28 03 2019

Këtu grabitet ekonomia e Kosovës, shtjerret buxheti i shtetit dhe zbrazen xhepat e qytetarëve

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik para terminalit doganor, njërit prej monopoleve të Kompanisë Devolli, paraqiti shkatërrimin e ndërrmarrjeve publike në vazhdën e shkatërrimit të ekonomisë së vendit dhe dëmtimit të interesit publik, prapa së cilave shpesh fshihen interesa të ngushta politike e klanore që janë të lidhura ngushtë me politikën dhe krimin e organizuar.

Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Albana Gashi foli për interesin e ngushtë dhe kapitalin që kanë kapur mendjet e ngushta të zyrtarëve publik që nuk shqetësohen për qytetarin e varfër dhe veçanërisht për përfshirjen e pushteteve edhe te vetë shkatërrimi i Telekomit e shumë kompanive të tjera.

“Kompania “Devolli Group” është sinonim i ekonomisë së kapur, por jo vetëm. Ata janë sinonim i politikës së kapur, pushtetit të kapur dhe si rezultat edhe i shtetit të kapur. Nga Devolli Commerce gjatë okupimit te Devolli Company dhe sot te Devolli Group, prodhimi që bëjnë është bërë i parëndësishëm krahasuar me dallaveret që bëjnë. “Serbia deformon tregun”, “Mielli i bukës kontrabandohet si miell biskotash”, “Mashtrimi me tarifat doganore” janë tituj të zakonshëm kur mediat shkruajnë për Devollët”.

Ekzistenca e Z-Mobile është produkt i krimit të organizuar me pjesëmarrje të një numri të madh individësh. Qartazi, Klani ‘Pronto’ ka kurdisur fitoren e Devollëve në tender. Për shkak të kurdisjeve të këtilla, pronarë të vërtetë të bizneseve që figurojnë në emër të Devollëve janë vetë kurdisësit, pra Klani ‘Pronto’.

Terminalet doganore janë dorëzim i pastër i shtetit. Kur privatizohen doganat privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët sesa për Republikën tonë. Devollët karakterizohen nga monopoli absolut i transaksioneve me gjithçka që del prej sektorit publik për t’u dhënë si koncension, si privatizim, si kontraktim apo nënkontraktim.

Republikës së Kosovës i nevojitet një qeverisje e re me shtet zhvillimor ku qeveria është e afërt me biznesin e vogël dhe të mesëm në përgjithësi, por jo e afërt me tajkunet e monopoleve.

 

Kontribo