05 12 2019

Lëvizja më e fortë se kurrë në mërgatë.

Këtë fundjavë, më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, patëm takimin e përbashkët vjetor me Qendrat tona në mërgatë, dhe ku ishin pjesëmarrës delegatë nga 9 prej Qendrave tona. Takimin e parë e mbajtëm në Koln të Gjermanisë, me nikoqirë aktivistët tanë në Qendrën tonë atje, udhëhequr nga kryetari Salih Abazi dhe sekretarja Sabile Aliu. Ndërsa, të deleguar nga Kryesia e Lëvizjes ishin Sekretarja Organizative Vlora Haxhimehmedi dhe anëtarët e Kryesisë, Fitore Pacolli dhe Xhelal Sveçla dhe aktivisti Edison Jakurti.

Takimi filloi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Shqipëri duke u zotuar se Lëvizja në vazhdimësi do t’i qëndrojë pranë Shqipërisë dhe popullit atje.

Pas prezentimit të sukseseve dhe angazhimeve të 9 delegacioneve nga Qendrat dhe 4 Grupeve Punuese të shteteve tjera, u vazhdua me planet për organizimin sa më të mirë dhe shtrirjen e Lëvizjes në mërgatë. Marrë parasysh edhe mbështetjen masive të mërgatës në zgjedhjet e fundit, u konkludua se potenciali i angazhimit të mërgatës në zhvillimet në Kosovë është jashtëzakonisht i madh.

Gjatë takimit patëm po ashtu punëtori për organizimin e mërgatës dhe shtrirjen në mërgatë, planifikimin e aktiviteteve për vitin 2020, si dhe diskutime për programin tonë për mërgatën, në veçanti Projektligjin për Diasporën, për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe për investimet e mërgatës në Kosovë.

Mërgata, si pjesë integrale e atdheut, do të jetë e domosdoshme për shtetndërtimin në Kosovë në mandatet e ardhshme të Qeverisë Kurti. Qendrat tona në mërgatë do të shërbejnë si urë lidhëse mes mërgimtarëve profesionistë dhe qeverisë Kurti.

Ashtu siç i bashkoi ky takim shqiptarët e të gjitha trojeve tona, ashtu të bashkuar do të vazhdojmë të veprojmë në të mirën e kombit.

Kontribo