03 09 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot organizoi konferencë për medie në të cilën foli kryetari, Albin Kurti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot organizoi konferencë për medie në të cilën foli kryetari, Albin Kurti. Theksi ishte takimi i paralajmëruar për 4 shtator në Washington në mes delegacionit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë.

Për këtë takim, që na u tha se do të flitet për çështje ekonomike dhe do të arrihen marrëveshje të karakterit të tillë, kryetari Kurti, gjatë fjalës së tij tha se nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike me Serbinë e e cila marrëveshje nuk është edhe politike. Karakteri politik i çfarëdo marrëveshje është i pashmangshëm, që nga statusi i palëve që nënshkruajnë ato, te përmbajtja e deri te efektet e tyre.

Negociatat e paralajmëruar për takimin e 4 shtatorit dhe të tjerat që i paraprijnë e pasojnë ato, nuk kanë fare transparencë, nuk i dihet angjenda, formati, përmbajtja e as qëllimi. Kryetari Kurti përsëriti se “pala kosovare nuk ka legjitimitet, kredibilitet, autoritet dhe as përgatitje”, derisa tërhoqi paralelen shqetësuese se këto takime për marrëveshje, njësoj sikurse ato për marrëveshjet e dëmshme për ‘Zajednicën’ dhe ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi, po mbahen pikërisht kur Kuvendi i Kosovës është në pushim. Përkundër qw Kuvendi ka rol kyç kushtetues për mbikqyrjen e punës së Qeverisë dhe të pazëvendësueshëm e të paanashkalueshëm për zbatueshmërinë e marrëveshjeve.

Kosova, në këto negociata po shkon e çorientuar dhe e çakorduar. Anëtarët e delegacionit qeveritar paralelisht deklarojnë gjëra të ndryshmë në mos kontradiktore. Thonë së po bisedojnë për njohje reciproke, por ata tashmë e kanë njohur Serbinë; njëherë insistojnë se do të flasin vetëm për njohje reciproke, e pastaj permendin projekte infrastrukturore; pastaj thonë se do të flitet veçanërisht për çështje ekonomike, por me vete nuk e kanë as ministrin e Ekonomisë, as të Financave e as ekspertë; nuk janë në dijeni për agjendën, por thonë të jenë të përgatitur mirë, paçka se nuk e dijnë se për çka do të flasin.

Urgjenca dhe emergjenca e Kosovës është dhe duhet të jetë menaxhimi i krizës shëndetësore dhe ekonomike, e cila po vazhdoi kështu, do të përkeqësohet në vjeshtë e dimër. Sipas matjeve të opinonit publik, dialogu me Serbinë është vetëm çështja e pestë për të cilën shqetësohen qytetarët e vendit tonë. “Qytetarët duan shëndet, punësim e drejtësi” tha kryetari Kurti. Për këtë, “ne po përgatisim Qeverisjen Alternative, për rikthimin tonë, për zhvillimin e demokratizimin e Kosovës”, shtoi në fund të fjalës së tij, Kryetari Kurti.

Kontribo