17 10 2016

LËVIZJA VETËVENDOSJE! NË PUNIMET E KONFERENCËS PARLAMENTARE TË SOCIAL-DEMOKRATËVE EVROPIAN

Kanë nisur sot punimet e Konferencës së Social Demokratëve të Aleancës Progresive Evropiane, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! merr pjesë me një delegacion të përbërë nga Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti. Në këtë konferencë marrin pjesë partitë kryesore social-demokrate të Evropës, si dhe shumë parti të tjera social demokrate nga e gjithë bota. Në këtë konferencë do të flasin edhe Federica Mogherini (Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë), Martin Schultz (President i Parlamentit Evropian), Gianni Pittella (President i Grupit Social Demokrat në Parlamentin Evropian), Iain McNicol (Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Laburiste Britanike), etj.

Punimet e kësaj konference do të zgjasin dy ditë, dhe ato janë të përqëndruara te “Axhenda e re për paqe dhe drejtësi”. Kjo axhendë synon të ndërtojë politikat e nevojshmë që i bëjnë ballë zhvillimeve si krizës financiare, krizës së refugjatëve dhe gjendjes së emergjencës që është vendosur në shumë shtete për shkak të sulmeve terroriste dhe ekstremizmit fetar. Nëpërmjet kësaj axhende, Aleanca Progresive e Social Demokratëve synon të ndërtojë një rrugë të qëndrueshme demokratike që i bën ballë sfidave të shekullit të XXI përmes politikave që e vendosin njeriun dhe të drejtat e njeriut në qendër, si dhe përmes forcimit të lidhjeve dhe organizatave në nivel ndërkombëtar, kundër autoritarizmit në rritje në shumë shtete të botës.

Para konferencës, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDSOJE! u takua me Z. Dirk Van Der Maelen, nga Partia Socialiste Ndryshe e Belgjikes, i cili kryeson Komisionin për Punë të Jashtme në Parlamentin Belg. Me Partinë Socialiste Ndryshe u diskutua për bashkëpunimin ndërpartiak, shkëmbime të ideve dhe bashkëpunimin në avancimin e çështjeve të Kosoves në parlamentin belg si dhe në Këshillin e Evropës, ku Z. Van der Maelen njihet si përkrahës i anëtarësimit të Kosovës.

Paralelisht me këto aktivitete, në Bruksel Lëvizja VETËVENDOSJE! po merr pjesë edhe në punimet që kanë nisur sot të Konferencës Parlamentare të “International Unionin of Socialist Youth” (IUSY) – Unioni Ndërkombëtar i Rinisë Socialiste. Kjo organizatë është e përbërë prej forumeve rinore të partive social demokrate nga e gjithë bota. Gurjeta Zeka, Koordinatore e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, po e përfaqëson Lëvizjen VETËVENDOSJE! në këtë konferencë të forumeve rinore.

17 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo