi.

Të rinjtë e të rejat e fushave specifike duhet t’i ndërlidhim me komitetet e nënkomitetet e Lëvizjes. Për të mundësuar më pas praktikën e përvojën kudo në institucione, sipërmarrje e veprimtari krijuese a ekonomike. Në këtë mënyrë, ne kemi mundësinë të praktikojmë profesionin tonë, si dhe t’i shërbejmë organizatës, për ta ndryshuar e përparuar vendin.

Aktivitetet dhe puna vullnetare

Manifestin e Lëvizjes, programin politik, Alternativën Qeverisëse, prioritetet tona dhe programin qeveritar do ta prezantojmë përmes aktiviteteve mirë të menduara dhe organizuara. Aktivizmi është forma më e drejtpërdrejtë e kontributit që duhet të organizohemi ta japim. Aty në fakt janë mësimet e përvojat më të çmuara. Në fillim duket sikur u ndihmon popullit gjatë aktiviteteve e më pas mëson se si ata të kanë transformuar në një aktivist të mirëfilltë politik. Nuk ka aktivizëm pa pikëtakimet me popullin e vendit tënd.

Përveç aktiviteteve në ditët e shënuara, Rinia për VETËVENDOSJE! do të jetë shembulli i kontributit në komunitet. Ne do të kontribuojmë në ngritjen e vetëdijes kolektive për çështje të rëndësishme për të cilat Lëvizja gjithnjë ka qenë e zëshme. Nga fushatat vetëdijësuese për konsumimin e prodhimeve vendore e deri te pastrimi i lagjeve tona dhe mbrojtja e mjedisit tek parandalimi i dhunës tek vajzat RVV do të kërkojë më shumë punë vullnetare nga rinia. Lëvizja ka qenë gjithmonë model për aktivizmin vullnetar, e ne duhet ta thellojmë e pasurojmë atë.

Socializimi, arti, muzika e sporti

Ne kemi pasione e ëndrra të mëdha. Arti, muzika e sporti janë shumë të rëndësishme për jetën tonë. Pushtetet e kaluara na kanë mbytur me vulgaritetin dhe mediokritetin. I patën shuar mundësitë e kinemasë, teatrit e skenës artistike. Derisa Qeveria jonë tash po punon intensivisht që ta çrrënjosë dëmin që është bërë në këtë drejtim.

E kemi mundësinë e jashtëzakonshme t’i kthehemi sporteve, arteve dhe trashëgimisë kulturore. RVV do të jetë shembulli ekselent i organizimit rreth artit e sportit.

Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të orientimit socialdemokrat

Në koordinim me Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë do të synojmë që të bëhemi pjesë e organizatave ndërkombëtare të orientimit socialdemokrat siç janë YES – Young European Socialists, ku bëjnë pjesë forume rinor të majta nga të gjitha shtetet e Evropës. Ne do ta zgjerojmë e provojmë komunikimin e bashkëpunimin me organizatat simotra në Evropë dhe më gjerë. Kjo është dhe detyra jonë si organizim politik i rinisë. Në këtë mënyrë, do të kemi mundësinë që përveç mësimeve që i marrim, edhe të shkëmbejmë përvojat dhe të marrim pjesë në një kauzë edhe më të gjerë: atë të barazisë, solidaritetit dhe lirisë së gjithmbarshme.

Angazhim i madh do të strukturohet nga RVV për shtrirjen e organizimit tonë dhe bashkëpunimit me të rinjtë në mërgatë. Prej organizatave studentore deri tek anëtarësimet direkte në RVV nga kudo që janë bashkëmoshatarët tanë.

Të nderuar të pranishëm,

Rinia për VETËVENDOSJE! ende në fillet e saj është organizimi më i madh i rinisë në vend dhe më gjerë. Përgjegjësia është po aq e madhe sa potenciali. RVV vjen para së gjithash si nevojë e organizimit të brendshëm, po edhe si domosdoshmëri politike. Me formimin e kësaj strukture, rinisë po i kushtohet vëmendje e veçantë.

Ne, të rinjtë, kemi brenga e shqetësime dhe jo rrallë ndihemi të pasigurt për të ardhmen tonë. Ne kemi shoqe e shokë që meritojnë jetë më të mirë. Për të duhet të angazhohemi bashkërisht, të gjithë. Duhet të besojmë në fuqinë që e kemi për të bërë ndryshime drejt një shoqërie më të barabartë e më të drejtë. Vrullin ëndërrimtar le ta përdorim për të vënë në lëvizje veten dhe shoqërinë.

Ju falemnderit!

Kontribo