18 03 2019

Kryeprokurori është tepër i zënë për ta luftuar korrupsionin

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferecë për media në lidhje me zyrtarët e lartë publik të cilët jo vetëm që nuk luftojnë krimin dhe korrupsionin, por mbajnë shumë poste të larta shtetërore njëkohësisht. Në konferencë u përmend rasti i Kryeprokurorit Lumnezi si një rast tipik me mbajtjen e pesë pozicioneve zyrtare njëkohësisht.

Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli në lidhje me raportet e publikuar nga Transparency International, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nga shumë kritika nga vetë ambasadorët që veprojnë në Kosovë të cilët kanë denoncuar fenomenin e mbajtjes së shumë posteve zyrtare nga personat e lartë publik.

“Kosova ka probleme serioze me sistemin e drejtësisë dhe ende nuk kemi parë veprim serioz të institucioneve të drejtësisë në raport me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndikimet e mëdha të pushteteve të pasluftës mbi sistemin e drejtësisë, sidomos ndikimet e PDK’së, e kanë bërë këtë sistem joefikas dhe mosveprues. Pra, pikërisht këto ndikime ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë”, tha Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu theksoi se me qenë kryeprokuror i shtetit në Kosovë, koha dhe vetë dita është e pamjaftueshme. Ne kemi kryeprokurorin e shtetit i cili, përveç se ka kontroll mbi sistemin prokurorial, ka edhe kontroll mbi prokurorët e rinj sepse është pjesë e akademisë, dhe vendos se kush do të jenë ata sepse është kryetari i Komisionit për provimin e Jurisprudencës.

Në Kosovë, papunësia çdo vit e më shumë po shënon rritje ku afër 40 % e popullësisë janë të papunë dhe mbi 18 % janë në varfëri ekstreme. Ndërsa në anën tjetër kemi një grup njerëzish që mbajnë më shumë se dy, madje deri në gjashtë e shtatë, vende pune. Ata i gjejmë në ekzekutiv, legjislativ, agjensione dhe sidomos në sistemin e drejtësisë. Kjo bëhet, së pari, për shkak të kontrollit që duan të kenë mbi gjithçka dhe, e dyta, për shkak të përfitimeve.

Aktivisti i Lëvizjes Avni Zogiani shtoi duke folur për zyrtarët publik të cilët vendosin interesin publik në rend të dytë duke u marrë në të njëjtën kohë edhe me veprimatari private përpos detyrave publike.

“Në raste kur zyrtari policor, apo edhe prokurori, kur gjendet para procedimit të hetimit të një veprimi konkret të një zyrtari tjetër, shumë shpesh priret nga interesi privat sesa nga interesi i zyrës publike që përfaqëson. Në këtë mënyrë, punët e shumëfishta të zyrtarëve të ndryshëm janë kthyer në mbrojtje të krimit dhe korrupsionit”, tha Avni Zogiani.

Dy nga problemet kryesore të Kosovës janë mungesa e zhvillimit ekonomik dhe korrupsioni e krimi i organizuar; probleme shumë të ndërlidhur mes vete. Ne, qytetarët e këtij vendi, duhet të angazhohemi së bashku në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga kjo mendësi qeverisëse dhe nga ky shpërfytyrim i interesit publik.

Kontribo

LAJMET E FUNDIT