04 03 2019

Konferencë për diskriminimin në punësim të grave

Punë e pagë të dinjitetshme për secilën grua

Në kuadër të muajit të gruas, sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje e diskriminimit në punësim të vajzave dhe grave.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për mendësitë e gabuara keqqeverisëse që Kosovës i janë akumuluar prej të cilave më kryesorja është papunësia që arrin deri në 40% ku vajzat dhe gratë janë të shtypura dyfish, edhe duke qenë si qytetare por sidomos pse janë vajza e gra. Ndërkaq, vetëm 12 përqind e tyre kanë një vend pune.

“Diskriminimi e shtypja, dhuna fizike e psiqike, shfrytëzimi i vajzave dhe grave ka ndërlidhje të ngushtë me varësinë dhe shtypjen ekonomike. Në aspektin e legjislacionit janë bërë disa ndryshime, por të cilat thjesht kanë mbetur të pazbatuara”, tha Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu foli edhe për projektligji i punës të proceduar nga Qeveria duke theksuar se nuk ka mekanizma mbrojtës kundër diskriminimit të grave në punësim madje nuk ka asnjë autoritet ku mund të raportohen rastet. Arsyet pse nuk punësohen gratë, është sepse punëdhënësi e konsideron problem pushimin e lehonisë. Pushimi i lehonisë natyrisht që duhet të mbetet për periudhën 1 vjeçare por është koha që ta ndajmë atë në formë të obligueshme, 6 muaj nëna, 6 muaj babai.

Në anën tjetër anëtarja e Kryesisë Tinka Kurti foli për diskriminin që i bëhet gruas në rastet e punësimit.

“Kur papunësia e grave është mbi 80 për qind, është e qartë se aty nuk bëhet fjalë për fat individual e as për përcaktim natyror. Kjo është kryekëput rezultat i politikave të gabuara e të dëmshme të shtetit. Dhe më e keqja është se këto shifra nuk janë të reja dhe nuk kanë shënuar ndonjë lëvizje që prej pasluftës. Pra, nuk bëhet fjalë për mospjesëmarrje, por për përjashtim”, tha Tinka Kurti. Ndërkohë, gratë kalojnë nëpër më shumë intervista pune sesa burrat gjatë procesit për të siguruar një vend pune. Graë kanë raportuar se kanë kaluar nëpër 5 intervista gjatë pesë viteve të fundit në dallim me burrat që kanë kaluar nëpër tri sosh. Kjo tregon për vështirësi të dyfishuara për gratë.

Sipas studimeve që kryhen në universitet publike në Kosovë janë 41 mijë e 787 gra studente dhe 32 mijë 819 burra, referuar një shifre të publikuar nga instituti GAP. Pra, rreth 9 mijë studente më shumë sesa burra dhe prapë vetëm 12 përqind e grave punojnë. Rreth 80 përqind janë joaktive në punë. Diskriminimi ndodh që prej konkurseve ku nuk fshihet fare seksualizimi i punës. Për gratë kërkohen kritere shtesë në CV-të e tyre. Kërkohet dërgimi i obligueshëm i fotografisë dhe bëhen më shumë pyetje rreth jetës e planeve të tyre private, sidomos rreth planifikimit të shtatëzanisë. Kjo është e njëjtë sikur të dënohesh pse lind fëmijë.

Universiteti publik duhet të marr rol me studime e analiza poashtu edhe Avokati i Popullit duhet të organizojë seksione e informata se si e ku mund të paraqiten ankesa të kësaj natyre. Pra pa angazhimin e të gjithëve, nuk mund të kemi përparime dhe vajzat dhe gratë do të vazhdojnë të shtypen e diskriminohen në punësim. Këtë mund ta ofrojë vetëm një shtet zhvillimor me punë e pagë të dinjitetshe për gjithsecilën e gjithsecilin.

Kontribo