10 06 2020

Kryetari Kurti vizitoi qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Therandë, Mushnikovë dhe Prizren

“Jemi të bindur që ekziston dalja nga kjo krizë, ekziston zgjidhja për problemet në Kosovë, dhe ajo zgjidhje janë zgjedhjet e reja, në mënyrë që në njërën anë qytetarët ta shprehin vullnetin në ato zgjedhje dhe në anën tjetër ta rifreskojmë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Asnjëherë nuk ka pasur hendek më të madh të legjitimitetit midis ekzekutivit që teknikisht ekziston edhe popullit i cili politikisht dëshiron diçka tjetër. Prandaj, ky peticion, është duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës”, tha Kryetari Kurti sot në Prizren, ku pas vizitës në Therandë dhe Mushnikovë, takimeve me struktura e qytetarë që po punojnë dhe nënshkruajnë peticionin atje, qëndroi në Prizren në hapjen e Javës së Lëvizjes që fillon me Ditën e Lidhjes.

Afër tendës së peticionit në Prizren, ku vetëm sot 8 mijë qytetarë nënshkruan për zgjedhje, Kryetari Kurti tha se Qeveria Koti që nuk varet thjeshtë prej Listës Serbe, por prej secilit deputet të kësaj liste, nuk ka as kredibilitet e as legjitimitet për të qëndruar, dhe se Lëvizja VETËVENDOSJE! që e bënë më së miri edhe qeverisjen edhe opozitën është e interesuar dhe po punon që Qeveria Koti të jetë e kotë, por jo edhe qeveri më.

Kontribo