18 07 2016

Kërkojmë heqjen e urdhrit që ndalon hyrjen e Dejona Mihalit në Kosovë

Sot, më 18 korrik 2016, rreth orës 07:30 është ndaluar të hyjë në Kosovë Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve dhe anëtare e kryesisë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Dejona Mihali është mbajtur për disa orë në kufi, dhe më pas është kthyer në Shqipëri, pasi i është komunikuar një urdhër për ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës, pa afat.

Policia kufitare i ka marrë direktivat drejtpërdrejt nga Ministria e Brendshme, dhe komunikimi është kryer në prani të Dejona Mihalit. Është për t’u vënë në dukje se urdhri për ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës është lëshuar në shkurt, por prej asaj kohe e deri sot Dejona Mihali nuk është vënë kurrë në dijeni për ekzistencën e këtij urdhri, as zyrtarisht e as në ndonjë mënyrë tjetër.

Ky vendim arbitrar është marrë pa u bazuar në asnjë ngjarje faktike, në asnjë ligj dhe pa asnjë vendim gjyqësor. Ky arbitraritet i pushtetit të Thaçit, Mustafës dhe i Veselit po e bën Kosovën një vend pa të drejta demokratike e civile, po e shpërfaq si një tirani despotësh të vegjël, që të vetmin funksion e kanë servilizmin ndaj ndërkombëtarëve, Serbisë e mafias.

Ndalimi i Dejona Mihalit i shtohet deportimit të Boiken Abazit dhe Arbër Zaimit, si një fushatë sistematike që qeveria e Kosovës e ka ndërmarrë ndaj veprimtarëve të Lëvizjes që janë nga Shqipëria. Reagimet e zbehta të qeverisë së Shqipërisë na bëjnë të pandehim se kjo fushatë kriminale e arbitrare është e koordinuar mes dy qeverive.

Në vizionin e despotëve bashkimi kombëtar është bashkim i forcave të regresit, i mafias, i dallaverexhinjve, i dhunës, i krimit e i servilizmit. Në vizionin tonë bashkimi kombëtar është bashkim i popullit, i prodhuesve, i qytetarëve të ndërgjegjshëm, i kulturës, i dinjitetit e mbi të gjitha bashkim kombëtar i idealit.

Ai kufi që ndan Kosovën prej Shqipërisë ka qenë armik i idealistëve e i dëshmorëve që na e prunë lirinë, ai kufi është dhe armiku jonë. Ai kufi ka qenë i ashpër ndaj atyre që e deshën këtë vend, ai kufi është sot i ashpër ndaj nesh. Atë kufi që i ndan shqiptarët padrejtësisht e mbrojtën me gjak ushtarët e Titos e të Rankoviçit, e të njëjtët e mbrojnë dhe sot.

Kërkojmë heqjen e menjëhershme të urdhrit të ndalimit për Dejona Mihalin dhe ndalje të persekutimit të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Republika e Shqipërisë, përndryshe kjo qeveri do të mbajë një vulë të madhe turpi, e do ta paguajë rëndë përballë historisë.

Kontribo